I plagosuri te ish-ekspozita: Nuk i njoh autorët

Shqipëria

I plagosuri te ish-ekspozita: Nuk i njoh autorët

Më: 29 tetor 2016 Në ora: 15:38
Andi Mustafarajn

Prokurorët e Prokurorisë së Tiranës kanë marrë në pyetje Andi Mustafarajn, që u plagos mesditën e së premtes në një nga lokalet pranë ish-Ekspozitës në Tiranë. Sapo gjendja e tij ka kaluar rrezikun për jetën oficerët e Policisë Gjyqësore kanë marrë dëshminë e 30-vjeçarit për ngjarjen.

Burime të Tv Klan thanë se i riu nuk ka pranuar të kishte konflikte me njeri duke mos dhënë ndonjë ndihme të madhe për hetuesit.

Ai ka thënë se nuk dyshonte te njeri dhe se i takonte policisë dhe prokurorisë të gjejë ata që e sulmuan.

Të njëjtat burime thanë se po shihen me imtësi një pjesë e madhe e kamerave të sigurisë të bizneseve të zonës. Prej tyre është zbuluar vetëm një pjesë e ngjarjes ku shihet autori, i cili ka qenë i maskuar me një kapuç, që ka dalë nga një automjet dhe ka hyrë në lokalin ku qëndronte Mustafaraj.

Pasi e ka qëlluar 3 herë është larguar me të njëjtën makinë me shpejtësi. Hetuesit po kërkojnë të zbulojnë itinerarin që kanë ndjekur autorët para dhe pas atentatit.

Në pyetje janë marrë edhe disa dëshmitarë. Nuk janë lënë jashtë vëmendjes së hetimeve edhe e kaluara apo lidhjet e të plagosurit.

Dyshimet janë se kjo plagosje ka lidhje me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë gjatë këtij viti. Sipas policisë i plagosuri ka qenë mik u ngushte me Elton Çiçën, i vrarë në një atentat në zonën e ish-bllokut në maj të këtij viti. Në hetim janë dhe pista të tjera që kanë të bëjnë me një konflikte të çastit apo të mbartur prej disa kohësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat