Basha: Me paratë e drogës, Rama po tenton vjedhjen e zgjedhjeve

Shqipëria

Basha: Me paratë e drogës, Rama po tenton vjedhjen e zgjedhjeve

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 13:28
Lulzim Basha

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha thotë se përmes lidhjeve me krimin e drogën, kryeministri Edi Rama po tenton të deformojë vullnetin e shqiptarëve, në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Nga Librazhdi e Përrenjasi ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, Basha tha se e vetmja shpresë e kryeministrit është krimi i bërë njësh me pushtetin.

Kreu i PD, Lulzim Basha: Gjithçka që po ndodh, krimi, droga, tendera që vidhen, gjithçka është në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme. Ne duhet të garantojmë proces të lirë zgjedhor. A ka proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me Edi Ramën kryeministër? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër, me Saimir Tahirin ministër të Brendshëm? Me dy persona që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse ata e kanë lidhur veten e tyre me krimin dhe drogën pikërisht për të prishur zgjedhjet, pikërisht sepse kanë frikë nga vota e qytetarëve.

Kryeministrin Rama, ai akuzoi për braktisje të qytetarëve dhe vënie në shërbim të kriminelëve.
Kreu i PD, Lulzim Basha: Paratë e tenderave i ndan me ta, drogën që ka mbuluar Përrenjasin dhe gjithë Shqipërinë e ka me ta. Droga është produkt i kriminalizimit të administratës dhe të dyja bashkë janë pjesë e planit të Edi Ramës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin. Basha tha se në tre vjet kryeministri Rama varfëroi shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat