Basha: Moratorium për mbetjet derisa të mundësohet referendumi

Shqipëria

Basha: Moratorium për mbetjet derisa të mundësohet referendumi

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 09:52
Takimi

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, priti në “selinë blu”, përfaqësuesit e Aleancës kundër Importit të Plehrave, ku u propozua moratorium për plehrat, derisa qytetarët të vendosin me votë në referendum. Basha, tha se “kryeministri Edi Rama në mënyrë të pabesë ka kaluar një ligj, i cili i hap rrugën mafies ndërkombëtare të plehrave të sjellë helmet në Shqipëri”. “Të miratohet dekreti i Presidentit, të miratohet një moratorium për importin e plehrave, deri sa qytetarët të shprehen me referendum. Sepse ky vendim nuk i takon më asnjë qeverie, as kësaj që po ikën dhe as asaj që do të vijë, i takon qytetarëve shqiptarë ta vendosin me referendum popullor”, tha kreu demokrat. Më tej ai saktësoi se bashkëpunimi dhe aleanca me shoqërinë civile tejkalon ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

“Pafytyrësi e një njeriu që e konsideron Shqipërinë jo një vend me qytetarë të cilëve iu ka marrë votën dhe ka me detyrim t’ju shërbejë, por një burg të madh ku ai sillet si drejtori psikopat dhe i droguar i këtij burgu. Ndaj me shoqërinë civile, jo vetëm që jemi të bashkuar për të realizuar qëllimin tonë për të ndalur importin e plehrave, por jemi të bashkuar edhe për të rikthyer votën e qytetarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themeli i një shoqërie të drejtë. Dhe për këtë drejtori psikopat dhe i droguar i burgut duhet të largohet një orë e më parë”, nënvizoi Basha. Ndërkohë, ambientalistë dhe përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave thanë se kanë marrë mbështetjen e Partisë Demokratike që të pengohet importi i mbetjeve në Shqipëri.

Në përfundim të takimit me grupin parlamentar të PS, ambientalisti, Lavdosh Ferruni tha se në takim me Bashën u fol edhe për referendumin. “Ne ja parashtruam PD dhe Bashës këtë çështje edhe me argumentet tona. Ne jemi të vendosur me këtë çështje do të vazhdojmë ta themi edhe me grupet e tjera parlamentare përpara se të reagojmë në mënyrën si kemi reaguar deri tani, pra me protesta qytetare. Basha tha që PD-ja është krah jush dhe jo ju, krah nesh. Kemi marrë një mbështetje nga PD-ja e cila do të jetë koherente dhe do të kontribuojë për të ndaluar importon e mbetjeve. Diskutuam edhe për çështjen e referendumit, për të cilën PD ka marrë një iniciativë, por ne insistuam që në fillim të ndalojmë importin, pastaj mund të shikohet edhe mundësia referendumit duke përmirësuar edhe ligjin”, tha Ferruni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat