Kodet sekrete të heroinës/ Ja si shpërndahet droga në Tiranë

Shqipëria

Kodet sekrete të heroinës/ Ja si shpërndahet droga në Tiranë

Më: 14 shtator 2016 Në ora: 19:10
ilustrim

“M’ka ardhë i rob o plak nga Durrsi, mirëpo unë ja lavdërova ato atletet e tuja. I thashë janë origjinale. Do keshë naji palë t’mira”. Kjo frazë është shkëputur nga një bisedë mes dy personave, përgjimi i së cilës është përdorur si provë nga Prokuroria për Krimet e Rënda kundër nëntë personave të akuzuar për shpërndarjen e drogave të rënda në lagjet kryesore të Tiranës. “Atletet” e përmendura në bisedë nuk janë gjë tjetër veçse kodi i përdorur nga bashkëbiseduesit për doza të heroinës. “Panorama” zbardh sot disa nga dhjetëra bisedat e transkriptuara që gjenden në dosjen në ngarkim të tyre.

Dëshmitë e administruara për këtë gjykim, si edhe bisedat e përgjuara, japin një pamje të mënyrës sesi funksionon shpërndarja në doza të vogla të drogave të rënda në kryeqytet. Të pandehurit kanë zgjedhur vende të rastësishme, banesa të marra me qira, rrugë, apo lokale të rëndomta si pika të shpërndarjes.

Një nga përdoruesit që furnizohej prej tyre ka rrëfyer se “shitësi” ia sillte dozën e heroinës duke e mbajtur në gojë. Referuar përgjimeve, ftesa më e zakonshme që nënkuptonte se një përdorues kërkonte ndonjë dozë heroinë ishte “a do pijmë ndonjë kafe?”. Nga vëzhgimet ambientale që iu është bërë nga ana e agjentëve antidrogë, ka rezultuar se në pjesën më të madhe të këtyre rasteve personat vetëm takoheshin dhe bënin shkëmbimin para lokalit dhe as nuk uleshin në të.

Në të tjera biseda, ata diskutojnë për cilësinë e “mallit” apo sasinë e tij në dozat e shitura. Nëntë të pandehurit e kësaj dosjeje, të arrestuar në prill 2015 nga operacioni i koduar “Qiraja”, u gjykuan te Krimet e Rënda për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”, nga të cilat u provua vetëm akuza e parë. Në vendimin përfundimtar, ata morën dënimin nga 4 vjet e 6 muaj deri në 6 vjet, në total 46 vite e 9 muaj heqje lirie. Të pandehurit e kanë ankimuar këtë vendim dhe dosja pret të gjykohet në Apelin e Krimeve të Rënda.

SKEMA

Në vendimin përfundimtar Gjykata shprehej se nga provat e shqyrtuara kishte rezultuar e provuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, duke qenë përdorues të lëndës narkotike, kanë kryer shitblerje narkotikësh. Ata e kanë siguruar drogën në disa burime, ku një ndër furnizuesit ka qenë i pandehuri Ilia Elezi. Droga sigurohej prej tij nga persona të tjerë, ku më pas ai e shiste kryesisht te të pandehurit Grigor Baloshi dhe Gjergj Kolvani, por dhe te të pandehurit e tjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Të pandehurit Kolvani e Baloshi, secili për llogari të vet, lëndën narkotike, pasi e përpunonin, e shpërndanin dhe e shisnin te të pandehurit e tjerë. Sipas Gjykatës, të pandehurit gjenin klientë që i kishin të njohur, por edhe klientë të rinj. “Të pandehurit lëndën narkotike e kanë shitur secili për llogari të vet dhe në këtë marrëdhënie të kundraligjshme kanë qenë në rolin shitës e blerës, pavarësisht nga sasia e saj, aktivitet të cilin e kanë kryer më shumë se një herë”, shprehej Gjykata.

KODET SEKRETE

Bisedë e datës 14.11.2013, ora 08:23, mes numrit 069…630 dhe një përdoruesi. 630: Alo.

Përdorues: Hë lale ca bone?

630: Hic n`shpi.

Përdorues: M`ka ardhe i rob o plak nga Durrsi, mirpo una ja lavdërova ato atletet e tuja. I thash janë origjinale i thash. Do kesh naji palë t`mira?

630: Po me.

Përdorues: Se ai tamom do vijë do vijë me shpi kta dhe do e kesh klient t`mirë.

630: Po me.

Përdorues: Mirë pra he se ktu afër jam ke ura, erdha erdha tani d.m.th – ne direkt boje gati dhe hajde.

630: Pres ktu te shpia.

Përdorues: Hajt se erdha.

POROSITE

708: Ee. 117: Desha nja pese kokrra unë ee.

708: Po pra po nesër do vij. Ku ça ore takohemi n`ora dhjetë? Alo.

117: Është muhabeti se nesër e kam të vështirë unë ee, po qe me e bo sot e burrë, me u rregullu sot. Po t`vij unë e vlla ku je ti?

708: Po e mora vesh, e mora vesh, po i kam harxhu të tute unë e s`mar dot sonte, e kshuqe i marr neser n`mjes a më kupton?

117: Eee

708: Ee, se s`marr dot mbi 50.000 lekë n`ditë, e mos m`boj me fol shume n`telefon hajt.

117: Ej.

708: E më thuj, vetem m`len nji orar neser, nga ora dhjete kur t`dush ti, aty ku pi ti kafe, ku ke pi atje at rrugen aty. …

392: Alo 171: Hë shoku!

392: Ça do pijmë naji kafe me?

171: Po me.

392: Hajt për i gjys ore, dyzet minuta jam aty unë sa t’nisem.

171: Okej.

392: Hajt ciao.

DROGA NE GOJE

Dëshmitari Z. ka rrëfyer për llogari të hetimit se është përdorues i lëndëve narkotike të llojit heroinë prej 5 vitesh.

“Unë kam rreth tre muaj që lëndën narkotike të llojit heroinë e blej te kryqëzimi i rrugës ‘M…’ dhe konkretisht te një shtetas me emrin B., i cili qëndron në një lokal aty te kryqëzimi. Me këtë shtetas mua më kanë prezantuar mallistët e tjerë dhe unë sa herë që kam nevojë për të blerë heroinë, shkoj te lokali ku qëndron B. dhe i kërkoj mallin duke i thënë dua një copë apo dy sa lekë të kem. Një copë e shet kundrejt shumës 1000 lekë të reja. B. kur shet heroinë, herë e mban me vete dhe kur del te lokali, e fut në gojë dhe na jep neve, dhe herë ja mban një vaj./Panorama/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat