Basha i ankohet Merkelit: Rama i lidhur me drogën, zgjedhjet në rrezik

Shqipëria

Basha i ankohet Merkelit: Rama i lidhur me drogën, zgjedhjet në rrezik

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 15:40
Pamje nga takimi

(E plotësuar) - Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Samitin e PPE që u mbajt në Maastricht, Holandë, ku ishte e pranishme dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Basha mësohet se ka shprehur shqetësim se te ardhurat e drogës do të përdorën, siç ndodhi në zgjedhjet e mëparshme,  për të blerë vota. Ai kërkoi mbështetje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri në qershor të 2017-ës.

“Për fat të keq një nga temat që dominoi në këtë samit ishte Shqipëria, problemi i jashtëzakonshëm i drogës, i krimit dhe i rrjedhojat që kjo ka për stabilitetin  ne vend dhe ne rajon. Në këtë kuadër jo vetëm prezantimi që unë bëra për situatën e jashtëzakonshme sa i përket kultivimit dhe narkotrafikimit por edhe informacionet e dhëna nga personalitetet e pranishme në këtë samit, që nga presidenti Daul, përfaqësuesit e komisionit etj, tërhoqën vëmendje të madhe dhe u bënë subjekt i diskutimit të hollësishëm”, tha Basha.

Sipas tij, është e qartë se ajo që qeveria Rama përpiqet ta mbajë të fshehur, ta mohojë brenda Shqipërisë, tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë është kthyer në një problem të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Më tej, kreu i PD, u shpreh se kjo situatë është pasojë e kriminalizimit të shtetit nga Edi Rama dhe lidhjeve të tij me trafikantët.  Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit lidhet me projektin e tij për t’i përdorur kriminelët dhe trafikantët për të deformuar vullnetin e votuesve, tha ai.

“është pikërisht moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit që mban Artur Bushin në Krujë, Elvis Roshin në Kavajë, me dhjetëra, me qindra të inkriminuar anembanë administratës shtetërore, në Policinë e Shtetit, në dogana, në tatime, në drejtori të ndryshme. Dhe janë këta individë me përkrahje e mbështetje dhe mbrojtje nga Edi Rama që kanë bërë të mundur shumëfishimin e sipërfaqes me drogë nga viti i kaluar në këtë vit dhe kthimin e Shqipërisë, siç u përmend sot në këtë samit, në hambarin më të madh të drogës në Europë, në Kolumbinë e Europës”, vijoi ai në PPE.

***

Basha në samitin e PPE: Droga, kërcënim për stabilitetin e rajonit dhe Europës

Për  Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha çështja e drogës është një prej shqetësimeve kryesore të partnerëve europianë.  Në samitin e partive popullore europiane, Basha tha se lidhjet e qeverisë me kartelin e drogës janë kthyer në një kërcënim serioz për stabilitetin dhe demokracinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe atë të rajonit dhe Europës.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike me paratë e drogës po tentohet blerja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndaj dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është një ndër masat emergjente që duhen ndërrmarrë për të prerë tentakulat e krimit.

Kultivimi masiv i drogës në Shqipëri tha Basha po rrezikon seriozisht lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Kreu i demokratëve tha se pa larguar Kryeministrin Rama, Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat