Klosi takon zv/kryeministrin italian, diskutojnë për njohjen e pensioneve

Shqipëria

Klosi takon zv/kryeministrin italian, diskutojnë për njohjen e pensioneve

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 15:27
Pamje nga takimi

Në vijim të vizitës në Itali, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi u prit nga zëvendëskryeministri italian, Tommaso Nannicini.

Çështja e njohjes së pensioneve nga të dyja shtetet ishte në fokus të takimit mes Nannicini dhe Klosit, negociata që kanë nisur disa kohë më parë me shtetin italian.

Për këtë arsye, Klosi kërkoi nga zv/kryeministrit Italian, ecjen më shpejt me njohjen e marrëveshjes së kontributeve shoqërore, marrëveshje që do tu vijë në ndihmë mijëra shtetasve shqiptarë që vitet e punës  kanë ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë, sikundër edhe qindra qytetarëve italianë që gjithashtu kanë ndarë vitet e punës mes të dyja shteteve.

Gjatë vizitës zyrtare u diskutuan çështjet e punësimit dhe vecanërisht investimeve italiane në Shqipëri, nga ku  Ministri Klosi vlerësoi mbështetjen që po i jep Italia,  Arsimit dhe Formimit Profesional, duke ofruar ndihmë financiare në disa mijëra euro dhe asistencë në ngritjen dhe fuqizimin e Arsimit Profesional.

Italia po ndërmjetëson binjakëzimin e një sërë shkollash profesionale, vecanërisht të Hoteli – Turizmit, me shkollat më të mira të këtij profilit në këtë shtet.

Nannicini u angazhua të vijojë të shtyjë këtë proces përpara, për të miratuar sa më shpejt marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë. Në këtë kuadër ai pranoi ftesën e ministrit Klosi, për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë, ku marrëveshja e pensioneve do të diskutohet në terma konkrete.

Italia, është vendi me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, së bashku me Greqinë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat