Shqipëria, e kërcënuar nga përmbytjet

Shqipëria

Shqipëria, e kërcënuar nga përmbytjet

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 17:04
Ilustrim

Shqipëria do të përballet gjithmonë e më shumë me “përmbytje të befasishme” si ajo e pak ditëve më parë ne Laç e Milot, për shkak të ndryshimeve të klimës.

Për t’i paraprirë këtyre situatave, Banka Botërore jep 6 milionë dollarë për ndërtimin e 100 stacioneve meteorologjike dhe hidrologjike të gjeneratës së fundit. 

Kreu i Institutit të Gjeoshkencës thotë se ato parashikojnë me saktësi sasinë e reshjeve dhe temperaturat dhe se si kjo sasi reflektohet në prurjet e lumenjve, deri në 3 ditë para. 

“Përmes teknologjive të reja të instaluara në terren, apo softwareve të fuqishme të instaluara në institute, kombinuar me teknikat satelitore, do të bëhet e mundur një parashikim shumë herë më i saktë se ai tradicional i fenomeneve ekstreme për pasojë edhe masat do të jenë më efektive”, deklaron Fatos Hoxhaj, drejtor i Institutit të Gjeoshkencës. 

Daniel Kull, specialist i Bankës Botërore thotë se paralelisht me këtë nevojiten masa konkrete nga autoritetet. 

“Për të reduktuar përmbytjet duhen ngritur prita, nevojitet ndërtimi i digave dhe menaxhimi i lumenjve. Po ashtu janë të nevojshme disa masa jostrukturore si sigurimi i pronave, por edhe parapërgatja financiare që vendi dhe qytetarët e tij të jenë të gatshëm të përballen me këto goditje”, deklaron Kull.  Projekti parashikon ngritjen e stacioneve të reja brenda dy vitesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat