Brenda 29 shtatorit miratimi i p/ligjeve të reformës

Shqipëria

Brenda 29 shtatorit miratimi i p/ligjeve të reformës

Më: 14 shtator 2016 Në ora: 14:10
Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi

Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, i mbledhur mesditën e së mërkurës, gjeti dakortësi për kalendarin e shqyrtimit të 6 pr/ligjeve bazë, që do ta bëjnë të zbatueshme reformën kushtetuese.

Të gjitha draftet u ra dakord që të miratohen në Kuvend brenda datës 29 shtator.

Me konsensus palët vendosën që në seancën e 22 shtatorit të miratohen tre ligjet me prioritare të reformës, ai “Për Gjykatën Kushtetuese”, “Për organizimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe pr/ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor”, ndërsa tre ligjet e tjera do të kalojnë në seancën e 29 shtatorit.

Pas mbledhjes, që zgjati pak minuta, nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi tha për mediat se u diskutua kalendari i 6 pr/ligjeve. “Nisur nga nevoja për një diskutim të shëndetshëm, real dhe jo të nxituar, opozita propozoi që diskutimi i tyre të bëhet në dy faza. Deri më 22 shtator u ra dakord që të shqyrtohen tre draftet:“Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, pr/ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor” dhe pr/ligji “Për Gjykatën Kushtetuese”, por do të shohim mundësinë e diskutimit edhe të draftit “Për prokurorinë”. Ndërsa më 29 shtator do vijojë diskutimi i pr/ligjeve të mbetura”, tha ai.

Ndërsa anëtari i PS-së në komision, deputeti Pandeli Majko, duke e cilësuar mbledhjen e sotme të dobishme, tha se ramë dakord t’i përgjigjeshim kërkesës së opozitës për të patur kohë. Por, shtoi ai, me rëndësi është se javën tjetër ne e mbyllim historinë me paketën ligjore të reformës, pasi e kemi diskutuar edhe me ndërkombëtarët dhe presim tani që edhe kolegët e opozitës të japin mendimet e fundit.

Përfaqësuesi i LSI-së në komision, kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili, pohoi qëndrimet e parafolësve për shqyrtimin e 6 pr/ligjeve, brenda datës 29 shtator.

“U dakortësuam t’i japim kohë më shumë njëri-tjetrit duke e përmbyllur procesin brenda datës 29 shtator, pasi janë 6 ligje, shqyrtimi i të cilave do të fillojë nga nesër dhe kështu do të hapet mundësia për të bërë një diskutim të frytshëm të brendshëm, dhe për të ecur përpara, edhe me mirëkuptimin e opozitës. Kjo e sotmja ishte një nga mbledhjet më konstruktive dhe kjo duhet të vijojë edhe në ditët që vijnë, në sallën e parlamentit, sepse pas miratimit të reformës kushtetuese nuk kemi arsye pse të mos ecim me frymë konsensuale”, u shpreh Vasili.

Sipas kalendarit trejavor të punës së Kuvendit, 6 pr/ligjet ishin parashikuar të votohen në seancën plenare të 22 shtatorit.

Pas miratimit më 30 gusht të ligjit të vetingut, vetëm me votat e maxhorancës, me nisjen e sesionit të ri fokusi i punës së parlamentit janë 6 pr/ligjet e tjera, të hartuara me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, EURALIUS dhe OPDAT, që parashikojnë organizimin dhe funksionimin e disa prej organeve kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Për miratimin e tyre nevojitet shumicë e cilësuar (84 vota) ose 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat