Basha: Rama krihet para kamerave, biznesi drejt mbylljes së qepenave

Shqipëria

Basha: Rama krihet para kamerave, biznesi drejt mbylljes së qepenave

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 16:01
Lulzim Basha

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar sot përmes një deklarate për mediat lidhur me situatën ekonomike në vend.

Sipas tij ekonomia po shkon drejt tkurrjes dhe dobësimit, ndërsa shumë biznese janë drejt falimentimit.

Basha bën përgjegjës për këtë situatë kryeministrin e vendit, Edi Rama.

Kreu i opozitës i referohet shifrave zyrtare që vijnë nga Banka e Shqipërisë.

Ai thotë se hapi i parë për rrugëdalje nga kjo gjendje është largimi i të keqes që ka kapur peng vendin, duke iu referuar kështu qeverisë “Rama”.

Më poshtë deklarata e plotë e Bashës.

Lajme të këqija vijnë nga ekonomia e vendit që vazhdon të tkurret e të dobësohet.

Shifrat zyrtare te Bankës së Shqipërisë konfirmuan se kreditimi i ekonomisë në korrik 2016 ra 0.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo ka ardhur si pasojë e uljes me 1.7% të kreditimit për bizneset. Krahasuar me një vit me parë, por edhe nga muaji ne muaj situata vjen në përkeqësim.

Gjatë muajit korrik kreditimi ra me 0.5% krahasuar me muajin qershor, dhe kjo si pasojë e uljes me 1.2% të kreditimit të bizneseve.

Rënia e kreditimit do të thotë rënie e investimeve, më pak vende pune, më pak konsum, më pak prodhim. Të gjitha shenja se ekonomia dhe biznesi kanë hyrë në ciklin e zi të krizës së madhe. Vetëm në muajt maj dhe qershor 4 mijë biznese ndaluan aktivitetin.

Rënia e kreditimit është sinjali më i fortë i mosbesimit dhe panikut që ka mbërthyer ekonominë e biznesin.

Ekonomia dhe biznesi sigurisht do të njohin rënie e zvogëlim, sepse duhet të përballojnë dy realitete të paligjshme, ekonominë e biznesin e korrupsionit qeveritar dhe ekonominë e biznesin e drogës.

Ekonomia e biznesi i ndershëm është drejt falimentimit sepse të gjithë tenderat, koncesionet, pasuritë e paratë e shqiptarëve i marrin një grusht oligarkësh, që janë fitues të paracaktuar si miq të Edi Ramës.

Ekonomia e biznesi i ndershëm është drejt mbylljes së qepenave e në vend të tyre lulëzon biznesi i bandave të drogës të cilët fitojnë miliona euro cdo muaj në mënyrë të paligjshme, dhe kanë licencën e Edi Ramës në këmbim të taksës 30 përqind për çdo rrënjë.

Edi Rama vazhdon të krihet para kamerave, ndërkohë që ekonomia e biznesi i vendit po shkrumbohen.

Dje foli për arritjen e madhe, se ka dërguar ujë për vaditje atje ku nuk shkonte prej 20 vitesh. Po është e vërtetë, është uji që shkon për të vaditur parcelat me drogë, në vende ku nuk ishte parë e dëgjuar në këto 20 vite. Peshkopia ka dy dite pa uje. Po kështu dhjetëra qytete e mijëra fshatra anembane vendit.

Ky realitet i ka bërë shqiptarët më të vetëdijshëm se kurrë për keqeverisjen, për krimin e korrupsionin. Ka rrugedalje, ka shprese, ka zgjidhje. Largimi i te keqes qe ka kapur peng vendin eshte hapi i pare.

#Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat