Rama: Riciklimi i mbetjeve, industria që jemi të vendosur ta zhvillojmë

Shqipëria

Rama: Riciklimi i mbetjeve, industria që jemi të vendosur ta zhvillojmë

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 12:02
Problemi Edi Rama

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me shoqatën e ricikluesve në sallën e hartave në Kryeministri. Rama u ndal në ligjin e miratuar së fundmi në Parlament për importin e mbetjeve dhe analizoi ndryshimet që sipas tij ky ligj ka me atë që disa vite më parë opozita, në krye të së cilës ishte vetë, e kundërshtoi fuqishëm.

Sipas Ramës, ka një diferencë mes ligjit të propozuar nga qeveria “Berisha” dhe ligjit të miratuar të enjten e kaluar me 63 vota.

“Ishte një ligj që krijonte hapësirë për import plehrash për djegie apo groposje në Shqipëri. Ai ligj lejonte licencimin e çdo subjekti kërkues për import mbetjesh. Ligji aplikohej në një kontekst të paqëndrueshëm. Ligji i ri ka vetëm një ndryshim në raport me industrinë e riciklimit. Ligji i ri u njeh të drejtën të gjithë subjekteve ricikluese të blejnë mbetje të blerta dhe t’i importojnë ato. Ky është thelbi, të gjitha të tjerat janë spekulime dhe përpjekje për të instrumentalizuar një emocion të kuptueshëm në lidhje me këtë temë”, tha ai.

Sipas Ramës, miratimi i këtij ligji e vendos Shqipërinë në listën e vendeve që i njohin industrisë vendase ricikluese të drejtën për të importuar lëndën e parë.

“Para miratimit të këtij ligji ne ishim i vetmi vend në Europë që nuk u njihnim fabrikave të drejtën e blerjes së lëndës bazë dhe importimit të saj. Miratimi i këtij ligji e vendos Shqipërinë në përputhje me ligjet e BE-së mbi menaxhimin e mbetjeve të gjelbra. Është një hap që ka vetëm të mira publike dhe sjell një energji të re për një industri që ne jemi shumë të vendosur ta zhvillojmë, sepse pa të nuk mund të përfytyrojmë një Shqipëri më të pastër”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se në kushtet kur Shqipëria ka probleme me plehrat e veta, ajo që nuk funksionon siç duhet është sistemi i ndarjes në burim, një çështje e zgjidhur në vendet e tjera, nga të cilat importohen mbetje. Në këtë pikë, ai kërkoi mbështetjen e qeverisjes vendore për aplikimin e një sistemi të tillë.

“Pse duhet të blejmë mbetje kur Shqipëria ka një problem serioz me domosdoshmërinë për riciklim? Këto mbetje nuk janë plehra. Janë lëndë e parë me vlerë. Në Komisionin Europian është në diskutim kalimi përfundimtar i tyre në sitën e lëndëve të para. Industria, fabrika nuk munden dot të zgjidhin problemin e riciklimit në Shqipëri, sepse vendet që bëjnë ekonomi me riciklimin janë vende që i kanë të ndara që në burim. Sot vlerësohet se rrjeti i kësaj industrie në Shqipëri është mbi 30 mijë njerëz që paguhen. Por kjo nuk mund të bëhet vetëm nga industria, duhet të angazhohen edhe bashkitë dhe ne jemi të vendosur ta çojmë para këtë proces. Nuk mund të bësh ndarjen nëse nuk ke një industri në këmbë”, tha ai.

Në lidhje me rastin e Napolit, i cili merret shpesh si shembull nga shoqëria civile, e cila e ka kundërshtuar miratimin e këtij ligji, Rama tha se mafia ka luajtur rolin e saj pengues.

“Ka një spekulim tjetër, shikoni Napolin. Problemi themelor i Napolit është se strukturat e aktiviteti që bëhen me plehrat janë kundër industrisë së riciklimit. Armiku më i madh i riciklimit është mafia. Në Napoli ka qenë e pamundur të bëhet sistemi i diferencuar i mbetjeve në burim. Beteja në Napoli është beteja e atyre që groposin me shtetin”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat