Gjysma e Lezhës nën ujë, kryebashkiaku: Është gropë dhe pa sistem kullimi

Shqipëria

Gjysma e Lezhës nën ujë, kryebashkiaku: Është gropë dhe pa sistem kullimi

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 09:30
Fran Frrokaj

Reshjet e të shtunës mbrëma kanë tronditur sërish Lezhën. E s`ka si ndodh ndryshe. Lezha është një prej zonave më të ekspozuara në vend ndaj përmbytjeve dhe se duket se edhe kësaj radhe bashkia e ka patur të pamundur t`i bëjë ballë për shkak të shumë mungesave në kanalizime, argjinatura dhe në gjithçka që i duhet të paktën një qyteti që të mos mbytet. Kreu i bashkisë, tregoi mbrëmë për “Shekullin” peripecitë që duhen për të bërë të mundur të paktën ngritjen e ndonjë prite që të mos shkatërrohet gjithë qyteti. Sipas tij, mbrëmë, ka patur ca biznese nën ujë dhe garazhe, pasi shiu përgjatë gjithë natës së shtunë e deri orëve të para të së dielës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe kanë rrezikuar shumë banesa dhe biznese.

Përmbytjet në Lezhë, flet kryebashkiaku 

E ndërsa kryebashkiaku i Laçit ka dalë para mediave duke iu thënë banorëve në sy të kamerave se do të dëmshpërblehen, por pa dhënë një shifër, të paktën për familjet që iu është bërë bilanci i dëmeve, sigurisht nëse është bërë, kryebashkiaku i Lezhës jep alarmin për Lezhën e tij: “Lezha është gropë. Aty është bërë gjithçka gabim”. E nëse e pyet drejtuesin e Lezhës se si do mund ta presin ujin të mos marrë përpara qytetin, ai tregon se kanë nisur të bëjnë prova, e prova konsiston në krijimin e një daljeje në mënyrë natyrore të ujërave të shiut, pasi sipas Fran Frrokajt, duhet një ndërhyrje që nga fillimi për të zhbërë gjithë mekanizmin e kanalizimeve, pasi gjithë sistemi i kullimit është gabim.

Frrokaj tregon se iu duhet shumë punë në këtë sistemim aq më tepër kur bëhet fjalë për nisjen tashmë të sezonit të shirave, por ai shpjegon se po punohet për sistemimin e rrugëve, si mundësia e vetme për të hapur rrugë edhe për grumbullimin dhe kanalizimin e ujit të shirave. Ai flet me detaje në lidhje me punën që duhet për të kthyer në një vend normal qytetin që përmbytet, por shpjegon se në rrugën e prokurorisë, është një shtëpi-gangrenë për të cilën pritet një VKM, por si duket qeveria nuk e ka në planet e veta.

Shtëpia duhet shembur dhe kompensuar e për pasojë vijohet të mbetet peng ndërhyrja e Bashkisë për të mundësuar sistemimin e rrugës. Sipas Frrokajt uji ka nisur të tërhiqet që mesditën e djeshme, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës. Lezha është një prej qyteteve ku ndërtimet mbi kolektorë mund të zënë vendin e parë në shkallë vendi, madje edhe pa plan, e përballë kësaj situate, banorët e atij qyteti nuk kanë asnjë mundësi tjetër të shpëtojnë nga përmbytjet vetëm të rrinë kateve të larta të pallateve që janë ndërtuar sipër kolektorëve. Ndërkohë që në zonën e Laçit, Milotit dhe të rrethinave vijon puna për hapjen e shtratit të përroit të Laçit që doli e mori jetën e një kryefamiljari, viktima e tretë brenda një viti e atij përroi që askush nuk kujtohet për të t`i ngre një pritë që të mos futet në mes të qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat