Gjykata e Lartë cakton kolegët që do të vendosin për Majlinda Andrean

Shqipëria

Gjykata e Lartë cakton kolegët që do të vendosin për Majlinda Andrean

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 10:21
Majlinda Andrea

Gjykata e Lartë ka caktuar këtë të martë kolegjin penal që do të shqyrtojë çështjen e gjyqtares Majlinda Andrea. Burime nga kjo gjykatë bëjnë të ditur se, me short janë zgjedhur gjyqtarët Artan Zeneli, Evelina Qirjako dhe Shkëlzen Selimi. Evelina Qirjako mësohet se do të jetë relatorja e çështjes ndaj koleges së saj Majlinda Andrea të pezulluar. Ata do të gjykojnë këtë të fundit për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Ndërkohë në gjykatën e Lartë rezulton se është depozituar kërkesa e bashkëshortit të gjyqtares Andrea, Odhise Andrea për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” që rëndon ndaj tij.

Në kërkesën e tij drejtuar gjykatës, Odhise Andrea kërkon heqjen e “arrestit me burg” dhe po ashtu heqjen e masës së kërkimit policor të vendosur ndaj tij. Prokuroria e Përgjithshme disa ditë më parë u ka komunikuar akuzën e korrupsionit gjyqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea, bashkëshortit të saj Odhise Andreas dhe tre të arrestuarve të tjerë të kësaj dosje. Pas këtij vendimi, prokurori Arben Kraja, dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të të pandehurve në Gjykatën e Lartë, e cila dje caktoi kolegjin penal që do të gjykojë gjyqtaren. Momentalisht vijon të jetë në kërkim Odhise Andrea, ndërkohë që të gjithë të pandehurit e tjerë janë në Shqipëri.

Në dosjen e prokurorisë është vendosur fillimisht lejimi i përgjimit të numrave të telefonit në përdorim nga Ilia Çabiri me banim në Sarandë. Mbi bazën e bisedave telefonike të realizuara nga ky shtetas,është proceduar me vendosjen në përgjim edhe të numrit të telefonit në përdorim nga shtetasi Petraq Dashi me banim në Fier, si dhe të numrit të telefonit në përdorim të shtetasit Odhise Andrea. Po kështu, për personat e mësipërm është proceduar edhe me vëzhgimin dhe përgjimin e tyre në ambiente publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat