Humbja në Dibër, Genc Ruli mbron Lulzim Bashën

Shqipëria

Humbja në Dibër, Genc Ruli mbron Lulzim Bashën

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 09:55
Basha e Ruli

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli i ka dalë në mbrojtje të kryetarit Lulzim Basha, pas akuzave të shumta që janë hedhur në drejtim të tij nga grupi parlamentar, por edhe nga baza për humbjen e thellë që pësoi e djathta në zgjedhjet e pjesshme në Dibër, më 11 shtator. Gjatë një takimi nga Maliqi me degën e PD-së për zgjedhjet për kryetar, Ruli ka deklaruar se e djathta e ka betejën e saj me kundërshtarin politik dhe jo me veten. Sipas Rulit vëmendja duhet përqendruar te zgjedhjet e ardhshme, pasi fushata për zgjedhjet parlamentare vitin tjetër do të jetë më e vështira e 25 viteve të fundit në Shqipëri dhe për këtë duhet mobilizim, energji e bashkim dhe jo përçarje. "PD-ja është përçuese e mentalitetit perëndimor. Betejën sot e kemi me kundërshtarin politik, jo me veten. Nesër është beteja jonë e madhe. Kjo do jetë fushata më e vështirë në këto 25 vite. Sot kemi regjimin që nuk ka dalë nga vota. E majta e vërtetë është më e zhgënjyera sepse sot është pushteti i bandave. Dibra tregoi se e keqja është e madhe. Kjo është republika e kanabisit. Kjo mortje duhet mbytur në 2017. Nëse ka një forcë që ka mundësinë për të rrëzuar këtë pushtët, jemi vetëm ne PD-ja”, tha Ruli para anëtarë- sisë së djathtë në Maliq.

Shpesh herë Bashës i është kërkuar nga baza që të largojë kastën e vjetër për të futur një frymë të re, ndërsa situata në grupin parlamentar nuk është aspak e qetë, pasi përplasjet tashmë nuk janë më vetëm brenda dyerve të partisë, por edhe në publik, ku kryetari është kritikuar hapur. Një prej tyre është ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila gjatë mbledhjes së grupit të PD-së është shprehur hapur kundër Bashës. Në një emision televiziv, ajo pranoi se do të ishte më mirë sikur në krye të partisë më të madhe opozitare në vend të ishte zgjedhur Sokol Olldashi, për të cilin ajo pranoi se ka votuar, por që sot nuk jeton më. Një tjetër zë i fuqishëm kritik brenda së djathtës është edhe Eduart Selami, i cili në vijimësi ka hedhur idenë e rishikimi të lidershipit të PD-së. Vetëm pak më parë, ai i shprehu hapur Bashës që të largojë nga PD-ja njerëz që janë pranë tij, madje nuk nguroi të përmendë edhe emra. Eno Bozdo duhet të largohet nga strukturat e PD-së, sepse sipas tij ai është shkaktar i humbjeve të zgjedhjeve në Dibër. Ndër të tjera ai fajësoi kreun e opozitës për humbjet në tre palë zgjedhjet e fundit që ai ka qenë si kryetar. Kjo ka bërë që Ruli dhe figura të tjera në PD të kërkojnë për qetësim të gjakrave pasi përçarja brenda grupit rrit rrezikun që e djathta të shkojë e përçarë në zgjedhjet e vitit 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat