Vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve, ja çfarë është bërë sot me ish-gardistin

Shqipëria

Vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve, ja çfarë është bërë sot me ish-gardistin

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 12:03
Admir Dervishi

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 35 vjet burg të ish gardistit Admir Dervishi. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Ida Dervishi. Fillimisht për ish gardistin u dha dënimi burg përjetë, por pasi trupi gjykues i drejtuar nga Klodian Kurushi pranoi gjykimin e shkurtuar, i pandehuri përfitoi uljen e dënimit me 1/3, duke u dënuar në total me 35 vjet burg.

Pas dhënies së këtij vendimi, Admir Dervishi iu drejtua Apelit për Krimet e Rënda, duke bërë kërkesë për ulje të dënimin. Kërkesë kjo që nuk u pranua nga gjyqtarët e Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë më parë nga gjykata e Krimeve të Rënda. Krimi i rëndë që i mori jetën 28-vjeçares ndodhi në prani të fëmijëve të mitur, 4 vjeç dhe 8-muajsh, në banesën e tyre në zonën e Kombinatit.

Gjithçka ndodhi orët e para të mëngjesit të datës 6 prill të këtij viti, ku ish gardisti qëlloi 4 herë me pistoletën e shërbimit në drejtim të Ida Dervishit, por vetëm një prej plumbave e kapi 28-vjeçaren, që i mori dhe jetën.

Nëna e viktimës, Feride Spahia është shprehur për media se konflikti kishte nisur pasi vajza e saj kishte marrë 30 mijë lekë të vjetra në llogarinë e Admirit për t’i blerë ushqim fëmijëve. Ajo ka treguar se prej vitesh vajza e saj jetonte në dhunën e të shoqit. Ndërkohë, gjykata e Tiranës, në vitin 2013, kishte lëshuar për të ndjerën dy urdhra mbrojtje, për shkak të dhunës me grushte dhe shkelma, si dhe kërcënimeve me armë të bashkëshortit Admir Dervishi. Por ajo kishte hequr dorë dhe ishte rikthyer të jetonte përsëri me burrin e saj për shkak të kërcënimeve të tij.

Ish-gardisti ka deklaruar para gjykatës se nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur mëngjesin e 6 prillit, ndërsa ka theksuar se grindja kishte ardhur pasi ish bashkëshortja nuk e respektonte ashtu siç duhej. Vrasja ndodhi në banesën ku çifti jetonte me qira në sy të dy fëmijëve të mitur. Pasi ka kryer krimin, Admiri ka dërguar fëmijët tek fqinji ndërsa vetë ka qëndruar në banesë ku dhe është arrestuar nga policia pa bërë rezistencë. Viktima ka qenë pranë derës kur ish gardisti e qëlloi me pistolete, ku plumbat e kapën në pjesën e kraharorit. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat