“Luani shqiptar” tregon muskujt: Çfarë rrezikon rajoni?

Shqipëria

“Luani shqiptar” tregon muskujt: Çfarë rrezikon rajoni?

Më: 1 tetor 2016 Në ora: 17:01
Kodheli me sekretarin e mbrojtjes, Michael Fallon

Rreth 1500 trupa britanike kanë mbërritur në Shqipëri për të marrë pjesë në një stërvitje të përbashkët, të quajtur “Luani shqiptar”.

1500 trupave britanike u janë bashkuar edhe 250 trupa shqiptare, në një stërvitje që ka hyrë në edicionin e saj të pestë.

Por e veçanta është se këtë herë stërvitja do të mbikëqyret nga Sekretari i Mbrojtjes, Sir Michael Fallon.

Sir Michael është i pari Sekretar Mbrojtje që viziton Shqipërinë.

Ai premtoi se vitin tjetër, Britania do të vendosë një atashe të përhershëm ushtarak në Shqipëri.

“Luani shqiptar” vjen direkt pas një tjetër stërvitje të NATO-s dhe spekulimeve se shumë shpejt në vend do ketë një bazë të përhershme të Aleancës.

Ajo që dihet deri më tani, sipas zyrtarëve britanikë, është se rajoni i Bizës në Tiranë mund të kthehet në zonë stërvitore të përhershme për NATO-n.

Britanikët po investojnë 60 mijë sterlina aty.

Këto lëvizje ushtarake kanë trazuar jo pak Rusinë, e cila ka dërguar monitorues të posaçëm në Shqipëri, sipas një konvente të OSBE.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, në një prononcim për ForcesTV, thotë: “Vizita ime reflekton rëndësinë e Shqipërisë si një demokraci stabël në një rajon të paqëndrueshëm”.

Një rajon i paqëndrueshëm?

Ballkani ka qenë vazhdimisht i tillë, por së fundmi thuhet se kishte rënë në qetësi.

Megjithatë disa zhvillime duken shqetësuese.

Aleksandër Vuçiç, kryeministër i Serbisë thotë se “kërcënimi për një luftë të re në Bosnje është kaq i fortë, sa mund të ndjehet në ajër”.

“Duhet vetëm një shkëndijë për ta ndezur zjarrin,” tha ai.

Më 25 shtator, Republika Srpska mbajti një referendum për të festuar Ditën Kombëtare më 9 janar, pikërisht kur edhe është themeluar RS.

Por referendumi është cilësuar si i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Sikur të mos mjaftojë kjo, mediat serbe thonë se zyrtarët e partisë së presidentit Hashim Thaçi po kërcënojnë se Kosova mund të mbajë një referendum për bashkimin me Shqipërinë.

Momir Stojanoviç, ish-kreu i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake në Serbi thotë për agjencinë Sputnik se shqiptarët po i inkurajon dikush që të flasin për referendumin.

“Këtë po e bëjnë amerikanët dhe disa vende të BE, të cilët po ushtrojnë presion dhe po kërcënojnë Serbinë për shkak të referendumit në Republikën Srpska,” thotë ai.

Nga ana tjetër, deklaratat e fundit të Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn për Çamërinë, kanë nxitur mediat serbe si B92 dhe ato greke si “Greek Reporter” që të shkruajnë se ai po “ngjall” fantazmën e Shqipërisë së Madhe.

A do mbeten thjesht shkëndija, që vlojnë më shumë në media?

Koha do e tregojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat