Veliaj: Unaza e Vogël 'çlirohet' brenda nëntorit, verën e ardhshme gati edhe sheshi "Skënderbej"

Shqipëria

Veliaj: Unaza e Vogël 'çlirohet' brenda nëntorit, verën e ardhshme gati edhe sheshi "Skënderbej"

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 12:39
Unaza e Vogël

Brenda nëntorit qendra e Tiranës do të çlirohet nga trafiku i makinave. Bashkia e Tiranës dhe OSHEE-ja kanë nisur punimet për zhvendosjen e nënstacionit elektrik, i cili i hap përfundimisht rrugën zgjerimit dhe vënies në funksion të plotë të projektit të Unazës së Vogël.

Punimet, të cilat kanë nisur prej disa ditësh, u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Ka qenë një operacion i vështirë. Ju e dini fare mirë që nënstacioni ka vite që është vendosur këtu dhe sa herë që bëhen zhvendosje të tilla na duhet njohuri shumë e mirë teknike dhe ekspertë të huaj. Por, besoj se disa gjëra i kemi bërë mirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi bërë një shpronësim në qendër të Tiranës, për t'i hapur rrugë projektit të Unazës Vogël, tani po bëjmë edhe zhvendosjen e nënstacionit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku falenderoi edhe përfaqësuesit e OSHEE-së, të cilët kanë marrë të gjitha masat që qendra e Tiranës mos mbetet pa drita.

Image

 

“Me të mbaruar ky proces, që besoj do zgjasë edhe disa ditë, do të vazhdojmë me përfundimin e rrugës për të hapur Unazën e Vogël të Tiranës. Ajo që presim në këtë fazë të fundit është që, kur të vijnë festat e Çlirimit dhe të Pavarësisë, të na gjejë të çliruar nga trafiku dhe të pavarur nga rrëmuja e punimeve në qendër të Tiranës, për të pasur një çlirim dhe pavarësi edhe të Tiranës në fund të nëntorit”, theksoi kreu i bashkisë.

Veliaj tha se me ritmet me të cilat ka ecur puna deri tani, edhe sheshi “Skënderbej” pritet të marrë formën e tij të plotë para afateve të përcaktuara në kontratë, duke i dhënë qendrës së Tiranës pamjen e merituar.

Kryebashkiaku ka kërkuar sërish mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat e krijuara gjatë kësaj kohe.

“Me këto ritme, brenda verës së ardhshme do të përfundojmë edhe sheshin “Skënderbej”. Dua t'ju kërkoj ndjesë qytetarëve; e di, një shtëpi rregullohet, shiko sa rrëmujë bëhet, imagjino kur rregullojmë një qytet të tërë, por janë punë shtëpiake që një ditë duhen bërë dhe më mirë që t'i heqim të gjitha këto punë që në vitin e parë, pra Unazën e Vogël, sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri, disa nga parkingjet nëntokësore, në mënyrë që pastaj të kemi një shtëpi ku do kemi dëshirë të jetojmë të gjithë. Ndaj, shumë ndjesë dhe shumë mirënjohje për durimin e qytetarëve. E di që është e pakëndshme qëndrimi në trafik, megjithatë dua të falënderoj sidomos ata që kanë preferuar të përdorin ose transport publik, ose të ecin në këmbë, ose biçikletën”, përfundoi kryebashkiaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat