Komisioni miraton p/ligjin “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”

Shqipëria

Komisioni miraton p/ligjin “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 14:35
Vasilika Hysi

Komisioni i posaçëm parlamentar po shkon drejt përmbylljes së procesit të miratimit të 6 ligjeve mbështetëse të reformës në drejtësi, që i hapin rrugën zbatimit të saj.

Në mbledhjen e sotme, ku sërish mungonte opozita, u diskutua pr/ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ndërsa të hënën do të diskutohet drafti i fundit, ai “Për Gjykatën Kushtetuese”. Pas kësaj, paketa e plotë ligjore do t’í kalojë për miratim seancës së ardhshme të Kuvendit, më 29 shtator.

Anëtarja e komisionit, deputetja Vasilika Hysi, duke folur për p/ligjin e diskutuar sot, tha se përmes tij rregullohet mjaft mirë statusi i gjyqtarit dhe prokurorit, karriera e tyre, kriteret e emërimit, të transferimit dhe komandimit, etj. Nuk do të kemi më raste, tha ajo, që një gjyqtar, nga shkalla e parë të katapultohet në Gjykatën e Lartë, se të gjitha janë të rregulluara në ligj. Po ashtu, sipas Hysit, ligji i ri rregullon aspektet e masave disiplinore të gjyqtarëve.
Hysi saktësoi se të enjten, të gjitha ligjet do të jenë për votim në seancë.

Pr/ligji “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”, një nga më të rëndësishmit e paketës ligjore, parashikon të drejtat dhe detyrimet e tyre, kriteret dhe procedurën për pranimin, emërimin, zhvillimin e karrierës, mbarimin e mandatit, etj.
Me ligjin e ri gjyqtarët e prokurorë do të jenë të gjithë ata që do të kalojnë procesin e verifikimit të figurës (vetingun) dhe do të kenë një sërë garancish në pozicionin e tyre, për të qënë profesionistë, të pa ndikuar nga politika apo nga grupet kriminale.
Një moment i spikatur i pr/ligjit janë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të pësojnë një rritje të konsiderueshme, në mënyrë që edhe ata të kenë një trajtim dinjitoz, sipas standardeve europiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat