Alket Rizai do lirohet: Ja historia e bandës që tronditi Greqinë

Shqipëria

Alket Rizai do lirohet: Ja historia e bandës që tronditi Greqinë

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 11:03
Alket Rizai

Gjykata greke e Lamias ka dënuar me 10 vite e 8 muaj burg shtetasin shqiptar, Alket Rizai, për akuzën e mbajtjes peng të 5 zyrtarëve të Burgut të Malandrinos, në Fokidha të Greqisë qendrore, më 17 mars të vitit 2013, bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij me qëllim që të arratiseshin.

Sipas Top Channel, me 10 vite e 8 muaj burg secili janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, si dhe me heqjen e të drejtave politike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur për 5 vite.

Avokati i tij personal, Sakis Kehajoglou ka deklaruar ekskluzivisht për Top Channel se ky është një nga vendimet e fundit për veprat penale, për të cilat akuzohet Alket Rizai.

I pyetur se përse klienti i tij ka deklaruar në sallën e gjyqit se “nuk jam as shenjtor, as djall. Nëse më dënoni ose jo, për 1 vit e gjysmë do të jem i lirë”, Kehagioglou ka thënë se Alketi ka mbledhur të gjithë dënimet ndaj tij, përfshi dhe burgimin e përjetshëm, dhe sipas ligjeve greke duke zbritur kohën që ka qëndruar në burg, ka llogaritur se për një vit e gjysmë ose diçka më shumë do të jetë përsëri i lirë.

Referuar Kodit Penal të Greqisë dhe konkretisht nenit 105, burgimi i përjetshëm nënkupton maksimumi 20 vite burgim.

Por kur kryhet 3/5 e denimit, nisin procedurat për lirimin me kusht.

Po ashtu, Kodi Penal i Greqisë, parashikon që pavarësisht numrit të dënimeve që një person mund të ketë, ato unifikohen në një të vetëm.

Në gjyqin e zhvilluar në Lamia, Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet e tij të bujshme, sidomos ajo me helikopter nga Burgu i Korridhalosë, ka pohuar para trupit gjykues se nuk kishin ndërmend që të plagosnin apo vrisnin punonjësit e burgut që morën peng, ndërsa ka thënë gjithashtu se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, që po i konsumonte për herë të parë.

Ndërkohë më poshtë gjeni të plotë një shkrim të publikuar nga BBC dy vjet më parë, ku rrëfehet historia e bandës së Vassilis Paleokostas dhe Alket Rizait.

Historia e Robin Hudit grek

Një rrëfim befasues dhe i jashtëzakonshëm për jetën e Vassilis Paleokostas, njeriut më të kërkuar në Europë

Nga Jeff Maysh, BBC

Grabitjet nisën sërish të mërkurën.

Një person i maskuar po ngiste një furgon të vjedhur nëpër rrugët e qeta të Aspra Spitia-s në Greqinë qendrore.

Pasi parkoi përpara një dege të Bankës Kombëtare, ai hyri brenda me një AK- 47 në dorë.

Urdhëroi stafin që të hapte ATM-në dhe mori prej andej 150 mijë euro. Më pas mori edhe 100 mijë euro nga kutitë e parave cash dhe pas pak çastesh ishte zhdukur.

Ishte shkurti i vitit 2010 dhe ekonomia në Greqi ishte në një krizë, e cila për shumëkënd ishte shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i bankave.

Një person kishte vendosur që t’i bënte të paguanin.

Në tetor, mendohet se ai vodhi dy banka në të njëjtën ditë.

Në Eginio, pranë Selanikut, një hajdut hyri përmes dritareve të Bankës Kombëtare, më pas bëri të njëjtën gjë me Bankën Bujqësore pak më poshtë kësaj rruge, duke u arratisur me 240 mijë euro.

Dhe për shkak se askush nuk u dëmtua- diçka e pazakontë për grabitjet në Greqi- autoritetet vendase arritën në përfundimin: “Ishte me shumë gjasë një vepër e Vassilis Paleokostas”.

Me një karrierë në krim, të zgjatur në tre dekada, personi i njohur për shumëkënd si Robin Hudi i Greqisë, kishte marrë miliona nga bankat shtetërore dhe kishte rrëmbyer industrialistë, ndërkohë që u shpërndante vullnetarisht paratë njerëzve në nevojë.

Edhe pse ai ndryshon nga disa prej banditëve më të famshëm- Ned Kelly apo Billy the Kid- duke pretenduar se nuk ka dëmtuar askënd gjatë veprimeve të tij, ai mbetet një nga personat më të kërkuar në Europë.

Një nga ish- shokët e tij të qelisë, Polykarpos Georgiadis kujton: “Kriminelët vjedhin çanta nga gratë e moshuara. Vassilis ishte në një tjetër nivel: ai ishte i pranuar në shoqëri si bandit dhe si hero”.

Por pikërsht si tek Robin Hudi origjinal, Vassilis Paleokostas përbuzet nga autoritetet si një terrorist i dhunshëm dhe gazetarët grekë shpesh kanë qëndruar për çudi larg të rrëfyerit të historisë së tij të pabesueshme.

I lindur në vitin 1966, Paleokostas u rrit në fshatin Moschofyto, një zonë e largët në malet e mbuluara me dëborë në qendër të Greqisë.

Atje ai shihte se si babai i tij kulloste dhitë dhe ai u rrit duke pasur idhull vëllain e madh, Nikos.

Fshatarët e kësaj zonë njihen ndryshe edhe si heronjtë, shpjegon At Panayiotis, prifti i zonës, jo vetëm sepse u kanë mbijetuar kushteve të ashpra të maleve, por sepse e bëjnë këtë gjë pa pasur këpucë.

“Vassilis mund të ketë qenë hajdut, por kurrë një kriminel,” thotë Panayiotis.

Në këtë zonë, banditët si Vassilis- që vjedhin për të ushqyer të dashurit e tyre, nuk shihen gjithmonë me sy të keq.

Kur dëbora ishte shumë e dendur, Nikos e mbante Vassilis në shpinë për mbi tre milje deri në shkollën më të afërt. Atje, prifti e vendoste djaloshin që po ngrinte përpara sobës, para se të nisnin mësimin.

Në vitin 1979, familja u zhvendos në qytetin e Trikalas. Nikos, 19 vjeç, u largua nga shtëpia për të gjetur punë tek anijet dhe Vassilis, vetëm 13 vjeç, po mundohej që të zinte vendin e vëllait.

Babai i tij, Leonidas, kujton: “Ai nisi punë në një fabrikë djathi për dy vite. Ishte një djalosh i qetë dhe i turpshëm”.

Përmes dritareve të fabrikës, Vassilis shihte ekonominë greke duke u rritur dhe të pasurit duke u bërë më të pasur, ndërsa vendi po i afrohej gjithmonë e më shumë Bashkimit Europian.

Një pasdite, ai doli nga fabrika e djathit dhe nuk u kthye kurrë.

“Vassilis vuante nga shfrytëzimi kapitalist i pronarëve, duke punuar si një skllav në fabrikë,” thotë shoku i tij, Georgiadis. “Kështu që u kthye kundër pronarëve”.

“Si një djalë i rritur në mal, ai nuk kishte asnjë aftësi tjetër përveçse të vidhte për të jetuar,” thotë At Panayiotis, me bujarinë karakteristike ndaj ish- vogëlushit të tij.

Mes vitit 1979 dhe 1986, Vassilis dhe vëllai i tij, Nikos, që nuk kaloi shumë kohë në det, mendoheshin si përgjegjës për 28 grabitje, kryesisht video- regjistruesa.

Vassilis u fiksua pas filmave aksion, shpesh duke qendruar gjithë natën zgjuar, i fiksuar pas betejave të Rocky-t, muskujve të Schwarzenegger dhe arratisjes së Clint Eastwood nga Alkatrazi.

Rreth kësaj kohe, hajduti i ri u takua me një shpirt të ngjashëm, që do kishte më vonë një ndikim të madh tek ai.

“Vassilis ishte thjesht një hajdut i vogël,” thotë Dimitrios Gravanis, një ish- polic i qytetit, “derisa u takua me Costas Samaras, të njohur ndryshe edhe si Artisti”.

Më i madh në moshë dhe më i sofistikuar se djemtë Paleokostas, Samaras ishte një mjeshtër që aspironte krimin, i cili kishte studiuar për dizajn dhe i planifikonte grabitjet duke i vizatuar me detaje.

Së bashku me Artistin ata nisën që të vjedhin argjendari dhe banka.

Gravanis kujton vjedhjen e tyre të parë si trio.

“Vassilis u ngjit në majë të një kodre dhe qëlloi me armë që të tërhiqte vëmendjen e policëve. Por ata kishin vendosur një furrë të madhe industriale përpara derës së tyre”.

U deshën disa minuta të rëndësishme që policët të dilnin nga rajoni i tyre i policisë dhe në këtë kohë, Artisti dhe Nikos e kishin kapur argjendarin.

“Kur më në fund policët hipën në makinat e tyre, ata kishin vendosur në rrugë thumba që të shponin gomat. Që nga ai moment, më lindi ambicia që të shihja këta djem në burg”.

Detektivi me mustaqe ishte person që mendonte dhe që preferonte të përdorte trurin në vend që të rrihte të dyshuarit që të rrëfeheshin.

“Kam humbur shumë gjumë për vëllezërit Paleokostas,” kujton ai.

“Punoja gjithë natën dhe kur kthehesha në shtëpi në mëngjes, gruaja ime po shkonte në punë”.

Por Paleokostas ishte e pamundur që të kapej për një arsye- ai ua jepte paratë të varfërve.

Gravanis shpjegon: “Ai i thoshte një fermeri ‘vrit një derr për mua që të ha’ dhe në vend që t’i paguante 10 dhrahmi, i linte 1 mijë”.

Në vitet 1980 pati një seri vjedhjesh në banka dhe Vassilis i shpërndante pasuritë tek ata që ofronin strehë për të.

“Vassilis ishte thjesht një djalosh, që ishte i interesuar se si t’i bënte përshtypje vëllait të tij, Nikos dhe gjithmonë i dëshpëruar për të qenë pjesë e një grabitje të vërtetë,” thotë Gravanis.

Inflacioni masiv në Greqi bëri që çmimi i një birre të katërfishohej mes viteve 1985 dhe 1992. Publiku kishte gjithmonë e më pak besim tek qeveria dhe ishte kritik me korrupsionin brenda bankave shtetërore. Kjo shtoi ndjeshëm numrin e atyre që ishin gati të bënin tifo për vëllezërit Paleokostas.

Nisi kështu një erë e re ‘macja me miun’ mes policëve dhe hajdutëve.

Në prill të vitit 1990, Paleokostas u arrestua ndërsa po tentonte që të shpëtonte vëllain e tij nga burgu në Larisa, duke ngarë një kamion- cisternë përmes murit. Ai u burgos, por jo për shumë.

Në janar të vitit 1991, ndërkohë që presidenti amerikan George Bush nisi operacionin “Desert Storm” me sulme ajrore në Irak, ai ishte i zënë duke u arratisur nga burgu Chalkida, duke përdorur çarçafët e krevatit për të ngjitur murin. Por pavarësisht pasurisë që kishte, Vassilis preferonte të jetonte si fshatar, duke shpenzuar vetëm atë që kishte nevojë.

Ai nuk përdorte makina të shtrenjta, vetëm për rastet kur i duheshin për arratisje. Një nga pak pasuritë e shtrenjta që vlerësonte ishte një kryq i artë misterioz, që tundej në qafën e tij. Më vonë do bëhej edhe çelësi për të paktën një arratisje të sukseshme.

Ai që ndryshoi lojën

Në vitin 1992, ata planifikuan një grabitje- më të guximshmen që ishte bërë ndonjëherë, nga kodrat e Meteoras, një zonë shkëmbore, e rrethuar me manastire me pamje mbi terrakotat e Kalambakas.

Kjo zonë, e banuar prej 50 mijë vitesh, tradicionalisht ka qenë vendi ideal për hermitët, banditët dhe të arratisurit si puna e Palekostas dhe bandës së tij.

Është një qytet i vogël- banka është jo shumë larg stacionit të policisë- por hajdutët duket se e shijonin idenë që do i bënin policët që të dukeshin si budallenj. Ndërkohë që Nikos vëzhgonte me dylbi, Artisti bënte skicat e qendrës së qytetit mbi një letër.

Vassilis bërtiti “Duart lart”- ndërsa të tre hynë në bankë, të veshur me kostume, me syze dielli dhe automatikë në duar.

Ndërkohë që Artisti po bllokonte rrugën e policëve me një kamion të vjedhur, një arkëtar shtypi alarmin e fshehur përpara se të hapte kasafortën.

Ekonomia greke ishte në turravrap, bankat ishin të mbushura me para të marra borxh. Brenda kasafortës kishte më shumë se ç’prisnin ata. Shumë më tepër. Vassilis falenderoi Zotin dhe nisi të mbushte çantat.

Më pas erdhën sirenat. Ndërkohë që grupi po largohej me një makinë të vjedhur drejt maleve të fëmijërisë, policia iu ishte vënë pas.

Vassilis mbushte duart me para dhe i hidhte nga dritarja e makinës. Në rrugë u krijua një kaos. Brenda tre minutave, 125 milionë dhrahmi, të vlefshme sa 360 mijë sterlina në atë kohë, ishin vjedhur nën hundën e autoriteteve.

Mbetet vjedhja më e madhe e parave cash në historinë greke dhe ndoshta e vetmja që është ndarë me kalimtarët.

“Ata vodhën makinën Nissan të një djali vendas për të ikur drejt maleve,” kujton Gravanis. Por Paleokostas ia ktheu pronarit me 150 mijë dhrahmi nën tapet. “Për çudi, ata e kishin larë makinën për të,” tha detektivi.

Banorët e kësaj zone akoma e kujtojnë me dashuri Palekostas-in.

“Ai nuk fliste kurrë shumë,” kujton një zonë e moshuar në një kafene. “Por kishte gjithmonë një buzëqeshje prej qerratai”.

Aktiviteti i bandës bëri që bankat të shtojnë sigurinë dhe kartat e kreditit nisën që të zëvendësojnë paratë cash, në mënyrë që vjedhja në Kalambaka të mos përsëritej më. Ndoshta për këtë arsye, Palekostas vendosi që të mos grabisë banka për njëfarë kohe.

Një histori thotë se ai hapi një fabrikë djathi në Bullgari, të tjerë thonë se hapi disa dyqane në Holandë.

Çfarë dimë me siguri është se pak kohë më vonë ai u kthye duke rrëmbyer industrialistë të pasur dhe duke kërkuar shpërblim për lirimin e tyre.

Të premten, më 15 dhjetor të vitit 1995, miliarderi Alexander Haitoglou la vilën e tij luksoze në Selanik dhe u nis për te fabrika, ku punëtorët prodhonin hallvë, një ëmbëlsirë tradicionale greke.

Makina e tij u detyrua që të dilte nga rruga dhe vëllezërit Palekostas e rrasën në një Jeep të fuqishëm.

Vassilis kërkoi 260 milionë dhrahmi (rreth 714 mijë sterlina në atë kohë dhe rreth 1.2 milionë sterlina me paratë e sotme) për lirimin e tij.

Tajkuni pranoi më vonë: “Ishte një rrëmbim i mirëmenduar. Sjellja e rrëmbyesve të mi nuk ishte e keqe. Nuk isha i frikësuar për veten. Në fakt më kanë shijuar disa biseda me rrëmbyesit”.

Pasi rikthimit të tij shëndoshë e mirë, një gazetë ulërinte në kryeartikull: “Ata hëngrën 260 milionë hallva”.

Policia greke u kundërpërgjigj duke vendosur një shifër të pabesueshme prej 250 milionë dhrahmi për kokën e Palekostas, duke i quajtur grabitësit “profesionistë të pamëshirshëm, që praktikojnë krimin e organizuar në një shkallë të paprecedent në vendin tonë”.

Por ai vazhdoi jetën e tij prej Robin Hudi duke u dhënë para fermerëve vendas dhe të pastrehëve.

“Ai u dha 100 mijë dhrahmi disa vajzave jetime, që duhej të martoheshin,” thotë babai i tij.

Në fshatrat greke, vajzat nuk mund të martoheshin pa një pajë dhe në disa fshatra kjo traditë ka mbetur edhe sot.

Por, si zakonisht, Palekostas jepte më shumë se sa duhej, pasi nëse pretendimet e babait janë të vërteta, 100 mijë dhrahmi janë një shumë e madhe.

Paleokostas kaloi tre ditë duke iu fshehur autoriteteve, duke jetuar si i arratisur në kodra.

Por ndonjëherë, i maskuar, ai dilte për gara me makina.

Gravanis, ish- detektivi, e kujton: “Më në fund e kapëm Vassilis pasi përplasi makinën e tij. Ishte në ekstazë, duke tymosur diçka dhe shkaktoi aksident”.

Njerëzit nxituan që të thërrasin ambulancën, por hajduti iu lut atyre: “Mos tregoni kush jam. Jam Vassilis Palekostas”.

Më 20 dhjetor 1999, qendra e telefonatave të urgjencës u tha policëve: “Ne kemi një person këtu që ka një plagë në kohë- ai mendon se ai është njeriu më i kërkuar në Greqi”.

Jeta brenda

Burgu i Korfuzit ngjante si në filma, një grumbull me gurë të zymtë në majë të një shkëmbi me pamje nga deti Jon.

Ushqimi ishte i shpifur, qelitë e gurta ishin të mbipopulluara dhe sapo mbërriti, Vassilis Paleokostas u kujtua se si jetonte këmbëzbathur në male.

“Më duhet të gjej këpucë për shokët e mi,” i tha ai një predikuesi që e vizitoi, i cili e ndihmoi me qindra palë këpucë për të burgosurit e zbathur.

Por koha që kaloi në burgun e Korfuzit nuk ishte e mbushur me vepra të mira. Në maj të vitit 2003, rojet e burgut gjetën në qelinë e tij një plan të detajuar të burgut dhe menjëherë e transferuan atë në burgun e sigurisë së lartë Korydallos pranë Athinës.

Një nga burgjet më famëkeq në Europë, Korydallos ishte shtëpia e vrasësve, kriminelëve të luftës dhe terroristëve.

Pak pasi kishin kaluar gjashtë vite nga dënimi i tij me 25 vite për rrëmbim dhe vjedhje bankash, Paleokostas u bë mik me Alket Rizain, një vrasës me pagesë i dëshpëruar nga Shqipëria.

“U deshën 20 ditë që të hartonim planin tonë të arratisjes,” më tha Rizai në një telefonatë nga burgu i Patras.

“Vassilis ishte shumë i vendosur për të ikur,” thotë një burrë, i njohur si Kujdestari, një drejtues i ashpër burgjesh në Greqi, me një reputacion fantastik.

“Për shembull unë e kuptova që kryqi i tij i artë në varëse ishte në gjendje që të hapte prangat. Po ashtu një ditë zbulova një dosje brenda kutive të makaronave të tij”.

Por në vend që t’ia merrte këtë dosje, Kujdestari e la që ai ta fuste në qeli dhe e vëzhgonte me kënaqësi se si po progresonte ai.

“Hiqni armët,” u tha Paleokostas gardianëve kur më në fund arriti që të dilte nga godina. “Dua ta mbaroj këtë punë si burrat”.

Kur arriti tek një qoshe e oborrit, aty e priste Kujdestari.

Nën dritat e prozhektorëve u shkëmbyen disa goditje dhe më në fund i burgosuri ishte mposhtur.

Kujdestari shpjegon: “Ai e përdorte varfërinë si një justifikim për t’u bërë kriminel. Madje nisi që të besonte edhe këtë mitin e Robin Hudit”.

Më 4 qershor të vitit 2006, Paleokostas kishte kaluar 2358 ditë në burg.

Në orën 18:15, pranë Athinës, piloti i një helikopteri tregtar, i quajtur Karikis, po hipte në Eurocopter-in e bardhë AS355N.

Ish- piloti ushtarak ofronte udhëtime për kënaqësi për firmën Airlift, por pesë minuta pasi ishin ngritur një ajër, një nga dy pasagjerët i vuri një armë në qafë.

Udhëtimit për kënaqësi i erdhi fundi, shpjegon ai. Ishte Nikos Palekostas, tha ai. Dhe ai do shpëtonte vëllain e tij.

Brenda dhjetë minutash, helikopteri mund të shihte burgun Korydallos dhe e reduktoi shpejtësinë në 70 milje për orë.

“Ne shqyrtuam mundësinë për të punësuar një pilot, por një pilot i frikësuar është më mirë,” tha Rizai- një pilot i trembur është i përgatitur për të ndërmarrë më shumë rreziqe.

Rojet e burgut, duke menduar se ishte ndonjë autoritet i burgjeve që po arrinte për një inspektim të beftë, rregulluan uniformat. Ndërsa helikopteri u ul në oborrin e stërvitjes jashtë Krahut E, rotorët ngritën në ajër një stuhi me pluhur ngjyrë kafe.

Piloti bërtiti: “Ata kanë granata. Ata kanë eksplozivë”.

Një rojë ulëriti: “Arratisje, arratisje”. Ajo kishte filluar tashmë.

Pak momente më vonë, Vassilis Paleokostas dhe Rizai hipën në helikopter dhe ai u ngrit në ajër. Rojet drejtuan armët, por nuk qëlluan sepse e dinin mirë se ç’do ndodhte.

Burgu është në një zonë rezidenciale me pemë portokalli dhe fëmijët po gjuanin topin në muret e burgut.

Rizai shpjegon: “Qëllimi përfundimtar në një arrati nga burgu është që të largohesh me stil dhe të thuash “Gëzuar” dhe “Bravo” ndërsa largohesh”.

Në Skisto, në veri të Athinës, helikopteri u ul me qetësi në një varrezë të shkretë. “Ia dolëm,” tha Vassilis i gazuar, duke përqafuar të vëllanë.

Ata i dhanë ca tespije për qetësim pilotit të tmerruar dhe në sfond u shfaqën dy motoçikleta. Paleostas dhe Rizai ishin nisur për në rrugën e gjatë të lirisë. Ata mbanin akoma të veshura rrobat e burgut.

Të dielën në mëngjes, stacioni i policisë në Trikala ishte gjithmonë bosh. Por atë natë, Dimitrios Gravanis po merrej sërish me çështjen e madhe. Kur makina e teleksit nisi të punonte, Gravanis e grisi me shpejtësi fletën dhe nisi të qeshte.

Deklarata nga Ministria e Rendit Publik theksonte: “Ne besonim se ishim shumë pranë Nikos Paleokostas. Por dukej se ai ishte më afër nesh”.

Në arrati

Pas arratisjes nga burgu në vitin 2006, Alket Rizai dhe Nikos Palekostas u kapën shpejt, por Vassilis u zotua që do e vazhdonte historinë e tij të krimeve.

Më 9 qershor 2008, ai rrëmbeu George Mylonas, një miliarder- manjat alumini, që kishte zemëruar të varfrit në vend duke deklaruar se “punëtorët duhet të shtrëngojnë rripat”.

Por Mylonas tha për rrëmbyesit e tij: “Ishin të sjellshëm dhe më trajtuan mirë”.

Paleokostas madje i blinte atij gazetën çdo mëngjes dhe e përshëndeste përzemërsisht: “Çfarë thuhet Georgi?”- përpara se ta linte që të ngiste nëpër oborr një BMW të vjedhur.

Shuma që kërkohej për lirimin e tij ishte 12 milionë euro.

Në fakt autoritetet greke arritën që ta gjurmojnë Paleokostas në shtëpinë ku mbahej Mylonas. Atje, më 2 gusht 2008, ndërkohë që i arratisuri po pinte një gotë me alkool dhe po bëhej gati që të shihte diçka në DVD, një skuadër e forcave speciale hyri me forcë duke shkatërruar derën.

Policia gjeti një kopje të filmit të Al Pacino, “Heat”, që tregon historinë e dy veteranëve në vjedhjen e bankave, që shmangin policinë.

Ai kishte qenë 791 ditë në arrati kur u kap dhe policët ishin të lumtur.

“Kapja e shpejtë e Vassilis Paleokostas, një nga kriminelët më famëkeq në vend, është një shtysë e nevojshme për moralin dhe imazhin publik të policisë greke,” thuhej në një kabllo të konsullatës amerikane në Selanik për Sekretarin e Shtetit në Uashington, publikuar më vonë nga Wikileaks.

Malcolm Brabant, në atë kohë korrespondent i BBC-së për Greqinë, raportonte: “Për herë të parë në dy dekada, policia greke ka qeshur e fundit në një betejë të gjatë me famëkeqët, vëllezërit Paleokostas”.

Nuk dihet se si i shpenzonte Paleokostas paratë e marra, por në një seancë gjyqësore ndaj tij në vitin 2009 në Athinë, ku u ngritën akuza të reja për rrëmbim dhe grabitje, një turmë u mblodh jashtë gjykatës.

Fermerë, fshatarë dhe anarkistë thërrisnin: “Vdekje derrave! Liri për vëllezërit Paleokostas!”.

Një grup me vajza të reja pushtuan sallën e gjyqit, duke u sjellë si një klub fansash të një idhulli të muzikës pop, siç do shkruante më vonë një gazetë tabloide.

Në këtë kohë, e dashura magjepsëse e Alket Rizait, Soula Mitropia, bëri bujë në sallën e gjyqit.

Ndërkohë që Rizai kthehej në gjykatë për t’u dënuar me 25 vite, ajo në mënyrë teatrale nisi të dëneste dhe i hodhi krahët rreth tij. Kur askush nuk po shihte, ajo i futi një orë misterioze në xhep.

Gjykatësi e dërgoi Paleokostas në qelinë e tij të vjetër në Korydallos, së bashku me Alket Rizain, në pritje të dënimit.

Banditi, i mposhtur, i tha gjykatës: “Unë luajta dhe humba. Policët janë fitimtarë”.

Në rrugët e Athinës, anarkistët po mbanin zi për fundin e tij të lavdishëm.

Por në dramat greke njihet edhe ‘peripeteia’, kur ngjarjet marrin një kthesë të papritur. Aristoteli thotë se ai është momenti më i fuqishëm i saj.

Dhe ajo që ndodhi më 22 shkurt 2009, do e bënte Vassilis Paleokostas të famshëm në mbarë botën.

Kjo do sillte krijimin e një faqeje në Facebook me mbi 50 mijë anëtarë dhe do frymëzonte një këngë popullore: “Vassilis është i paprekshëm dhe metodat e tij të arratisjes të pamposhtura; Vassilis, ti je i pakapshëm”.

Fluturimi i dytë

Për rojet që po shihnin kamerat e sigurisë, ai mëngjes ishte si çdo mëngjes tjetër.

Paleokostas po bënte palestër dhe Rizai po përzgjidhte fituesit në një lojë me baste.

Rizai kujton: “Jam një njeri që ka intuitë. I ndjej gjërat, kur diçka e mirë do të ndodhë, e ndjej”.

Në orën 15:00, Mitropia i telefonoi në orën- celular që i kishte futur në xhep kur ishin në gjykatë.

Ishte momenti.

Sirena e urgjencës në burgun Korydallos nisi të vajtonte si një violinë, ndërkohë që rojet urdhëruan të burgosurit të futeshin brenda. Ishte ora 15:45, një ditë përpara se të niste gjyqi ndaj Paleokostas.

Sipër në qiell, një rojë nga kulla po ndjente zhurmën e helikave.

Kur helikopteri i ul në krahun e djathtë të brugut, roja kapi automatikun dhe i ra alarmit.

Nuk ishte një stërvitje, këtë herë ata duhet të qëllonin për të vrarë.

Helikopteri ishte rrëmbyer nga një kompani e quajtur Interjet, që ofronte helikopterë me qira. Motoja e tyre për klientët ishte: ‘një arratisje e zgjuar’.

Në bordin e helikopterit AS355N kishte hipur një bukuroshe e quajtur “zonjusha Alexandrova”.

Pasi nxori një granatë dore nga çanta, i tha pilotit: “Le të shkojmë të marrim djemtë. Burgu Korydallos ose do vdesësh”.

Duke tundur një mitroloz, ndërkohë që helikopteri fluturonte mbi burg, ajo u hodhi poshtë Alket Rizait dhe Paleokostas-it një shkallë prej litarësh. Ajo grua mendohet se ishte Mitropia.

Një roje i dëshpëruar u vu pas tyre, por shqiptari nxori një hell qebapësh dhe e paralajmëroi: “Tërhiqu ose do të ta ngul”.

“Të ikim,” bërtiti Paleokostas dhe piloti e ngriti levën në maksimum dhe helikopteri i ngrit lart.

Poshtë në burg dukej sikur ishte një turmë me tifozë në një ndeshje futbolli, të dënuarit përshëndesnin dhe brohorisnin.

Por sapo u mbyll dera e helikopterit, tre roje kapën automatikët e tyre MP5 dhe nisën të qëllojnë, duke goditur me mbi 30 plumba helikopterin.

Një prej tyre ra në depozitën e karburantit, që nisi të shpërndahej në kabinë dhe piloti nisi që të thoshte një lutje.

Në të njëjtën kohë, një grua nga një apartament aty pranë nisi të regjistronte me kamera një video që është kthyer në hit në YouTube.

“Ia dolëm sërish,” tha i ngazëlluar Paleokostas. “Edhe pse na qëlluan, plumbat nuk kapën askënd”.

Por shigjeta e karburantit po binte dhe helikopteri u detyrua që të bënte një ulje emergjence.

Sërish në Trikala, detektivi Gravanis po lexonte lajmet për arratisjen e tyre në sistemin e teleksit.

“Nuk dija ç’të bëja veçse të qeshja,” thotë ai.

Telenovelat në mbarë televizionet greke u ndërprenë për lajmin e arratisjes.

Për herë të dytë, i gjithë kombi fliste për aventurat e Vassilis Paleokostas.

Paleokostas, Rizai dhe Mitropia ishin sërish në arrati.

Një natë, në një fshat pranë Koziakas, jashtë Trikalas, një i huaj trokiti në derën e një familje të varfër. Babai kishte probleme serioze me shëndetin dhe ishin shumë të varfër për ta trajtuar.

Personi futi një zarf me 10 mijë euro poshtë derës dhe u arratis në errësirë.

Por policia po afrohej.

Paleokostas ankohej në një letër në media: “Ishin mijëra policë ngado që ktheja sytë, për të mos përmendur policët e maskuar”.

Sipas shërbimeve të inteligjencës, i arratisuri kishte një dobësi për makinat Volkswagen Touareg për shkak të aftësisë së tyre në rrugët e vështirë dhe i vidhte vazhdimisht, duke kaluar rrugët malore me lehtësi.

Në stereon e tij, ai pëlqentë që të dëgjonte muzikë greke me kitarë akustike, ndërsa arratisej nga policët dhe vazhdonte historinë e krimeve.

Gjuetia për një të arratisur

Gjatë 20 viteve të fundit, CIA ka operuar me një skuadër sekrete anti- terror në Athinë.

Ata njihen si “Të padukshmit” dhe ekipi përbëhet nga 15 oficerë amerikanë dhe grekë, qëllimi kryesor i të cilëve është që të kapin terroristët.

Në vitin 2009, Vassilis Paleokostas u bë shënjestra e tyre numër një.

Nga një adresë false biznesi pranë hotelit me pesë yje “Divani Caravel” në qendër të Athinës “Të padukshmit” ndihmonin qeverinë greke për të mbyllur rrjetën, me amerikanët që sponsorizonin faturat. Ditët e tij ishin të numëruara.

Më 31 mars 2009, në orën 14:03, një grabitje e pazakontë banke u regjistrua në Trikala, vendlindjen e Paleokostas.

Tre grabitës, dy burra e një grua, hynë në Alpha Bank.

Të armatosur me pistoleta dhe me shotgun, ata kishin mbuluar fytyrat dhe mbanin helmeta motoçikletash.

“Grabitje, duart lart,” bërtitën.

Treshja mbajti peng shtatë punonjës dhe 15 klientë, duke zbrazur nga kasaforta 250 mijë euro, përpara se të arratiseshin me tre motoçikleta të vjedhura.

Në një titull në media lexohej: “Vjedhje me… parfum”.

Një gazetë theksonte se policia mendon se hajdutët janë të arratisurit Vassilis Paleokostas, Alket Rizai dhe një bashkëpunëtore femër, një “Lara Croft bionde”.

Menjëherë pas kësaj, Rizai dhe e dashura e tij u arrestuan.

Mitropia akuzohet se ka rrëmbyer helikopterin dhe se është biondia misterioze me mitroloz në helikopter- edhe pse ajo i mohon me forcë këto akuza.

Ndërkohë Paleokostas vazhdon që të shmangë “Të padukshmit”. Gjueti epike janë zhvilluar me policë të armatosur gjer në dhëmbë, me helikopterë me kamera termike, që fluturojnë mbi malet ku Vassilis rriste bagëtitë kur ishte fëmijë.

Pesë vite që prej arratisjes dramatike, Vassilis Paleokostas, tani 48 vjeç, mbetet në arrati dhe vjedhjet e bankave vazhdojnë.

Vetëm një herë është komprometuar vendi ku fshihej- kur ai tentoi që të merrte me qira një film nga një videotekë.

Më 14 prill 2009, në orën 20:00, një skuadër me 15 policë të maskuar e ndoqi atë në rrugën bregdetare të Alepohori në jug të Greqisë.

Pasi e rrethuan të arratisurin, ata i drejtuan armët dhe ishin gati për të qëlluar.

Në një letër dërguar medias, Paleokostas shkruan: “I dhashë gaz makinës dhe plumbat po kërcenin në kabinën e makinës sime. Këta djem hapën zjarr dhe qëlluan më shumë se 150 plumba në 15 sekonda”.

Në kontrast, shkruan ai, në të gjitha këto vite si hajdut dhe si i arratisur, nuk kam qëlluar asnjëherë ndaj një njeriu.

Ai e kishte firmosur letrën me shenjën e gishtave me një bojë ngjyrë blu.

Pak muaj pasi ai dërgoi letrën, më 24 qershor 2010, autoritetet thanë se ata gjetën gjurmët e gishtave të Paleokostas në një letër- bombë, dërguar për të vrarë ministrin e Rendit Publik, Michalis Chrysochoidis.

Ajo shpërtheu në duart e një ndihmësi të tij, George Vassilakis, 52 vjeç, duke e vrarë në vend.

Paleokostas u etiketua menjëherë si terrorist dhe vrasës, ndërsa për kokën e tij u vendos një çmim prej 1.4 milion euro.

Mbështetësit e tij, si George Ras, 23 vjeç, nga rrethinat e Athinës, thonë se ky është një kurth.

“Si mund të gjesh gjurmët e gishtave në një bombë që vret një njeri dhe shkatërron muret?”.

Që prej krizës financiare të vitit 2010, trazirave, vështirësive dhe papunësisë që pasoi, radhët e anarkistave dhe anti- kapitalistëve janë shtuar.

Lagjia Exarcheia është një fortesë e tyre dhe në muret e saj ka postera dhe grafiti të vëllezërve Paleokostas.

Banditi është bërë një simbol i kohëve të trazuara,si John Dillinger gjatë Depresionit të Madh në SHBA apo Jesse James gjatë Luftës Civile në SHBA në vitin 1861.

Më vonë atë vit, policia besonte se e kishte rrethuar Paleokostas-in në një zonë malore në Kozani, në veri të Trikalës.

Pasi kërkuan fermën, ata gjetën monedha me numër serial që përkojnë me paratë e vjedhura prej tij, çka do thotë se ai është në arrati falë edhe ndihmës që i japin fermerët, të cilëve u jep dhurata.

Thashethemet në fshatra thonë se ai ka një të dashur të huaj dhe një bebe djalë të sapolindur.

Të gjithë në Greqi kanë një teori se ku jeton ai sot, si Elvisi grek, të cilin e shohin ngado.

Shumë grekë besojnë se ai mbrohet nga murgjit, jeton në manastire në male.

Në tetor të vitit 2010, gjatë një vale grabitjesh, një person që ngjante me të u pa në kamerat e sigurisë së një karburanti.

Nëse ishte ai, dukej se kishte bërë operacion plastik.

Paruket dhe makijazhi i gjetur në vendet ku fshihet sugjerojnë se ai mund të transformohet edhe në grua.

Shtypi së fundmi e ka quajtur Fantazma, ndërsa vendasit e quajnë Mbreti i Maleve.

Pamjet e kamerave të karburantit i shoh i ulur në një kafe në Trikala. Detektivi i dalë në pension, Dimitrios Gravanis m’i shfaq përpara syve dhe më thotë: “Nuk do ndaloj së kërkuari për Vassilis. Nuk bëhet më fjalë nëse ai do godasë sërish, por kur”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat