“Komisioni i reformës zgjedhore, në 9 muaj, as 9 orë punë”

Shqipëria

“Komisioni i reformës zgjedhore, në 9 muaj, as 9 orë punë”

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 19:27
Ilustrim

Politologu Afrim Krasniqi kritikoi sot mungesën e vullnetit nga partitë politike për të realizuar reformën zgjedhore, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Zgjedhjet parlamentare të radhës dekretohen në dhjetor 2016 dhe ende Parlamenti nuk ka kryer reformën zgjedhore. Pas reformës në drejtësi reforma zgjedhore do të duhej të ishte prioritet absolut. Treguesit janë pesimistë, - palët janë pranë akordit të mos bëjnë ndryshime të rëndësishme dhe të fokusohen vetëm në detaje teknike”, u shpreh Krasniqi, në një koment të sotëm.

Sipas tij, “9 muaj komisioni bi-partizan i reformës nuk ka bërë as 9 orë mbledhje/pune”. “Tradita e tij është e mbetet refuzuese ndaj kërkesave qytetare, të shoqërisë civile dhe standardeve të larta zgjedhore. Për pasojë, edhe më 2017 sistemi zgjedhor pritet të mbetet i njëjtë, administrimi partiak mbetet i njëjtë, nuk ka asnjë garanci e tregues se dekriminalizimi do të zbatohet, mbi të gjitha paratë, muskujt dhe pushteti mund të jenë përcaktuese në orientimin e votave dhe se mbi-pushteti i partive kryesore mbetet i paprekur”, u shpreh Krasniqi.

Më tej, Afrim Krasniqi përmend edhe shembujt rajonalë, si Kroacia e Sllovenia, që i cilëson si një model ilustrues. “Nuk mund të ketë standarde të larta zgjedhore pa pasur demokratizim e standarde në vetë partitë politike, të cilat përgatisin, administrojnë dhe përmes kandidatëve e fushatës i japin jetë proceseve zgjedhore. Dhe piramida e demokracisë brenda partive politike tek ne është e përmbysur, vertikale dhe e identifikuar me vullnetin, pasionin dhe preferencën e liderit!”, shprehet Afrim Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat