Policia shqiptare dhe italiane 8 orë ndjekje gomones me 31 pako kanabis, 'zhduken' 3 trafikantët

Shqipëria

Policia shqiptare dhe italiane 8 orë ndjekje gomones me 31 pako kanabis, 'zhduken' 3 trafikantët

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 11:19
Ilustrim

Një gomone e ngarkuar me 31 pako të mëdha me lëndë narkotike u kap në Brindizi të Italisë, pas një ndjekje në det që nisi nga Policia e Shtetit në brigjet shqiptare.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gomonia 8.5 metra e gjatë, me dy motorë është konstatuar nga ana e shërbimeve të policisë kufitare, rreth orës 22:00 të 18 shtatorit në lumin Vjosë, në afërsi të Urës së Mifolit. Pasi ka parë lëvizje në afërsi të tij, gomonia në të cilën dyshohet se kanë qenë tre trafikantë, është larguar me shpejtësi.

Në këto kushte është njoftuar policia kufitare e Vlorës. Edhe pse efektivët kufitarë kanë hapur zjarr në ajër duke i bërë thirrje personave në bord që të ndalojnë, trafikantët kanë vijuar sërish udhëtimin me shpejtësi duke kaluar në ujërat ndërkombëtarë.

Në operacion u angazhuan edhe autoritetet policore italiane, Guardia di Finanza, të cilët bënë të mundur kapjen e gomones rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm në territorin e Torre Santa Sabina. Ndërkohë, tre trafikantët kanë arritur të dalin në breg dhe të largohen.

“Rreth 2 kilometra nga grykë derdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare, e planifikuar në shërbime në atë vend, i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Thirrjes  për të ndaluar, drejtuesi i mjetit nuk i është përgjigjur, por ka shtuar shpejtësinë. Nga ana e shërbimeve të Policisë është hapur zjarr në ajër për ta ndaluar por përsëri mjeti ka vijuar me shpejtësi të madhe. Shërbimet e Policisë në momentin që i kanë bërë thirrje të ndalojë kanë identifikuar mjetin lundrues i tipit gomone me tre persona në bord i ngarkuar me disa thasë.

Ndërkohë pas njoftimit të marrë nga organet kompetente të Policisë së Shtetit, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë të  repartit special Delta në bashkëpunim me forcat e njësisë së Guardia di Finanza në Vlorë është organizuar operacioni për kapjen e mjetit.

Megjithë reagimin në një kohë mjaft të shpejtë të forcave policore,  mjeti ka arritur të largohet i  ndihmuar edhe nga moti i keq.

Në ndjekje të mjetit janë vënë mjeti i Policisë Kufitare Vlorë, mjeti i repartit Special Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza.

 Megjithëse moti ishte shumë i keq dhe binte shumë shi, është vijuar me ndjekjen e mjetit deri në ujërat  ndërkombëtare dhe njëkohësisht nga ana jonë janë njoftuar kolegët e Guardia di Finanzës në Bari.

Shërbimet e  Policisë Kufitare Vlorë, Repartit Delta dhe Guardia di Financa, kanë qëndruar në det deri në orën 05.00 të mëngjesit të sotëm kohë kur janë njoftuar se mjetet e Guardia di Financa të Barit ishin në ndjekje te gomones.

Rreth orës 06:00 nga Guradia di Finanza e Barit jemi njoftuar se, në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur mjeti lundrues tip gomone me gjatësi 8.5 metra, me motor Merkuri 250, plus motor rezerve, si dhe 31 pako marijuanë, ndërsa tre trafikantët kanë arritur të dalin në breg dhe më pas të largohen.

Vijon operacioni për  kapjen e tre autorëve .

Gurdia di Finanza Bari, në përfundim të operacionit  gjatë një komunikimi zyrtar me Policinë e Shtetit, ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe koordinimi me Policinë e Shtetit në këtë aksion, si edhe në raste të tjera, ka qenë jetik për suksesin e arritur dhe kanë falënderuar përzemërsisht shërbimet e Policisë Kufitare për operacionin,  informacionet e sakta dhe për bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat