Veliaj do ta emërojë një rrugë në Tiranë me emrin “Rruga e UÇK-së”

Shqipëria

Veliaj do ta emërojë një rrugë në Tiranë me emrin “Rruga e UÇK-së”

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 14:44
Hashim Thaçi dhe Erion Veliaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar Bashkinë e Tiranës, ku është pritur nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Presidenti e ka përgëzuar kryebashkiakun për punën dhe angazhimin e tij për Tiranën e re.

“Me punë dhe energji të reja jeni duke e bërë Bashkinë e Tiranës shembull për të gjithë shqiptarët. E keni ndryshuar dhe modernizuar edhe më shumë”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj e ka njoftuar presidentin Thaçi për punën e tij, për mbledhjen e përbashkët të komunave shqiptare dhe për planet e tij për emërimin e një rruge në Tiranë me emrin “Rruga e UÇK-së”.

“Jemi duke punuar në mbi 100 vende në Tiranë. Po përpiqemi që me projekte të ndryshme të krijojmë hapësira publike për qytetarët. Po qëndrojmë larg politikave të mëdha dhe jemi përqendruar më shumë në asfaltim, parqe dhe projekte që përmirësojnë jetesën e qytetarëve, sepse është mire të jemi shqiptarë, por edhe më mirë është të jetojmë mirë si shqiptarë. Kur jetojmë mirë, jemi më të mëdhenj”, ka thënë Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj ka treguar se ka marrë bekimin e presidentit Thaçi për mbledhjen e përbashkët të komunave shqiptare, e cila, sipas tij, vjen si nevojë për të thelluar bashkëpunimin konkret dhe jo për t’u marrë me folklorizëm.

Presidenti Thaçi dhe kryebashkiaku Veliaj kanë diskutuar edhe për shtrirjen e bizneseve kosovare në Tiranë dhe për diasporën shqiptare në përgjithësi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat