Qeveria fshehu për 20 muaj projektligjin që ndalonte importin e plehrave

Shqipëria

Qeveria fshehu për 20 muaj projektligjin që ndalonte importin e plehrave

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 09:04
Komisioni

Qeveria miratoi më 22 shtator nenet e reja në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, duke i hapur rrugë importit të tyre nga vende të tjera, megjithëse të njëjtin ligj e kishte kundërshtuar fort deri në anulim në vitin 2013. Por, para se të risillte ligjin për importin e mbetjeve, qeveria ka dërguar në komisioni një nismë ligjore për menaxhimin e mbetjeve të gjeneruara në vend,e shoqëruar me një strategji që parashikonte shpëtimin nga falimentimi edhe industrinë e riciklimit. Por, nxitimi i qeverisë për të rikthyer importin e mbetjeve me qëllim ‘shpëtimin e industrisë nga falimentimi”, tregon për mungesën e një strategjie të qartë për mbetjet vendasve. Deputetët do të kenë në tryezat e tyre të punës, në bazë të programit të miratuar deri më 25 nëntor 2016, edhe një projektligj të mbetur aty prej pothuajse 20 muajsh. Bëhet fjalë për projektligjin “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”.

“Shekulli” ka zbuluar se ky projektligj është paraqitur në Kuvend nga qeveria më 9 shkurt 2015, por deri më tani është shqyrtuar vetëm nga Komisioni parlamentar i Integrimit. Sipas dokumenteve parlamentare, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, nuk ka dhënë ende një raport për këtë ligj. Sipas projektligjit, është parashikuar ndërtimi i një skeme për të pakuar që shkojnë direkt në vendgrumbullime (landfill-e) dhe nxitja e qytetarëve për të diferencuar mbetjet e riciklueshme kundrejt një skeme bashkëpunimi dhe përfitimi monetar me kompanitë. Për shembull, për çdo shishe që blejnë, qytetarët do të paguanin një tarifë shtesë, por do të kishin mundësinë e kthimit të saj dhe tërheqjes së parave.

Në rast, shishet e grumbulluara do të ishin të gatshme për riciklim, pa qenë e nevojshme që ato të diferencohen nga mbetjet e tjera në vendgrumbullimeve ose landfill-e. Aktualisht vetëm rreth 17 % e mbetjeve vendase aktualisht arrijnë të riciklohen, por skema e propozuar disa muaj më parë synonte rritjen e kësaj mase të riciklueshme nga mbetjet vendase. Krijimi i kësaj skeme lidhet pikërisht me kthyeshmërinë dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve, pasi moskthimi i mbetjeve do të ndikonte drejtpërsëdrejti në buxhetin e tyre. Kjo është një praktikë e njohur dhe e përdorur jo vetëm në vendet e tjera të BE-së, të cilat kanë një standard jetese dhe menaxhimi mbetjesh disa herë më të lartë se Shqipëria, por edhe në vendin tonë, ku për shumë vite me radhë është aplikuar kthimi i shisheve të qelqit përkundrejt vlerës 1 së kthyeshme të tyre, asaj në projektligj quhet “depozitë”.

Nuk dihen arsyet e ngecjes së këtij projekti prej 20 muajsh në komisionet parlamentare, ndërsa qeveria mbështeti pak javë më parë një ligj që lejoi importin e mbetjeve, pikërisht për të mbështetur industrinë ricikluese dhe me justifikimin se përpunimi i mbetjeve vendase nuk ishte i mjaftueshëm. Çfarë synon ligji? Sipas relacionit të paraqitur nga qeveria, hartimi i këtij projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve” është bërë me “synim menaxhimin e integruar të mbetjeve, minimizimin e sasisë së mbetjeve që depozitohen në landfill-e, përmirësimin e efiçencës së përdorimit të tyre, pakësimin e ndikimeve negative të përgjithshme të mbetjeve, administrimin ligjor të sistemit të depozitës me ndikim të drejtpërdrejtë në formalizimin e aktiviteteve grumbulluese dhe ricikluese të mbetjeve, si dhe në motivimin e konsumatorëve për të kthyer mbetjet përmes rikthimit të vlerës së depozitës”. Sistemi është parashikuar të funksionojë duke vendosur një vlerë monetare mbi vlerën e produkteve përpara hedhjes së tyre në treg.

“Kjo vlerë, që do t’i shtohet produktit, do të paguhet në përfundim të procesit nga konsumatori, por ajo do t’i kthehet këtij të fundit me kthimin e mbetjes objekt i ligjit, në kushtet e përcaktuara nga ky ligj dhe nga aktet ligjore e nënligjore të dala në zbatim të tij”, thuhet në relacion. Pritshmëri tjetër e këtij procesi, sipas qeverisë, është edhe sigurimi i lëndës së parë mbetje kompanive ricikluese vendase. “Qeveria, në fillimet e saj, me ndalimin e importit të mbetjeve mori përsipër sigurimin për këto shoqëri të mbetjeve të gjeneruara në vend. Materiali i përftuar në fund të procesit do të jetë mbetje e pastër, vlera e të cilës, qoftë në tregun e brendshëm e qoftë atë ndërkombëtar (bursë), është më e madhe se e asaj të kontaminuar me mbetje të natyrave të tjera. Në këtë mënyrë, zbatimi i ligjit në praktikë siguron vazhdimësinë e punës së këtyre shoqërive”, thuhet në relacion.

Skema

Projektligji parashikon që sistemi do të funksionojë me anë të vendosjes së një shenje dalluese sigurie në të gjitha produktet që e hedhura në treg që krijojnë mbetje, të cilat janë subjekt i ligjit. Kjo shenjë do të prodhohet nga administratori i sistemit të depozitës dhe do të blihet me vlerën e depozitës për atë lloj mbetjeje nga subjekti i cili e hedh në treg këtë produkt që në të ardhmen do shkaktojë mbetje. Vlera e depozitës, me anë të vendosjes së shenjës dalluese, do t’i shtohet vlerës së produktit, dhe konsumatori do të jetë i detyruar ta paguajë produktin në njësitë tregtare me vlerën e depozitës brenda. Në momentin që produkti ka prodhuar mbetjen, konsumatori do të paraqitet pranë njësive të përcaktuara nga administratori i sistemit, do ta dorëzojë mbetjen, referuar kushteve fizike të kërkuara, dhe do të rimarrë vlerën e depozitës që kishte paguar në shumën totale për marrjen e produktit. Vlera e depozitës do të jetë e kthyeshme për konsumatorin në çdo njësi që do të shërbejë si pikë grumbullimi, pavarësisht nëse ai e ka blerë produktin në këtë njësi.

Ndikimi ekonomik

Në relacion thuhet se miratimi i këtij projektligji do të ndikojë drejtpërsëdrejti në menaxhimin e integruar të mbetjeve, dhe, nga ana tjetër, do të ketë efekte mjaft pozitiv në buxhetin e shtetit që pas vitit të parë të vënies në zbatim, sepse ky i fundit do të përfitojë përafërsisht deri në 50 % të vlerës monetare të depozitës së pakthyer dhe pjesën e mbetur të të ardhurave të gjeneruara nga skema, pas heqjes së shpenzimeve për administrimin dhe mirëfunksionimin e saj, meqenëse materiali i mbledhur, në fund të procesit, ose do të shitet me qëllim riciklimin, ose do t’u nënshtrohet procedurave të përpunimit, që do të thotë se, në të dy rastet, prej tyre do të krijohen të ardhura. . E vetmja e ardhur që i hiqet buxhetit të shtetit është pikërisht taksa e ambalazhit për mbetjet subjekt i ligjit, e cila paguhet nga prodhuesit dhe importuesit, duke qenë se kjo vlerë do të përdoret për të implementuar skemën. Nga ana tjetër, nëse do të lihej edhe kjo taksë mbi vlerën e produktit të kemi edhe vlerën e depozitës, do të kishim një taksim të dyfishtë.

Nga ana tjetër, përfitimi që merr buxheti i shtetit në këmbim të taksës që do t’i mungojë është disa herë më i madh, pasi, nëse do të trajtonim vetëm ambalazhet nga plastika dhe qelqi, taksa që përfiton shteti për shishe është 2 lekë ose 100 lekë për ton. Nëse ky lloj ambalazhi do të bëhet pjesë e sistemit të depozitës, atëherë vërtet shteti do të humbte 100 lekë për ton, po në tregun ndërkombëtar, mbetja e plastikës e pastër shkon deri 600 euro për ton, që duke hequr kostot e sistemit (krijimin, administrimin, fitimin e administratorit të sistemit), buxhetit të shtetit i shkon një sasi e konsiderueshme e të ardhurave, në raport me atë që humb nga taksa e ambalazhit. Gjithashtu, sipas propozuesve, buxhetit të shtetit do t’i shtohet edhe vlera e depozitës së pakthyer, e paguar, e cila llogaritet të jetë rreth 30 % e vlerës totale të depozitës. Për shembull për 1 milion shishe, ku vlera e depozitës për secilën mund të jetë 20 lekë/shishe, 30 % i saj, i cili nuk do kthehet, është 6 milionë lekë, që shkon në pa u prekur në buxhetin e shtetit.

“Shpëtimi” i industrisë

Në relacionin e ligjit thuhet se me këtë projektligj synohet të sigurohet edhe lënda e parë për kompanitë ricikluese vendase, të cilat lëndën e parë e kanë pasur kryefjalën e tyre gjatë debatit për importin e mbetjeve nga jashtë. “Pritshmëri tjetër e këtij procesi është edhe sigurimi i lëndës së parë mbetje kompanive ricikluese vendase. Qeveria, në fillimet e saj, me ndalimin e importit të mbetjeve mori përsipër sigurimin për këto shoqëri të mbetjeve të gjeneruara në vend. Materiali i përftuar në fund të procesit do të jetë mbetje e pastër, vlera e të cilës, qoftë në tregun e brendshëm e qoftë atë ndërkombëtar (bursë), është më e madhe se asaj të kontaminuar me mbetje të natyrave të tjera. Në këtë mënyrë, zbatimi i ligjit në praktikë siguron vazhdimësinë e punës së këtyre shoqërive”, thuhet në projektligj, duke hedhur tutje nevojën e importit.

Qeveria do të rishikojë ligjin e mbetjeve

Pasi kreu i shtetit Bujar Nishani e ktheu për rishqyrtim në kuvend ligjin e integruar të mbetjeve, duket se maxhoranca kërkon të qetësojë situatën dukë përgatitur 3 amendime në ligj. Mësohet se ndryshimet ligjore do të prekin nenin për rolin e Shoqërisë Civile, atë për kuotën kufizuese për kompanitë e riciklimit për sasinë e importeve si dhe nenin për detyrimin e bashkive për të ndarë mbetjet që në burim. Në ligj do të parashikohen fonde për Shoqërinë Civile për të ndjekur monitorimin e importit. Gjithashtu po diskutohet vendosja e një kuote kufizuese për kompanitë e riciklimit dhe detyrimi i bashkive për të bërë ndarjen e mbetjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat