Prona-sherr në Gjirin e Lalëzit, gjyqtarja: S'kam frikë, kam folur me vendim

Shqipëria

Prona-sherr në Gjirin e Lalëzit, gjyqtarja: S'kam frikë, kam folur me vendim

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 10:29
Joana Qeleshi

Vijon përplasja në lidhje me pronën në të cilën do të ndërtonte një resort në Gjirin e Lalëzit biznesmeni libanez Faadi Mitri. Personi i cili do të investonte plot 450 milion euro u dhunua në mënyrë barbare në rrugën e Rinasit dhe ai zgjodhi të tërhiqte investimin e tij dhe të largohej në drejtim të vendbanimit. Ndërsa sherri për dhunimin e tij pushtoi Parlamentin dhe të gjithë strukturën përgjegjëse që ka dhënë vendime në lidhje me pronën në Gjirin e Lalëzit. Ka qenë vetë Joana Qeleshi që ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për ta shkarkuar si gjyqtare. Pavarësisht kësaj kërkese ekstreme nga ana e ministrit Manjani, Qeleshit deklaron se e pret e qetë vendimin e eprorëve të saj, pasi ajo është e bindur se ka vepruar drejt dhe konform ligjit në fuqi.

Kështu gjyqtarja e Durrësit nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për nisjen e një procesi disiplinor ndaj saj. Por gjyqtarja ka pohuar se për këtë rast ajo ka folur nëpërmjet vendimit të dhënë për pronën në Gjirin e Lalëzit. “Kam folur përmes vendimit”- mësohet të ketë thënë gjyqtarja Joana Qeleshi pas interesimit të gazetarëve. Gjyqtarja Qeleshi u akuzua nga ministri Manjani dhe kryeministri Rama për vendim të padrejtë, duke i dhënë një pronë familje Seçuni, e cila më pas u kthyer në shkak për dhunimin e biznesmenit libanez Faad Mitri. Biznesmeni libanez, i cili do të kryente një investim 450 milionë euro në Gjirin e Lalzit u largua me barelë nga spitali drejt aeroportit ku mori avionin për të ikur përfundimisht nga Shqipëria. Vendimi erdhi pasi u dhunua barbarisht nga disa persona të cilët e rrahën me shkop bejsbolli.

Ministri saktësoi se “Gjyqtarja është vlerësuar në vite, por ky është një vendim i rëndë në dëm të interesit të publikut. Ka shkelur ligjin dhe ka cenuar punën e gjyqtarit”. Prona në Gjirin e Lalëzit dhe rrahja e biznesmenit libanez Faadi Mitri, gjyqtarja e Durrësit kanë shkaktuar debat dhe në arenën politike. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë si aktorin kryesor që çoi deri në dhunimin e largimin e libanezit nga vendi, kurse kryeministri Rama akuzoi gjyqtaren e çështjes, se ajo ishte shkaktarja që dha vendimin e gabuar për pronën tek Gjiri i Lalëzit. Autorët ende nuk janë gjetur, ndërsa dy ditë më parë u bë publike edhe fotoja e personit që ka rrahur brutalisht biznesmenin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat