Gjosha: LSI mbështetësja më e madhe e procesit të integrimit

Shqipëria

Gjosha: LSI mbështetësja më e madhe e procesit të integrimit

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 10:23
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha

Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha dhe nënkryetarja e LGI-së, Brunilda Paskali, morën pjesë në një takim me gratë dhe vajzat e LSI, në qytetin e Lushnjes. Qëllimi i këtij takimi është riorganizimi i strukturës në këtë qytet, me synim hapjen e mëtejshme të partisë, shtimin e anëtarësimeve të reja dhe forcimin real të rolit dhe kontributit të gruas.

“Është shumë e rëndësishme që ne të afrojmë më shumë gra dhe vajza, sepse çdo energji e re, çdo frymë e re  i shërben  të ardhmes së LSI. Unë besoj fort se forca e gruas është një nga shtyllat kryesore të LSI-së, e cila ka treguar se nuk i do gratë vetëm për fushatë, por është e para  parti që ka vendosur kuotën 50% në të gjitha instancat e saj drejtuese. Kemi vënë kuotën 50% edhe në këshillat bashkiakë. Dhe kjo është arritje e madhe, por ajo që duam të  bëjmë është që edhe në listat tona parlamentare të kemi 50% gra. Por për këtë duhet punë, duhen kapacitete, duhen njerëz me vizion, të arsimuar, njerëz që  mund të jenë pjesë e këtyre listave, në mënyrë që LSI-ja t’i shërbejë qytetarëve të saj  dhe të ketë një zë të fuqishëm brenda parlamentit”, tha Kryetarja e LGI-së.

Gjosha shtoi se LSI-ja sot është forca politike më konstruktive dhe që i  ofron qytetarëve siguri dhe platforma të bashkëpunimit.

“Ka një mision të jashtëzakonshëm LSI-ja. Është mbështetësja më e madhe e procesit të integrimit. Duke qenë se kam mbajtur postin e Ministres së Integrimit prej 3 vitesh, mund t’ju them se pa LSI-në kjo do të ishte e pamundur. Këtë e ka treguar në 2009-n, në 2013-n dhe së fundmi me reformën në drejtësi e cila u miratua me konsensus, falë punës së jashtëzakonshme të Kryetarit të Kuvendit. Kjo reformë është përshëndetur ndërkombëtarisht dhe kam bindjen se edhe qytetarët e këtij vendi kanë kuptuar shumë. Kanë kuptuar se pa dialog, pa konsensus, pa mirëkuptim mes palëve, Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, tha znj. Gjosha, gjatë takimit.

Gjosha tha se puna e LSI-së, nuk është vetëm  sot për sot, por është  një punë me vizion që do t’i shërbejë të ardhmes së vendit me standarde europiane.

“Që ne të vazhdojmë më tej, që punët e nisura të kthehen në realitet, që ky vend  të ndryshojë dhe fëmijët tanë mos largohen jashtë  Shqipërisë, por ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, ne na duhet mbështetja e qytetarëve. Në këtë kontekst, unë besoj shumë se Lëvizja e Gruas do të jetë një zë shumë i fortë për ta bërë të mundur këtë”, tha znj. Gjosha.

Nënkryetarja e LGI-së, Brunilda Paskali, tha se takime të tilla të bëjnë të kuptosh se sa mbështetje të madhe ka LSI-ja, e veçanërisht LGI-ja.

“Kemi një shtyllë LGI-je të fortë dhe kjo duhet të na bëjë që çdo problematikë që kemi ta zgjidhim midis nesh. Nuk mund të presim që një burrë të na i zgjidhë problemet tona, duhet të kuptohemi dhe të bashkëpunojmë midis nesh. Lëvizja Socialiste për Integrim është pikërisht vendi ku gratë dhe vajzat kanë mundësinë të bëjnë  karrierë politike. Ato që dëshirojnë ta bëjnë këtë karrierë, që kanë ambicien e mirë për të ecur përpara, nuk kanë ku të gjejnë një vend tjetër më mirë se sa LSI-ja”, tha Paskali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat