Brenda strehimit antibërthamor- Imazhet e tuneleve sekrete të Tiranës

Shqipëria

Brenda strehimit antibërthamor- Imazhet e tuneleve sekrete të Tiranës

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 11:50
Tunelet

Sistemi ajrimi, gjeneratorë, tunele dhe dalje të brendshme nëntokësore në Ministrinë e Punëve të Brendshme (në dy godina të sajat), dalje pranë kinema “Millenium”, dalje pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo vetëm. Një pallat sekret larg syve të publikut e krejt afër qendrës.

Strehimi Antibërthamor poshtë Ministrisë së Punëve të Brendshme, nisi të ndërtohej në vitin 1981 dhe përfundoi më 1986­ën. Dokumenti miratues bashkë me planimetrinë, sigluar si sekret, është firmosur nga ish­kryeministri Mehmet Shehu. 35 vite më vonë, ai do të hapet për publikun e gjerë. Ndërkaq, arkitekti e konsulenti i projektit, Artan Shkreli thotë për “GSH” se tanimë “është faza përmbyllëse e punimeve për aksesibilitetin dhe qasjen e njerëzve në Strehimin Antiatomik në qendër të Tiranës. Ky strehim nuk ishte për njerëzit, ishte për udhëheqjen e lartë, jo vetëm për armë konvencionale, por edhe kundër rrezatimit bërthamor. Si i tillë, me këto dimensione ishte më i madhi që ndodhej në kryeqytet”.

Ambientet janë më shumë se 6 metra nën tokë. Përveç korridoreve, aty gjenden 35 dhoma, të bëra gati për punonjësit e ministrisë dhe udhëheqjen e lartë në rast sulmi. “U vendos të gërmohej një thellësi prej 6 metrash për të parë se deri ku shkonte. Ajo ishte bërë që t’u rezistonte radiacionit dhe bombave të tonazhit të rëndë. Kryqëzimi i tuneleve ishte një pikë nevralgjike”, – thotë Shkreli. Strehimi lidhej me tunele nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, me zonën ku sot gjendet Familja Mbretërore, madje kalonte edhe poshtë bulevardit, për të krijuar lidhje me atë që sot është Ministria e Financave, e më herët ka qenë Ministria e Mbrojtjes. Secili tunel, shënon një dalje nga strehimi për në institucione. Veç strukturave të betonarmesë, daljet bëhen përmes tri dyerve të rënda hermetike me trashësi të konsiderueshme, të cilat pritej të përballonin sulme të rënda, t’i minimizonin fuqitë e tyre e madje të përballonin edhe armë kimike e bomba me fuqi shkatërruese. Të tria dyert kanë gomina që nuk lejojnë depërtimin e agjentëve që mund të shpërndaheshin në ajër.

Tanimë, strehimi po bëhet gati të kthehet në muze të vizitueshëm brenda muajit nëntor. Hyrja në muze do të jetë bunkeri i ri që u dogj nga protestuesit më 8 dhjetor 2015. Arkitekti Artan Shkreli thotë se gjurmët e asaj proteste janë ruajtur, sepse përmes të çarave nga protestat futet dritë.

“Një gazetar francez më tha se asnjë nga bunkerët e ndërtuar për luftë nuk e provoi atë – ndërsa i vetmi bunker i ndërtuar si hyrje e një muzeu, provoi mbi vete ‘luftë’ për të cilën nuk qe përgatitur. Çarjet e krijuara, për koincidencë, i kanë dhënë dritë bunkerin dhe si të tilla janë ruajtur duke vënë edhe xhama që pengojnë hyrjen e shiut. Tanimë ky bunker ka historinë e vet”, – thotë Shkreli. Dalja nga muzeu do jetë pak metra më tutje, me një strukturë betoni që të jep idenë e ngritjes së një tapeti nga toka, për të parë se çfarë ka nën të. “Kjo është një dalje e improvizuar, që të jetë edhe e natyrshme. Harkimi është bërë që të japë idenë e një tapeti, nën të cilin me një gisht e lëviz dhe sheh çfarë ka nën të”, – thotë Shkreli. Kur prezantoi projektin e muzealizimit të “Shtëpisë me Gjethe”, kryeministri Edi Rama tha se: “Ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nëndheun, pasi kryeqyteti ka infrastrukturë ende të pazbuluar dhe ne do ta zbulojmë, ka infrastrukturë të tuneleve të nëndheshme që ishin pjesë e infrastrukturës sekrete”.

Sipas tij, projekti do të finalizohet si një muze i vrimave të së shkuarës, që janë vrimat përmes së cilave mund të penetrohet në infrastrukturën fizike, por edhe psikologjike të vetëdijes sonë, që do të përbëjnë një hartë të mirëfilltë muzeale, duke nisur nga qendra e Tiranës, e në zona të caktuara të nëndheut. Ky strehim u ndërtua nga Ndërmarrja N90 e cila ishte e autorizuar për punime në zonën e Ish­Bllokut dhe në ato të Ministrisë së Mbrojtjes. Shkreli kujton se “gjatë kohës që po ndërtohej ky strehim, zona ishte e rrethuar me dërrasa dy metra të larta dhe se thuhej që po punohej në kanalizime”, ndërsa ekzistencën e tij, vetë arkitekti e ka mësuar në vitet 2000. (GazetaShqiptare)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat