Drejt përfundimit mandati i Avokatit të Popullit, Kuvendi hap procedurat për kandidatët e rinj

Shqipëria

Drejt përfundimit mandati i Avokatit të Popullit, Kuvendi hap procedurat për kandidatët e rinj

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 13:04
Selia e Avokatit të Popullit

Parlamenti hap procedurat për pranimin e kandidaturave për Avokatin e ri të Popullit. Siç e parashikon ligji, mandati i Avokatit të Popullit përfundon në dhjetor 2016. Me anë të një njoftimi, Parlamenti fton të interesuarit të paraqesin kandidaturën e tyre.

Një ndër kushtet për të kandiduar në këtë post është mospërfshirja në parti apo organizata politike.

Aktualisht, postin e Avokatit të Popullit e mban Igli Totozani, i cili është zgjedhur nga Parlamenti seancën e fundit të dhjetorit në vitin 2011.

Njoftimi i Kuvendit

Ftohet çdo shtetas shqiptar, i cili plotëson kushtet e parashikuara në nenin 3, të ligjit nr.8454 datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit” i ndryshuar, të paraqesë kandidaturën për Avokat të Popullit të Republikës së Shqipërisë:

Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit

Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:

a): të jetë shtetas shqiptar.

b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;

c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;

ç): të mos jetë dënuar penalisht

d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.

Kandidatët duhet të paraqesin dokumentet zyrtarisht pranë sekretarisë së Kuvendit të Shqipërisë. Dokumentet duhet të përmbajnë:

Kërkesë për shprehje interesi për të kandiduar për vendin vakant të shpallur
CV-në, nr kontakti tel/email/
Fotokopje e kartës së identitetit
Librezë pune e noterizuar
Diplomë që provon se ka mbaruar arsimin e lartë universitar / studime pas universitare/ të noterizuara
Vërtetim të gjendjes gjyqësore që nuk ka qenë i dënuar penalisht.
Plotësim dhe nënshkrimi i formularit vetëdeklarimi, sipas përcaktimeve të ligjit nr 138/2015 “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”.
Deklaratë që kandidati nuk është anëtar i partive politike.
Deklaratë që kandidati nuk është në konflikt interesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat