Konfiskohen 3 arinj në robëri, MM: Stop fenomenit

Shqipëria

Konfiskohen 3 arinj në robëri, MM: Stop fenomenit

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 15:45
Foto nga vendi ngjarjes

Ministria e Mjedisit ka konfiskuar sot tre arinj në robëri. Kështu, në vijim të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Mjedisit dhe fondacionit “Katër Putrat” me qendër në Austri, i specializuar për arinjtë, prej ditës së djeshme kanë filluar një seri inspektimesh në bashkëpunim me ISHMP-në dhe AKZM-në për konfiskimin e 3 arinjve, që mbaheshin në Zerqan (Bulqizë), Ulëz (ariu Tomi) dhe Levan (Fier).

Bëhet e ditur se gjatë këtyre inspektimeve, ditën e sotme është bërë e mundur vendosja e përkohshme e ariut Tomi nga Ulza në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, me asistencën e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë.

Lidhur me këtë fakt, zëvendësministri Kledi Xhaxhiu u shpreh për mediat se Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me institucionet e saj të varësisë për të parën herë ka adresuar një problematikë të trashëguar në vite.

“Ministria e Mjedisit është e vendosur t’i thotë “stop” këtij fenomeni”, tha Xhaxhiu duke theksuar se synohet edhe ndërgjegjësimi i publikut për të adresuar fenomenin e mbajtjes së paligjshme të këtij lloji të faunës së egër në robëri.

Ndërkohë, kreu i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhja shprehu kënaqësinë që Kopshti Zoologjik ofron këtë mundësi strehimi të përkohshëm për arinjtë në robëri si dhe theksoi se po punohet për ngritjen e qendrës në zonën e Dajtit për të mbajtur arinjtë në vendin tonë.

Ndërkohë përfaqësues i fondacionit “Katër Putrat”, Carsten Hetwig shprehu konsideratën për angazhimin e Ministrisë së Mjedisit për shpëtimin e ariut Tomi dhe transferimin e tij në strehimoren e Prishtinës, duke theksuar se aksioni vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Mjedisit dhe fondacionit austriak.

Përveç ariut Tomi është kryer vaksinimi dhe vendosja e mikroçipeve edhe për dy arinj të tjerë në robëri, në Bulqizë dhe Fier. Pas përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm në një periudhë të shkurtër do të realizohet transferimi i të tre arinjve në strehimoren “Pylli i arinjve” në Prishtinë, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

Ky aksion është në vijim të hapave të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit për adresimin e këtij problemi në zbatim të kuadrit ligjor për biodiversitetin dhe mbrojtjen e faunës së egër.

Kështu në prill të 2016-s u bë i mundur transferimi i 3 arinjve që mbaheshin në zonën e Divjakës për në Qendrën e Rehabilitimit ARCTUROS në Follorinë të Greqisë.

Në maj 2016 u realizua transferimi i i një ariu në një strehimore të përhershme pranë Mynihut (Gjermani). Në fillim të gushtit 2016 u sekuestruan 2 arinj të vegjël që mbaheshin në zonën e Sarandës dhe u bë vendosja e tyre përkohësisht në Kopshtin Zoologjik, ndërkohë që është në proces përgatitja e dokumentacionit dhe në një kohë të shkurtër do të kryhet transferimi i tyre në një qendër për arinjtë në Gjermani.

Po kështu në fund të korrikut 2016, u konfiskua ariu Sonja që mbahej në zonën e Vlorës dhe është në procedurë përgatitja e lejeve të nevojshme për vendosjen e saj pranë parkut të Abruzos (Itali).

Ministria e Mjedisit po punon për të patur një bazë të plotë të dhënash për numrin e saktë të këtyre individëve (që është rreth 50) dhe vendosja e mikroçipeve për identifikimin e tyre.

Çdo individ që do të identifikohet pas kësaj faze si mbajtës i arinjve në robëri do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi, me sekuestrimin dhe konfiskimin e menjëhershëm të tyre. Pak ditë më parë, në një reportazh të ‘Daily Mail’, tregohej se arinjtë trajtoheshin në mënyrë barbare. Ata lidheshin me zinxhirë, përdoreshin për argëtimin e njerëzve dhe për të bërë “selfie”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat