Basha: Banditët e qeverisë pengojnë drejtësinë

Shqipëria

Basha: Banditët e qeverisë pengojnë drejtësinë

Më: 6 tetor 2016 Në ora: 12:57
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përsëritur edhe njëherë akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës, për degradimin e situatës së rendit dhe sigurisë në vend.

Në një status në profilin e tij në “Facebook”, Basha shkruan: “Kur 3 shtetas u vranë me armë dje, Edi Rama nxori një zhgarravinë duke thënë se po vendos rendin, se numri i vrasjeve është ulur. U tall me 3 jetë të humbura, si të ishin dele e jo njerëz dhe u mburr me atë që është dështimi i tij i madh. Sepse rendi nuk ekziston. Rend nuk ka”.

Por sipas tij, sot ka sundim të bandave, konflikte dhe vrasje me armë. “Këtë pasiguri ekstreme e ka mbjellë ai në Shqipëri, me kanabizimin e vendit, me sprapsjen e ligjit, me rreshtimin e tij dhe Tahirit në krah të krimit”, ka thënë Basha.

Gjithashtu kreu i opozitës ka përmendur faktin se ditën sotme janë verifikuar dy vrasje, një në Shkodër dhe një në Korçë. “Ndërkohë që dje policia, me urdhër të Ramës e Tahirit, i ka bërë rezistencë drejtësisë, duke penguar hetimin e duke mbrojtur 11 tonelata me drogë në Vlorë. Një bandit i qeverisë i del para prokurorit në Mat dhe me armë në dorë i pret rrugën drejt parcelave me kanabis”, ka thënë Basha.

“Ky është shteti i Edi Ramës, ndërkohë që ai llomotit në Kuvend për drejtësinë. Këtu ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Shqipëria do jetë pa krime, pa drogë, pa plehra vetëm pa Edi Ramën”, ka shtuar Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat