Rama: Pagat rriten në mars, kalojmë 3 shtete në Ballkan

Shqipëria

Rama: Pagat rriten në mars, kalojmë 3 shtete në Ballkan

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 08:01
Kryeministri Edi Rama

Në komunikimin javor që ka bërë dje nga faqja e vet në "Facebook", kryeministri Edi Rama ka folur për angazhimin e qeverisë për t’i shkuar deri në fund reformave që ka nisur dhe premtimit për rritjen e pagave. Rama premtoi se qeveria nuk do presë më, por ka vendosur të rrisë rrogat e pensionet, që Shqipëria t’ia kalojë Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe t’i afrohet Maqedonisë për nivelin e pagës më të ulët. “Besimi se Shqipëria mund të bëhet më ka sjellë në këtë zyrë. Shqipëria ka qenë pa rend ligjor në 20 vite. Me bindjen se Shqipëria duhet të bëhet shtet, po të kishin filluar 20 vite më parë do ishte bërë një vend tjetër”, tha Rama. Si reformën më të thellë, Rama cilësoi atë në drejtësi, për të cilën akuzoi opozitën se është munduar ta ndalojë me çdo kusht.

“Do vazhdojnë ta pengojnë, herë duke e gjuajtur me gurë e herë duke hedhur gurin e duke fshehur dorën”, tha ai. Më tej, kreu i Ekzekutivit tha se kundër reformave për të bërë shtet është qeverisja e vjetër, e cila hedh vazhdimisht baltë. “Erës së ndryshimit i kundërvihen, korente presionesh antireformiste nga më të ndryshmet. Nga një anë rezistenca, inercia e mënyrës së të parit dhe të bërit të gjërave në këtë vend. Nga ana tjetër rezistenca e qendrave të çfarëdollojshme të interesave të prekura, apo të kërcënuara nga ndryshimi që sjellin reformat. Dhe përballë orë e çast, rezistenca e të gjitha shtresave të kalbura të politikës së vjetër që jeton në baltë dhe baltos ku mundet, sa mundet dhe kë të mundet”, shprehet Rama. E ndërsa tha që efekti i reformave ka filluar të ndjehet në Shqipëri, kryeministri shtoi se nuk do të presë më, por duke filluar nga 1 marsi qeveria do japë 100 milionë dollarë për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Duke u krahasuar me 8 vitet e qeverisjes së Berishës, Rama tha se, qeveria është gati t’u japë punonjësve dhe pensionistëve 100 milionë dollarë, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare. “Ulja e taksës mbi rrogën ka bërë që të ndajmë nga buxheti i shtetit rreth 300 milionë dollarë për buxhetet familjare të sektorit privat. Kështu, po të mbledhim kontributin total të një mandati të kësaj qeverie për rritjen e të ardhurave të të gjithë punonjësve në shtet apo në privat, dhe pensionistëve po ashtu, arrin 540 milionë dollarëë, që nga buxheti i shteti është spostuar në buxhetet familjare”, citoi ai, duke përllogaritur se Shqipëria nuk do të jetë e fundit në rajon, për rrogën minimale apo mesatare. “Qoftë ata që marrin rrogë minimale, qoftë ata që marrin rrogë mesatare, kanë taksën më të ulët në rajon, por kanë dhe rrogën më të ulët”. Sipas, tij, niveli i pagës më të ulët në vendin tonë do t’ia kalojë Kosovës, Malit të Zi dhe Kroacisë dhe do t’i afrohet asaj të Maqedonisë, ndërsa do të kenë taksën më të ulët në rajon. “Rroga mesatare do të bëhet më e lartë se sa në Kosovë dhe Serbi dhe do të jetë më afër mesatares në Maqedoni”, ka thënë Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat