E reja me sëmundje përdhunohet dhe sjell në jetë një fëmijë. “Nuk kemi para ta mbajmë”

Shqipëria

E reja me sëmundje përdhunohet dhe sjell në jetë një fëmijë. “Nuk kemi para ta mbajmë”

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 23:27
Pamje nga video

Një foshnje vetëm 7-ditëshe në Korçë rrezikon jetën, pasi nëna e tij, por edhe gjyshja nuk kanë mundësi ta ushqejnë, për shkak të kushteve ekstreme të varfërisë ku jetojnë, me vetëm 30 mijë lekë të vjetra asistencë dhe banesë të rrënuar.

Gjyshja e vogëlushit pohon edhe një fakt tronditës, se vajza e saj që solli në jetë vogëlushin vuan nga çrregullime mendore. Të gjitha këto, e bëjnë të pasiguri jetën e foshnjës vetëm 7-ditëshe, dhe gjyshja kërkon që ta marrë e ta rrisë shtëpia e fëmijës .

“Fëmija është një javëshe. Unë kam një vajzë që vuan nga problemet mendore. Ndaj unë nuk e rris dot vet. Po të më ndihmojnë, ta çoj në Jetimore, sa të bëhet deri 3 vjeç. E më pas po të jem gjallë, do e rris vet”, pohon mes lotësh Vjollca, gjyshja e vogëlushit të vogël.

55-vjeçarja tregon me dhimbje se foshnja prej ditësh është i paushqyer, ndërsa është prekur edhe nga verdhëza duke e rënduar gjendjen e tij çdo ditë edhe më shumë.

“Fëmijën e ka zënë verdhëza, është i sëmurë. Nuk kam çfarë t’i bëj. E ka nga shtëpia që e kam të vjetër. S’kam me se ta ushqej se 30 mijë lekë në muaj marr”,shton më tej Vjollca .

Ajo kërkon nga shtëpia e fëmijës në Korçë të shmangë burokracitë, e ta marre foshnjën sa shpejt. “Sa të vdes, më mirë le të ma mbajë qeveria”, tha ajo

Por, mënyra si erdhi në jetë ky vogëlush, është edhe më tronditëse.

24-vjeçarja Paola, nëna e foshnjës, pretendon se është abuzuar seksualisht nga disa persona dhe nuk di kush është babai i fëmijës.

“Nuk kam kushte për ta mbajtur. Babai i fëmijës nuk e di kush është , pasi nuk e kam gjetur dot. Më kanë abuzuar disa veta. Nuk i kam denoncuar se kam pasur frikë se mos më vrisnin”, shprehet nëna e foshnjës.

Familja jeton në lagjen 5 të qytetit të Korçës në kushte ekstreme varfërie, ndërsa foshnja vetëm 7-ditëshe nuk mund të ushqehet dhe kurohet për shkak të pamundësisë ekonomike.

“Shpëtoni një foshnjë që është i pafajshëm” , e mbyll apelin gjyshja e të miturit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat