Fermeri ankohet, Rama: Të legalizohet godina, ose ikën drejtori i ALUIZNI-t

Shqipëria

Fermeri ankohet, Rama: Të legalizohet godina, ose ikën drejtori i ALUIZNI-t

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 09:41
Kryeministri i Edi Rama

Kryeministri i Edi Rama prezantoi dje programin e bujqësisë me fermerët e Gjirokastrës, ku u njoh dhe me shqetësimet e tyre. Në bashkëbisedim e sipër një fermer iu ankua kryeministrit për legalizimin e më pas hipotekimin e stallës. Sipas tij, po bëhen padrejtësi për pagesat, duke theksuar se po paguan tarifa të shtrenjta. Kryeministrit që i kërkoi drejtorit të ALUIZNIt të Gjirokastrës menjëherë të njihet me çështjen dhe ta zgjidhë deri ditën e hënë. Madje kryeqeveritari kërcënoi drejtorin e ALUIZNI-t të Gjirokastrës se, nëse halli i fermerit nuk zgjidhet deri të hënën, të martën do kryejë zëvendësimin e tij.

“Tarifa është 2 qind lekë për metër katror për tokën dhe vlen për biznesin, jo për shtëpitë. Juve ju bie të paguani me 2 qind lekë metri katror. Janë 4 milionë lekë të vjetra për gjithë stallën, kjo puna e tenderit po i bëre llogaritë kështu nuk i fiton. Të hënën drejtori do të të bëjë legalizimin. Kush ka stallë të tillë, do ta legalizojë të hënën”, iu drejtuar Rama fermerëve. Më tej kryeministri i drejtohet drejtorit të ALUIZNI-T: “T’i zgjidhësh hallin se nëse nuk e zgjidh deri të hënën, të martën bëhet ai drejtor ALUIZNI. Ti moshën e ke për pension, por punon sa 10 drejtor, u kuptuam? Të hënën të mbyllet historia me këtë llogari, se mos shkon me ndonjë llogari tjetër!”, tha Rama. Ndërsa shqetësimit të një fermeri, i cili tha se është gangrenë për ta tregtimi i mishit dhe kullotat në dimër, kryeministri iu përgjigj:

“Po bëjmë një program të veçantë për akset e prodhimit. Nuk të premtoj se do e bëjmë nesër por me siguri në momentin e parë kur ne do fillojmë, vitin e ardhshëm do shtrihemi jashtë qyteteve, filluam nga qendrat e lagjet e qyteteve dhe do të futemi edhe në rrugët në funksion të prodhimit. Ju keni një ekonomi lokale shembullore që na detyron të bëjmë diçka”. Në fund Rama ka thënë se problemet që ka sot fermeri shqiptar janë të trashëguara nga qeverisja e keqe e këtyre 25 viteve. “Këto janë kostot e 25 vite e kusur që jetonim pa shtet, sa mund, sa durim ju duhet që të mbijetoni duke rritur farën e grurit, derisa të bëhet prodhimi. Imagjino të merrni prodhimin nga një kec i sapolindur. Imagjino të marrësh fitimin tij. Kështu dhe ne që duhet të bëjmë gjithçka atë që nuk u bë në 25 kusur vite. Imagjinoni që këto reforma të ishin bërë 25 vite më parë, nuk do ishim këtu. Ja ata u çuditën që në universitet duhet të shkosh me meritë. U çuditën ata, se për vite me radhë u krijua kjo mendësi”, përfundoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat