Kodheli: Luftëtarët e huaj dhe kriza e refugjatëve, sfida që kërkojnë zgjidhje ndërkombëtare

Shqipëria

Kodheli: Luftëtarët e huaj dhe kriza e refugjatëve, sfida që kërkojnë zgjidhje ndërkombëtare

Më: 18 tetor 2016 Në ora: 15:39
Pamje nga takimi i SEDM

 Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli gjatë pjesëmarrjes në takimin e ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), u ndal tek sfidat kryesore të sigurisë me të cilat përballen vendet anëtare të SEDM-t, që janë luftëtarët e huaj terroristë dhe kriza e refugjatëve e shkaktuar nga kriza në Lindjen e Mesme. Të dyja këto çështje ajo i konsideroi sfida ndërkombëtare që kërkojnë zgjidhje ndërkombëtare.

“I ashtuquajturi Shteti Islamik / Daesh dhe grupe të tjera terroriste, të ushqyera nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në të gjithë botën, janë një kërcënim real jo vetëm në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, por edhe për shoqëritë tona. Ngjarjet tragjike në Turqi, Francë, Belgjikë dhe vende të tjera,janë një mesazh i qartë”,- tha ministrja Kodheli.

Sa i përket luftëtarëve të huaj, ajo solli në vëmendje ngritjen në Shqipëri të Qendrës së Ekselencës së NATO-s për studimin e këtij fenomeni, duke shtuar se kjo qendër do të përqendrohet në ndërtimin e një ekspertize të përshtatshme për të trajtuar këtë fenomen.

Në frymën e projektimit të qëndrueshmërisë përtej kufijve tanë, ministrja Kodheli tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë në ngritjen e kapaciteteve për partnerët (sidomos Gjeorgjia dhe Ukraina); do të vijojë kontributin në operacionet e drejtuara nga NATO në Afganistan e Kosovë, dhe se është duke u përgatitur të bashkohet me misionin e NATO-s në Detin Egje.
Gjatë punimeve të këtij Ministeriali, Kodheli u takua me ministren italiane te Mbrojtjes, Roberta Pinotti dhe homologun turk Fikri I??k.

Ministrat e Mbrojtjes të SEDM-t votuan planin vjetor të stërvitjeve dhe aktiviteteve të Brigadës së Evropës Juglindore (South-Eastern Europe Brigade SEEBRIG), dhe buxhetin e saj për vitin 2016.

Gjithashtu në këtë takim u vendos edhe për vendndodhjen e selisë qendrore të SEEBRIG, e cila gjatë periudhës 2017 – 2020 do të vijojë të mbetet e dislokuar në Greqi, dhe për periudhën 2020 – 2026 do të dislokohet në Maqedoni.

Në përfundim ministrat e Mbrojtjes së Evropës juglindore miratuan një Deklaratën e Përbashkët ku ndër të tjera vlerësuan progresin e arritur deri më tani lidhur me këtë projekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat