Qeveria italiane dhe PNUD nënshkruan sot marrëveshjen e re financiare në kuadër të projektit STAR 2

Shqipëria

Qeveria italiane dhe PNUD nënshkruan sot marrëveshjen e re financiare në kuadër të projektit STAR 2

Më: 18 tetor 2016 Në ora: 18:21
Pamje nga takimi

Një marrëveshje e re me vlerë 1.361 milionë dollarë është nënshkruar sot mes qeverisë së Italisë dhe PNUD për të mbështetur konsolidimin e Reformës Administrative Territoriale në Shqipëri. Kjo ndërhyrje do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale të bashkive për zbatimin e reformës dhe modernizimin e ofrimit të shërbimeve publike.

Për më tepër, ky projekt do të kontribuojë në arritjen e Objektivit për Zhvillimin e Qendrueshëm numër 16: Qeverisje e Mirë. (Paqe, drejtësi dhe institucione të forta).

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, i cili firmosi marrëveshjen në emër të Qeverisë Italiane nënvizoi:”Kam besim që kontributi italian do të jetë një mundësi domethënëse për të vijuar kontributin e përbashkët në mbështetje të rrugës evropiane të Shqipërisë drejt BE, por edhe për të sjellë përfitime të prekshme në të gjithë shoqërinë shqiptare”.

Brian Williams, Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri, nënvizoi:” Ne jemi të vetëdijshëm se konsolidimi i njësive dhe qeverisjes vendore përballet ende me një numër të madh sfidash për t’u tejklauar të cilat kërkojnë vendime me peshë për zbatimin efikas në praktikë të strategjive të decenstralizimit administrative dhe fiskal”.

Ministri Çuçi vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Qeveria Italiane dhe partnerët e tjerë përgjatë të dyja fazave të zbatimit të projektit, STAR1 dhe STAR 2.

Më tej ministri shtoi se “Reforma Administrative Territoriale” është tashmë një realitet i prekshëm që ka ndihmuar forcimin e decentralizimit të njësive të qeverisjes vendore në gjithë vendin. Impakti i kësaj reformë kyçe ka sjellë përfitime të dukshme. Deri tani janë kursyer 12 milionë dollarë nga shkurtimi i shpenzimeve administrative dhe janë mbledhur 15 milionë dollarë më shumë të ardhura nga taksat vendore, krahasuar me një vit më parë. Në partneritet me donatorët ne po mbështesim dixhitalizimin e shërbimeve përmes sporteleve me një ndalesë, pra one stop shop. Së shpejti, ne do të nisim edhe dixhitalizimin e arkivave. Për këtë proces, Qeveria Shqiptare ka akorduar 1.5 milionë dollarë ndërsa 1 milionë dollarë janë akorduar nga donatorët. STAR2 ka një vlerë financiare prej 8 milionë dollarë në total”.

Gjithashtu, projekti STAR2 do të ndihmojë Shqipërinë të përparojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

STAR2 ka mbështetjen e një numri të lartë partnerësh ndërkombëtarë përmes një mekanizmi të financimit të përbashkët.

Partnerët ndërkombëtarë përfshijnë: Bashkimin Europian, Qeverinë e Italisë përmes Agjencisë Italiane të Zhvillimit, Qeverinë e Suedisë përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, Qeverinë e Zvicrës përmes Agjencisë Zvicerane të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit , Shtetet e Bashkuara, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe PNUD. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat