AKIP: Kryeministri të tërheqë ligjin e plehrave

Shqipëria

AKIP: Kryeministri të tërheqë ligjin e plehrave

Më: 2 tetor 2016 Në ora: 21:37
AKIP

Aleanca Kundër Importit të Plehrave, AKIP ka reaguar sërish për faktin se qeveria ka sjellë plehra në Shqipëri, për riciklim. Në deklaratën e AKIP-it thuhet se kryeministri duhet të reflektojë dhe të kthejë mbrapsht ligjin.

AKIP-i shprehet se kryeministri duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të kthejë këtë ligj, që bie në kurriz të shqiptarëve.

Deklarata e plotë e AKIP

Aleanca Kundër Importit të Plehrave, (AKIP), pasi dëgjoi komunikimet publike të kryeministrit Edi Rama më 2 tetor 2016, vëren me keqardhje mungesë reflektimi nga ana e tij. AKIP hedh poshtë pretendimet e kryeministrit se qytetarët janë të painformuar apo të keqinformuar apo të panikosur mbi çështjen në fjalë dhe i sugjeron kryeministrit të mësojë të dëgjojë, përveçse vetëm të flasë. Qytetarët shqiptarë e kanë shprehur vullnetin e tyre të papërkulur mbi çështjen në fjalë dhe kanë deklaruar se kurrë dhe për asnjë lloj arsyeje, Shqipëria nuk duhet të importojë plehra apo mbetje, për shkak se Shqipëria ka aktualisht me bollëk plehra të riciklueshme dhe të pariciklueshme dhe se vendi duhet të pastrojë veten dhe jo të mendojë për të pastruar botën.

Ne mendojmë se protestat masive të organizuara nga vetë qytetarët në shumë qytete të Shqipërisë dhe të Europës duhet të kishin dhënë mesazhin e duhur te kryeministri mbi domosdoshmërinë e anulimit të menjëhershëm të ligjit të miratuar së fundmi. Për shkak se mesazhi dukshëm nuk është marrë, ne do të vijojmë të organizojmë protesta deri në respektimin final të vullnetit të qytetarëve nga cilado forcë politike që mund të ketë pushtetin në Shqipëri.

AKIP mirëpret premtimin e kryeministrit për të pastruar Shqipërinë përgjatë katër viteve të ardhshme, megjithëse vëren se gjatë tri viteve të qeverisjes së tij, asnjë nismë konkrete dhe e integruar për menaxhimin e mbetjeve urbane nuk është kryer. AKIP deklaron se vullneti i popullit është i panegociueshëm dhe se beteja jonë do të vijojë deri në rrëzimin përfundimtar të çfarëdolloj ligji që lejon importin e plehrave apo mbetjeve në Shqipëri.

#JoPlehrave

#ShihemiNeReferendum

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat