PD ia fal Dukës: E djathta, një të majtë për garën bashkinë

Shqipëria

PD ia fal Dukës: E djathta, një të majtë për garën bashkinë

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 09:38
Agron Duka

Kolonja është një zonë historikisht e majtë, ku Partia Demokratike nuk ka fituar asnjëherë zgjedhjet. Të paktën jo në Ersekë, zona me përqendrimin më të madh të votave. Historiku elektoral në favor të Partisë Socialiste e ka detyruar opozitën të ndryshojë strategjinë elektorale me 180 gradë. Për zgjedhjet e pjesshme në Kolonjë nuk do të ketë një kandidat të Partisë Demokratike. Zona ku do të zhvillohen zgjedhje, për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të kryebashkiakut të Kolonjës, i është lënë Partisë Agrare të Agron Dukës, një aleat i ri i Partisë Demokratike në opozitë, por që është përfshirë në politikë si mbështetës i Partisë Socialiste.

Kjo është një lëvizje që i jep mundësi Partisë Demokratike të mos ekspozohet aq shumë ndaj ndonjë rezultati negativ në Kolonjë, që në fakt nuk do të përbënte surprizë. Në ndryshim nga zgjedhjet në Dibër, ku u zhvendos e gjithë udhëheqja dhe grupi parlamentar, në Kolonjë, Partia Demokratike do të jetë më diskrete dhe rolin kryesor do ta luajë kandidati i saj. Mësohet se opozita po finalizon marrëveshjen për t’u përfaqësuar në Kolonjë me një kandidat, familja e të cilit i ka dhënë Partisë Socialiste një deputet në legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e ’97-s. Bëhet fjalë për Dritan Hajron, vëllain e ish-deputetit socialist të Kolonjës, Sokol Hajro. Ata nuk banojnë më atje, por i kanë mbajtur lidhjet nëpërmjet një biznesi familjar. Përfaqësimi i opozitës në zgjedhjet e Kolonjës me Partinë Agrare i jep Agron Dukës një mundësi të paparashikuar për të sjellë në vëmendjen e politikës kombëtare partinë e tij modeste.

Përballë do të jetë në garë një kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e bërë garën për Kolonjën, një garë mes të majtësh për dy koalicione të ndryshme. Nga ana tjetër, nga foltorja në Parlament, kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, tha se partia e tij ka elektorat nga e gjithë Shqipëria, njësoj siç kanë edhe partitë e tjera. Idrizi tha se duhet hequr dorë nga sektarizmat. “U çuditën disa kur dolën çamë në veri të Shqipërisë. U deshën një palë zgjedhje vendore që të zbulohej se paska çamë edhe në Dibër a gjetkë. Rrini rehat zotërinj, nuk janë çamë, janë shqiptarë. Ashtu sikurse ka socialistë, demokratë dhe të LSI-së në Konispol, ashtu siç ka edhe votues të PDIU-së kudo në Shqipëri. Unë u falem këtyre patriotëve që kanë kuptuar se çështja kombëtare nuk është pronë e manipulatorëve të opinionit, ajo është pronë e zgjedhësve”, tha Idrizi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat