Vjedhjet e Bankave, ja plani i BSH-së për sigurinë

Shqipëria

Vjedhjet e Bankave, ja plani i BSH-së për sigurinë

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 11:17
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, raportuan në Komisionin e Ekonomisë, në lidhje me masat që duhen marrë për rritjen e sigurisë fizike të bankave dhe transportit të vlerave monetare. Edhe pse me dyer të mbyllura, “Shekulli” ka siguruar një pjesë të materialit të komunikuar nga guvernatori Sejko, i cili ka thënë se BSH ka një plan të ri për sigurinë e parave që qarkullojnë në Banka. I gjithë ky plan masash është ndërmarrë pikërisht prej një sërë grabitjeve që janë kryer kohët e fundit, ku më e bujshmja ishte ajo në aeroportin e Rinasit, ku janë vjedhur miliona euro. “Banka e Shqipërisë ka përgatitur një material të detajuar mbi standardet e transportit të vlerave monetare.

Përveç klasifikimit të këtij transporti sipas sasisë së vlerave monetare, kemi përcaktuar për çdo klasë karakteristikat dhe nivelin e blindimit të automjeteve të transportit të vlerave, si dhe numrin e punonjësve të SHPSF-ve, të cilët do shoqërojnë këto vlera. Në hartimin e këtyre specifikimeve jemi mbështetur në standardet e vendeve të Komunitetit Evropian”, citon materiali i Bankës së Shqipërisë, në vijim të të cilit kërkohet edhe ndihma e Policisë së Shtetit. “Ne shpresojmë dhe besojmë se shumë shpejt, Policia e Shtetit, bazuar në materialin e sipërpërmendur, do të hartojë dhe miratojë aktin normativ përkatës që do të disiplinojë transportin e vlerave monetare në vendin tonë konform standardeve më të mira.”

Po ashtu, duke nisur nga ngjarjet e fundit, Guvernatori përcjell edhe shqetësimin për shërbimin e dobët të ofruar nga Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike. “Një tjetër çështje të cilën e shoh me interes ta ndaj me ju, lidhet me nivelin e ulët të shërbimit të ofruar nga SHPSF-të për transportin e vlerave monetare të bankave tregtare. Niveli i ulët profesional i punonjësve të SHPSF-ve përbën një shqetësim konstant, përderisa janë këta të fundit që kryejnë shërbimet e sigurisë në degë apo agjenci të bankave, si dhe në shoqërimin e vlerave monetare gjatë transportit”, ka thënë Guvernatori në komisionin me derë të mbyllur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat