Dy nismat më të fundit të Qeverisë Shqiptare: Samiti i Parë i Diasporës në Tiranë (18-20 nëntor 2016) dhe Aplikacioni E-Konsullata (në ndihmë të shtetasve shqiptar, kudo që ndodhen nëpër botë, përmes shërbimeve dhe njoftimeve të ndryshme), po promovohet nga të gjitha përfaqësitë tona diplomatike në botë.
Për këtë qëllim në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, u mblodhën përfaqësues të degëve të shoqatave të diasporës nga Mali i Zi që zhvillojnë aktivitetin e tyre në SHBA dhe vende të tjera.
Në prani të mediave dhe televizioneve në gjuhën shqipe, Ambasadori Ernal Filo bëri një panoramë mbi qëllimin dhe pritshmëritë e këtij aktiviteti që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Të pranishmit u informuan mbi kontributin që ata mund të japin në kuadër të këtij samiti në drejtim të adresimit të problematikave me të cilat ndeshen shqiptarët kudo në botë.
Krahas kësaj, Konsulli, Janko Shelçaj, u prezantoi të pranishmëve edhe aplikacionin E-Konsullata që synon thjeshtësimin dhe lehtësimin e shërbimeve dhe marrjes së informacionit konsullor.