Klosi: Zvicra, 1 miliard lekë në mbështetje të zejtarëve të rinj

Shqipëria

Klosi: Zvicra, 1 miliard lekë në mbështetje të zejtarëve të rinj

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 15:50
Panairi “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi vizitoi sot panairin “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, ku u prezantuan planet e biznesit të të rinjve përfitues nga programet e vetëpunësimit të mundësuar nga UNDP, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se “ky është një projekt i qeverisë zvicerane dhe i menaxhuar nga UNDP-ja, ku bëhet fjalë për rreth 1 miliard lekë që do të shkojnë të tëra në shërbim të zejtarëve të rinj që kanë një ide biznesi”.

“Ne si ministri, tashmë kemi një fushatë shumë të madhe, “ustai i qytetit tim”, që shkon për ngritjen e dhomave të zejtarëve që punojnë dhe bëjnë një biznes të vogël e të gjithë jeni të ftuar të bëheni pjesë e dhomës së zejtarëve, i cili në një mënyrë ose një tjetër do i japë përgjigje shumë pyetjeve që u ngritën sot në vizitat që bëmë në panair”, tha Klosi.

Prandaj, vijoi ai, do të donim të vazhdonim edhe më fort fushatën e madhe që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së bashku me qeverinë shqiptare dhe partnerët, ku Kombet e Bashkuara janë një nga mbështetësit kryesorë, atë të orientimit të të rinjve ndaj aftësisë dhe tregut të punës.

“Ne do të jemi së bashku kudo nëpër Shqipëri, ku secila ide do duhet të implementohet dhe zhvillohet. Kam bindje që secili nga ju ka një ide brilante. Prandaj kur na u kërkua të zgjidhnim pesë idetë më të mira të panairit, e pata të pamundur, por 5 gjërat që unë zgjedh janë: guximi juaj, inteligjenca, qenia të gjithë së bashku, besimi në këtë projekt dhe besimi tek vetja juaj. Unë ju garantoj që keni të gjithë vlerësimin dhe mbështetjen e MMSR për secilën ide që keni implementuar sot këtu”, tha Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat