Gjosha takon Kukan e Fleckenstein: Na jepni rekomandimin për çeljen e negociatave

Shqipëria

Gjosha takon Kukan e Fleckenstein: Na jepni rekomandimin për çeljen e negociatave

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 12:23
Klajda Gjosha me eurodeputetet

Gjatë vizitës dy ditore në Bruksel, ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha zhvilloi disa takime në Parlamentin Europian. Mësohet se Gjosha u prit nga eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, ku u ka kërkuar sërish rekomandimin për çeljen e negociatave për futjen në Bashkimin Europian.

“Eurodeputetët vlerësuan maksimalisht miratimin konsensual të reformës në drejtësi, duke e konsideruar si një hap të madh përpara për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Integrimit Europian.

Gjithashtu eurodeputetët, vunë theksin te domosdoshmëria e implementimit të kësaj reforme, duke mundësuar rezultate të prekshme nga qytetarët.

Lidhur me këto, Gjosha u shpreh se Shqipëria është e vendosur të konkretizojë zbatimin e reformës në drejtësi, përmes procesit të integrimit. Ajo theksoi se domosdoshmëria e dialogut politik konstruktiv i shërben pikërisht këtij procesi.

“Ky dialog dhe vullnet pozitiv i treguar për reformën në drejtësi, është i domosdoshëm të vazhdojë edhe me ligjet e tjera që duhet të miratohen, pasi i shërben të gjitha palëve politike, por dhe të ardhmes së vendit”, tha ministrja e Itegrimit Europian.

Sipas Gjoshës, implementimi i reformës në drejtësi do të kërkojë kohë, por ajo shprehu bindjen se përmes kapitujve 23 dhe 24 të cilët lidhen drejtpërdrejt me shtetin e së drejtësi, zbatimi i saj do të bëhej më konkret.

“Prandaj dhe për ne është me shumë rëndësi, marrja e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në pikërisht me këto kapituj, të cilët në fakt do të jenë të parët që do të hapen dhe të fundit që do mbyllen”, tha Gjosha.

Gjatë këtyre takimeve, ministrja u shpreh se Shqipëria meriton një raport pozitiv nga Komisionin Europian dhe se marrja e rekomandimit do të ishte shtysa më e mirë, për të vazhduar rrugën e reformave shtet-ndërtuese, të cilat i shërbejnë të ardhmes së vendit dhe qytetarëve. Eurodeputetët inkurajuan Shqipërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit, duke nënvizuar se ky moment pozitiv duhet përdorur pikërisht në funksion të së ardhmes europiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat