Përplasja për humbjen në Dibër, zbardhen debatet në grupin e PD

Shqipëria

Përplasja për humbjen në Dibër, zbardhen debatet në grupin e PD

Më: 15 shtator 2016 Në ora: 09:55
Lulzim Basha

Një pjesë e deputetëve mbrojtën versionin zyrtar se zgjedhjet u blenë dhe se Dibra ishte mbuluar nga droga dhe se shumica përdori bandat për të fituar, por Majlinda Bregu, Eduart Selami, Astrit Patozi e Arben Imami kritikuan drejtimin e PD-së duke akuzuar Bashën për mungesë lidershipi dhe fatalizëm apo për lëvizje të gabuara. Ish-kryeministri Berisha foli për revolucion demokratik për të ndryshuar gjendjen. Basha: E inkurajoj debatin, por e nesërmja na vë përballë kundërshtarëve

Partia Demokratike është përfshirë nga debatet pas humbjes së thellë në Dibër. Edhe pse shumica e deputetëve që morën pjesë në fushatë duke u angazhuar drejtpërdrejt për ditë me radhë mbrojtën versionin e blerjes së votës, zërat kundër kërkuan analiza më të thella dhe folën për struktura të dobëta.

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk mbajti haptazi ndonjë qëndrim, por i mëshoi idesë se problemi nuk ishte analiza brenda PD, por fakti se “Shqipëria është bërë Kolumbi dhe duhet revolucion demokratik për të ndryshuar gjendjen”.

Ndër debatuesit ka qenë Arben Imami, i cili madje ka braktisur takimin pas përplasjes me Edi Palokën dhe Arben Ristanin.

Imami tha se humbja ishte problem i strukturave të PD, por Paloka dhe Ristani e akuzuan se nuk kishte qenë fare në Dibër.

“Isha i bindur se nuk po veprohej drejt, prandaj s’erdha në fushatë!”, ka thënë Imami.

Majlinda Bregu po ashtu ka qenë e ashpër duke thënë se nuk do priste 2017 për të folur.

Bregu i ka kërkuar drejtuesve të partisë të marrin përgjegjësitë, ndërsa e ka pyetur kryetarin Basha se a ka dijeni që degët e partisë në rrethe janë duke u tkurrur.

Përballë akuzave dhe kritikave është vënë dhe sekretari organizativ Enno Bozdo, pasi deputeti Roland Keta ka kërkuar shkarkimin e tij duke e cilësuar arrogant me strukturat.

Po ashtu i ashpër ishte Eduart Selami, i cili tha se këto ishin zgjedhjet e katërta në radhë që humbeshin dhe për asnjë prej tyre nuk ishte bërë një analizë.

Astrit Patozi cilësoi të gabuar kthimin e zgjedhjeve të Dibrës në një çështje kombëtare, madje duke kërkuar edhe që analiza e tyre të ishte lokale dhe që PD në qendër të merrej me zgjedhjet e 2017, Kodin Zgjedhor dhe si të mbronte votën.

Në përfundim të mbledhjes, debatet dhe diskutimet në grup, kryetari i Partisë Demokratike, Basha i vlerësoi të dobishme, ndërsa garantoi qëndrimin unanim të grupit, në betejën për të shkëputur hallkat e qeverisë me krimin.

“Grupi tregoi një vendosmëri të plotë dhe të gjithanshme për një konkluzion të cilin unë e kam shpallur tashmë dhe dua t’ua përsëris: Vendosmërinë e Partisë Demokratike për të bërë gjithçka që të këpusë hallkat që lidhin krimin me politikën. Në veçanti kartelin e drogës, e cila ka mbuluar Shqipërinë dhe e ka futur për herë të parë në 26 vite në një situatë të paprecedentë për sa i përket kultivimit të drogës”, tha Lulzim Basha pas mbledhjes.

Ai tha se “ne do t’ia dalim t’i këpusim këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër”, ndërsa në takim pranoi se PD-së i duhej “një analizë e thellë dhe e ftohtë”.

Debatet

Aldo Bumçi: Të mos biem në grackën e PS, problemi nuk është te zbatimi i statutit në PD. Bandat dhe droga ka bërë namin në Dibër. Nuk është çështja te qytetarët aty, aty ne kemi funksionuar. Puna është të kërkojmë zgjidhje të mëdha politike. Për mua dy janë rrugët: Ose zgjidhje politike këtu në qendër, ose ekuilibrim forcash në terren.

Asllan Dogjani: Aktivizimi ynë ishte plus dhe ishte shumë mirë. Por nuk kemi çfarë i bëjmë drogës, aty ka marrë çdo parcelë drogën e vet. Policia është e politizuar, shefi i krimeve punonte për të ruajtur drogën dhe tani iu bënte shantazh me foto, ndryshe do kishin pasoja. Ne drogën e kemi kudo, e keni në Zall-Herr, e keni në çdo cep, ky është problemi më i madh që duhet të jap zgjedhjen opozita.

Eduard Halimi: Për mua Dibra nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga rezultati në Peqin, nga Kruja, Kavaja, Durrësi e me radhë. Kësaj radhe mori përmasa krejt dramatike sepse kështu janë tashmë edhe përmasat e drogës dhe krimit në vend. Opozitat nuk çajnë dot bandat dhe krimin. Këtu duhen zgjidhje po aq radikale sepse situata është e rëndë. Policia e kishte me listë, kush kalon, kush nuk kalon, në zona të caktuara. Si mund të përballemi me këtë ne? Vetëm masa drastike…Çështja themelore është të jemi përballë Ramës… Çfarë do i bëjmë eksperimenteve të Ramës? Rezistencë e fortë, qeveri teknike. Rama i shtyn që ne mos dalim në protesta që të duket sikur jemi kundër, cilat janë masat që do marrim se është eksperimenti më i poshtër me demokracinë dhe me popullin.

Arben Ristani: Nga teoria e gabimit nuk shpëtojmë dot. A mund të vendosim një kod sinqeriteti me njëri-tjetrin. Dibra, angazhim më të madh se kjo nuk mund të ketë, se ishim tepër të nderuar. Nuk u humb nga gabimet tona. Selishta 50 minus, zonë e mbjellë më shumë me drogë. Janë takuar të gjithë faktorët… Gjithë ky aktivitet nuk ja del dot mafies shqiptare dhe parave. Të ngremë protesta dhe opinionin intelektual, patjetër që organizimi duhet. Me krim me drogë me paratë nuk ja dalim dot. Pa besnikëri dhe sinqeritet nuk bëjmë dot.

Florion Mima: Ne të gjithë në terren e pamë që janë punësuar 30 çuna nga fshati, 15 euro në ditë me parcelat e drogës. Shefi i komisariatit ka kontaktuar me mbjellësit e drogës dhe ju ka thënë kemi foto për çdo parcelë, ose votën ose jeni të gjithë në burg. Pas orës 4 kur u kthyen nga parcelat me kanabis u rrit ritmi i votimit.

Bedri Hoxha: Ne jemi bërë për të ikur një pjesë, duan fytyra të reja. Emëro njerëzit lëre mos bëj zgjedhje.

Oerd Bylykbashi: Atje do kishte humbur kushdo, mënyra si kontrollohet qendra e votimit është e rëndë. Çelësi i tyre është te njerëzit që shpërndajnë paratë, nuk është çështje e statusit tonë. Po u morëm me vete s’ka lidhje duhet të bëjmë një gjë ndryshe. Veprim politik i fortë që do na bëj në 10 muaj të jenë sytë e veshët te zgjedhjet. Në 2001 mazhoranca fitoi, por nuk kishte besueshmëri, duhet vepruar ndryshe. Ne shikojmë silueta tani, por ka shumë, më shumë poshtë nga droga dhe krimi. Çdo lloj reforme nuk na jep rezultat, duhet aksion. Po e kthyem përplasjen brenda nuk dalim gjëkundi.

Albana Vokshi: Thoni tani se humbëm prej drogës, por gjatë fushatës na thatë që mos i sulmoni sepse fshatarët merren me drogë dhe duan të marrin fitimet…Djemtë e kryeplakut kishin parcela droge dhe ka ndenjur aty me deputetët. Votuesit bënin foto dhe merrnin lekët te dyqani fshatit. Banor të Tiranës ishin. Djemtë e kryetarit të qendrës së votimit kanë votuar për Muharrem Ramën. Infermierëve u bëhej presion. Duhet të komandoni kryetarë degësh dhe pastaj në bazë të rezultatit shikojmë.

Astrit Patozi: Jemi trupa më e lartë politike e PD dhe nuk mund të mbetemi peng i Dibrës, analizën e detajuar ç’ndodhi atje duhet ta bëjë dega lokale, ajo që ne do bëjmë është të marrim një sinjal dhe të japim një mesazh për zgjedhjet e vitit 2017 dhe asgjë tjetër. Nuk e sollën vetëm problemet tona të brendshme, të cilat qëndrojnë siç e theksuan shumë nga kolegët, humbjen e thellë në Dibër. Edhe mund të fitonim dhe do të brohorisnim një muaj, por pas 10 muajsh do na ndodhte në zgjedhjet e përgjithshme, ndaj më mirë që i humbëm se pamë skemën e tyre.

Të mos harrojmë që ne e mundëm PS në Mokër në 2006, ndaj edhe të mos e konsiderojmë gjëmë. Nga ana tjetër, unë nuk mendoj se duhet ta ngrinim stekën deri aty në Dibër, që ta trajtonim si çështje kombëtare. Por ky gabim u bë tani. Po dëgjoj këtu për skenarët e daljes nga kriza, që janë qeveria teknike apo përgjigja në të njëjtën monedhë, pra bandave me banda. I përjashtoj të dyja. Të parën nuk e arrijmë dot. Të dytën nuk duhet ta çojmë ndërmend. Nuk duhet të na shkoj në mend kjo se jemi parti vlerash. Por edhe sikur të braktisnim parimet tona dhe ta provonim do të humbnim shumë keq se luajmë në terrenin e tyre, pas kësaj publiku do thotë se është çështje horrash, që u ndeshën mes tyre. Dhe ne nuk na takon ta bëjmë këtë gjëmë, sepse të paktën të ruajmë kauzën. Ne jemi të vonuar te reforma zgjedhore, kemi humbur kohë duke u zvarritur me reformën në drejtësi e çështje të tjera, ndërkohë që kjo duhet të ishte fokusi ynë kryesor. Problemet që nxirren në Dibër mund të shërbejnë që të riparojmë diçka deri pas një viti. Ne duhet të ushtrojmë force dhe presion të përditshëm për Kodin e ri Zgjedhor dhe për një minimum garancish për zgjedhje normale. Së dyti nuk gjykoj se strukturat do na e zgjidhin hallin e madh. Ato janë problem, dhe duhen riparuar, por kryesorja është fryma. Duhet të merremi me mesazhin e madh politik. Bandat janë në qarkullim, mafia është e fortë, por do jetë e shpërndarë në gjithë vendin dhe do ta ketë shumë të vështirë të na mundë. Nuk e bën dot në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, apo gjetkë atë që bëri në malësinë e Dibrës… Ne nuk kemi detyrë të bëjmë mrekullinë për fitore plebishitare. Misioni ynë është të dalim parti e parë. Po e arritëm këtë, kurrë mos e bëfshim qeverinë, e kemi kryer detyrimin tonë. PD është si Bayerni, po doli e dyta konsiderohet humbje.

Eduard Selami: Rezultati duhet të merret seriozisht. Duke thënë çdo palë zgjedhje, u bënë zgjedhjet e katërta që humbasim radhazi, dhe themi vjedhje, droga, kjo do të thotë të dorëzohemi. Më shumë se humbja, shqetësuese është menaxhimi i saj dhe përgatitja për 2017. Ky dorëzim është dorëzim për 2017. Kam marrë mijëra mesazhe nga demokratë të demoralizuar për menaxhimin e situatës. Aleancat qesharake që deri dje godisnin rëndë ish kryeministrin dhe ish-kryetarin e partisë. Duhet diskutuar lidershipi. Na thoni mos sulmoni LSI, njoh socialist të korruptuar, njoh demokrat të korruptuar, por nuk njoh asnjë të LSI që të mos jetë i korruptuar. Kjo është shpresa jonë?!

Gent Strazimiri: Një pjesë e kolegëve nuk i dinë hallet aty në votim. Ajo natë në Sohodoll ka qenë e tmerrshme. Bëmë shumë mirë që shkuam aty. Ata kanë blerë 1600 vota atje, me buxhet të pakufizuar, mesatarja 50 euro. E zgjidh këtë punë mbledhja e këshillit kombëtar, jo sigurisht. Aq sa e zgjidhnin deputetët që kanë bërë operacione policore. Çdo gjë tjetër që shkon te pjesa jonë, është kot, ata e kanë mbytur me lek. Panë Luzninë dhe e dinin me lekët që kishin dhënë sesa vota kishte brenda kutia. Na e thoshin para. A do të pranojmë që ta detyrojnë shqiptarin të heq dorë vullnetarisht nga e drejta e votës?!

Kastriot Islami: 3 sfida. Sfida 1: Lidhur me krimin, lidhur me korrupsionin dhe e lidhur me kanabisit. Sfida 2: Marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Pse nuk kanë thënë asgjë për të gjithë këto që po ndodhin. Sfida 3: Çështja e brendshme e partisë. Pa përballje masive nuk shkojmë dot në zgjedhje. Mbledhje demokratike të themi mendimin, por jo ta nxjerrim.

Keltis Kruja: Hashashi na ka marrë në qafë. Të bëjmë protestat, por të jemi plot aty. Dhe duhet ta ndërkombëtarizojmë çështjen. (Ata) Dalin deklarata për LGBT dhe nuk di për këtë. Vota jonë u deformua në shtëpi dhe jo rrugës.

Edi Paloka: Analizë se kemi, por diskutim i shpejtë. Mendoj që na shërben t’i themi gjërat realisht. Nuk duhet të fshehim të vërtetat e mëdha për gjëra të vogla. Problemet i dinim që në fillim, drogë dhe para që ditën e parë. Seksionet u ngritën dhe u forcuan dhe grupi parlamentar. Përplasjet ishin më të larta në vite, por i rregulluam me aq sa mundëm. Na thanë që nuk kemi kush na mbroj votën, shkuam për fitoren se nuk na e merrte mendja këto përmasa droge dhe paraja. Fryma ishte pozitive aty. Vinin socialistet tek ne edhe fshehurazi. Por ja që edhe fryma nuk bëri punë. Bëri që ata të mobilizoheshin për të blerë votat. Ishin fikur dritat në Sorodollë mes natës u përplasem me kriminel. Flamur Noka, u përball me terrorin që bënte ai te njerëzit. Në Luzni kishte uri për bukë, normale që një thes me miell (është shumë). Është ajo pjesa që nuk i intereson se çfarë ndodh. Strukturën e kemi në dorë vetë dhe e gjejmë kollaj, po të ishte çështja te foto e kishim zgjidhur. Po nuk janë këto problemet. Po thamë që PD është problemi hajde t’ia fusim Lul Bashës se na erdhi rasti kështu është tmerr nuk e di kush fiton nga ju. Çoni vetëm ujë te kundërshtari. 2001 ashtu na u duk, por tani është më rëndë. Ne me intelektual Bujarin dhe Petritin, ata fitojnë me Sadriun dhe Ymer Lalën. Po kërkuam t’ia fusim njëri-tjetrit do rri ai për 40 vjet.

Majlinda Bregu: Si ka mundësi që nuk shtuam asnjë votë në Dibër dhe i mori të gjitha Rama? Si ka mundësi që gjithë ai përqendrim atje nuk shtoi asnjë votë? Nuk bëhet dasma me krushq.

Krushqit përcillen me gëzim. Do vazhdojmë të themi na vranë, na vodhën dhe na blenë. Ky është fatalizëm. Duhet të flasim hapur më njëri-tjetrin se jemi në konfuzion total. A e di zoti kryetar që degët tona janë në zhbërje totale. Kanë tre vjet që bëjnë vetëm zgjedhje. Janë të përçarë dhe të pamotivuar. E dija boshllëkun që do linte ikja e Berishës. Por nuk kisha menduar kurrë që ne do të shkonim rrokopujë pas tri vitesh. Dhe e fundit. Unë pyes veten çfarë mund të bëja unë më shumë. Pyeti të gjithë pse nuk bëjmë dot më shumë. Jemi të demotivuar nga ky konfuzion, nga mungesa e strategjisë.

Lulzim Basha: E inkurajoj debatin, por e nesërmja na vë përballë kundërshtarëve. Ata mund të merren edhe me çështjet e brendshme. Ne duhet t’i tregojnë shqiptarëve që ishim aty për të mbështetur qytetarët dhe jo për të marrë bashkinë. Nesër do jetë problem kombëtar, në raport me drogën dhe me krimin. Si dhe pse shqiptarët duhet të kthejnë sytë nga ne?! E jona nuk është përplasje bandash, por bashkim vlerash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat