Darka e marrëveshjes?! Rama flet për 5 orët me Metën

Shqipëria

Darka e marrëveshjes?! Rama flet për 5 orët me Metën

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 09:02
Edi Rama e Ilir Meta

Deri të enjten në mbrëmje, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte shmangur me një fjalor të kujdesshëm një parashikim në lidhje me të ardhmen e koalicionit qeveritar.

Por takimi me Ilir Metën në Kryeministri, deri në mesnatën e së mërkurës, e ka bërë kryeministrin të flasë i pari. Kamerat ruajtën për 5 orë çiftin drejtues të mazhorancës, por as ato dhe askush nuk arriti të kuptonte asgjë, nga darka e tyre më e gjatë që prej asaj të “ngjalave” në Lalëz.

Por Edi Rama zgjodhi një replikë me opozitën, e cila që kur bashkëpunoi me Metën për Reformën në Drejtësi dhe pas 21 korrikut, ka flirtuar me idenë e një koalicioni me kreun e LSI-së.

“Meqë e kishe merak takimin tim dje, po të them që nuk ishte as për mbetjet, as për kanabisin dhe për asgjë tjetër. Ishte për të diskutuar sesi do të ndërtojmë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Kur ta mbarojmë diskutimin do t’ju noftojmë për dhimbjen tuaj”, deklaroi Rama nga foltorja e Kuvendit.

Edi Rama nuk dha detaje për takimin 5-orësh me Ilir Metën dhe as nuk foli se cilat janë piketat kryesore të marrëveshjes për një tjetër koalicion parazgjedhor. Por për të treguar se bisedimet janë në rrugë të mbarë, kryeministri u tregua i pakursyer edhe në ironinë me sjelljen politike të opozitës.

“Në mënyrë që edhe ju të flini mendjen, se jeni bërë kaq qesharakë sa dukeni si një komshi që thotë: mua s’më merr njeri, por ishalla po ndahen komshinjtë e mi, që të më marrë ndonjëri prej tyre”, u shpreh Rama.

Por, a është ky sinjali më i qartë se koalicioni i majtë tashmë ka gjetur kyçin e një marrëveshjeje të re për zgjedhjet e 2017-s? Këtë “pickim” të Edi Ramës ndaj opozitës, që ende kujton me nostalgji pushtetin me LSI-në, e përgënjeshtron vetëm një njeri…dhe ky është Ilir Meta. Por ky i fundit ka heshtur. Siç kanë treguar zhvillimet e fundit politike, heshtja është e njëjtë me miratimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat