Rama: Vettingu mesazh i qartë për të korruptuarit e drejtësisë

Shqipëria

Rama: Vettingu mesazh i qartë për të korruptuarit e drejtësisë

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 20:07
Edi Rama

I lehtësuar pas një tjetër hapi të rëndësishëm në reformën për drejtësi, kryeministri Rama deklaroi pas votimit të ligjit të vettingut se ky është një mesazh i qartë për të gjithë kastën e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se nuk ka vend për brerje ndërgjegje lidhur me mungesën e opozitës në votim, pasi siç tha ai, është e qartë se ajo nuk do këtë reformë.

I pyetur nëse ligji do të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese, Rama tha: “Nuk jam unë që do të pyetëm për këtë. Më mirë të mos përgjigjem se mund të them atë që mendoj në rastin e Gjykatës Kushtetuese”.

Bashkëbisedimi me gazetarët pas votimit në Kuvend:

Rama: Sot kasta e të korruptuarve dhe të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë e ka marrë mesazhin të qartë, sikundër shqiptarët kanë marrë tjetër konfirmim të vullnetit të patundur të kësaj shumice për ti dhënë më në fund këtij vendi drejtësinë e munguar, të mohuar për kaq shumë vite dhe për ti dhënë fund një historie të turpshme që ka njollosur keq Shqipërinë, të drejtësisë të kthyer në mall që shitet ose blihet. Sot kemi miratuar ligjin bazë të një ngrehinë të tërë ligjesh që do ndërtohet hap pas hapi. Dhe i hapur rrugë fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

 Do ju rëndojë në ndërgjegjen politike mungesa e opozitës në votim?

Rama: Nuk e di nëse ka mbetur në këtë vend, se jashtë nuk ka mbetur, dikush që mundet të vazhdojë të besojë në shprehjet e vullnetit të kësaj opozite për të mbrojtur Kushtetutën, këtë apo atë, dhe nëse ka mbetur njeri që vazhdon të besojë se kjo opozitë kërkon të reformojë drejtësinë. Në rastin e drejtësisë e ka politikën e diktuar nga një frikë e shpjegueshme prej vetë drejtësisë. Jo vetëm që nuk ka vend për vrasje ndërgjegjeje por ka vend për të thënë se kjo shumicë që i kishte votat për të kaluar ndryshimet kushtetuese dhe pa opozitën e priti deri në fund, pranoi të negocionte dhe modifikonte pa shkelur vijat e kuqe të përcaktuara nga proçesi dhe në produktin e ndryshimeve kushtetuese. Dhe për këtë proçes deri në fund kemi qenë të gatshëm për të bërë çdo gjë për të afruar palët. Opozita ka bërë atë që di të bëjë gjithmonë, të bëjë sikur do dhe të tregojë që nuk do. Është reformë që nuk ndalet. Çdo përpjekje për ta ndaluar në përpjekjen dhe qëllimin e saj është e destinuar të dështojë siç janë të destinuara të dështojnë të gjitha përpjekjet për ta penguar në emër të konsensusit.Nuk e kemi menduar kurrë reformën si një proçes pa opozitën, por nëse opozita nuk do patjetër dhe pa opozitën.

Do ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese?

Rama: Nuk jam unë që do të pyetëm për këtë. Më mirë të mos përgjigjem se mund të them atë që mendoj në rastin e Gjykatës Kushtetuese.Është moment i rëndësishëm sepse sot ka kaluar një ligj themelor që ne e kemi kërkuar që në ditën 1 që e kemi nisur këtë reformë. Një ligj që do garantojë që reformat të jetë e thellë, cilësore dhe e qëndrueshme në kohë, një ligj që do i tregojë drejtimin e duhur të gjithë atyre që qëndrojnë padrejtësisht brenda pallatit të drejtësisë dhe e kanë çuar drejtësinë në drejtim të paditur për kaq shumë vite

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat