Sherefedin Shehu, eksperti i ekonomisë që i duhet Dibrës dhe 6 avantazhet ndaj kundërshtarit

Shqipëria

Sherefedin Shehu, eksperti i ekonomisë që i duhet Dibrës dhe 6 avantazhet ndaj kundërshtarit

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 12:11
Sherefedin Shehu

Mina Hysa – Më 11 shtator ose, më saktë, pas 13 ditësh dibranët (banorë të qytetit të Peshkopisë dhe 15 ish-komunave të quajtura tashmë njësi administrative), do të jenë para kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme lokale për të votuar drejtuesin e tyre të ri, që do t’u gjendet pranë në hallet e tyre të përditshme, tek i cili do të trokasin për çdo nevojë.

Përballë kanë dy kandidatë: ai i majtë, një mjek kirurg, dhe i djathti specialist, ekonomist i zoti, për fushën e specializuar i bie të jetë “kirurg” në ekonomi, profesor dhe ekspert i buxheteve dhe financave, me përvojë mbi 30-vjeçare akademike dhe profesionale.

Atëherë lind pyetja: Cilin duhet të votojnë dibranët për kryebashkiak?
Për situatën në të cilën ndodhet Dibra aktualisht, aq më tepër me ndarjen territoriale skandaloze që qeveria i bëri kësaj treve, duke e lënë vetëm një bashki në gjithë atë shtrirje gjeografike; qytetin dhe 15 komunat, dibranët kanë fatin të kenë si kandidatë të PD-së dhe koalicionit të saj ekspertin e ekonomisë, njeriun që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe për qeverisjen e PD-së në nivel qendror në fushën fiskale. Dibra ka nevojë për një “kirurg” në ekonomi, ndërsa kandidatin e majtë ta lërë në vendin e punës, që të perfeksionohet të shkojë në nivelin që z. Shehu ka në fushën e tij. Kandidatura e PD-së është pritur mjaft mirë në Dibër nga qytetarët, rrethet intelektuale si dhe grupet e interesit, duke e parë si njeriun e duhur që do të dijë të zgjidhë mjaft probleme, falë aftësive të tij të spikatura deri më tani. Sherefedin Shehu shihet nga të gjithë si drejtuesi i duhur në krye të punëve pas 11 shtatorit.

Pse duhet Sherefedin Shehu kryebashkiak?

Së pari, duke qenë se Dibra është një nga zonat më të varfra në vend (sipas të dhënave zyrtare INSTAT), kjo edhe për shkak të lënies pas dore nga qeveria “Rama”, ka nevojë, siç i thonë dibranët, për një zot shpie që të di t’i dalë për zot të gjithë familjes brenda mundësive financiare që ka, duke i miradministruar financat. Askush më mirë se Sherefedin Shehu, një ekspert i buxheteve kombëtare, nuk do ta bënte një gjë të tillë. E gjithë përvoja e tij do të jetë në dispozicion të një mirëqeverisjeje, falë stafit të aftë që do të zgjedhë si dhe të miradministrimit mjaft mirë të të ardhurave vendore. Administrata e kryebashkiakut Sherefedin Shehu, falë vizionit dhe programit të tij do të dijë që jo vetëm të gjenerojë të ardhura nga taksat dhe tarifat brenda mundësive që realisht ka bashkia, por edhe të stimulojë biznesin, duke pasur si fokus të tij aplikimin e tarifave vendore të ulëta dhe eliminimin e atyre që do të jenë barrë për biznesin. Pra, z. Shehu me biznesin si kryebashkiak do të jetë mjaft bashkëpunues, do ta mbështesë atë në zhvillimin e tij, por ndërkohë, falë politikave fiskale lehtësuese, që veç ai di t’i aplikojë aq mirë, do të mund që të rrisë punësimin, por edhe të mbushë arkën e bashkisë e më pas këto të ardhura, falë projekteve zhvilluese konkrete, t’i kthejë në investime për banorët.

Së dyti, Sherefedin Shehu vjen në këtë garë përballë qytetarëve dibranë jo vetëm me “malin” e përvojës mbi shpatulla në fushën e drejtimit dhe mësimdhënies, por edhe me një program të qartë bazuar realisht mbi nevojat që ka Dibra sot. Kjo u pa edhe në prezantimin e z. Shehu, i cili, ndryshe nga kundërshtari, ishte i qartë çfarë do të bënte, duke nisur nga dita e nesërme e mandatimit. Në fakt, për një njëri me të tillë përvojë, një ekspert të kësaj përmase ka nevojë Dibra. Pra, thënë ndryshe, Peshkopia dhe 15 njësitë administrative kanë nevojë për një ekzaminim të mirë të gjendjes reale në të cilën ndodhet zona, si dhe njeriun e duhur, “kirurgun” që të rimëkëmbë gjendjen ekonomike. Ai që mund ta bëjë një gjë të tillë mjaft mirë është Sherefedin Shehu. E, në fakt, të gjithë sytë duhet t’i kenë tek ai, dibranët duhet dhe besojnë tek aftësitë e tij për ndërhyrjen kirurgjikale që z. Shehu do të bëjë për zhvillimin e zonës së cilës nuk i mungojnë resurset, duke kthyer shpresën tek të gjitha shtresat e popullsisë në Dibër.

Së treti, Sherefedin Shehu është një njohës mjaft i mirë i Dibrës, i gjendjes ekonomike në të cilën ndodhet, për faktin se, si i zgjedhur prej dibranëve, ai ka mundur të shkelë çdo njësi administrative dhe është njohur nga afër me çdo nevojë të qytetarëve. Me profilin e tij mbresëlënës si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka ditur të mbrojë më së miri interesat e bashkëpatriotëve të tij, duke ngritur zërin jo mbi propagandë boshe, por me fakte konkrete mbi atë që realisht ka ndodhur në Dibër. Pra, duke qenë një njohës mjaft i mirë i gjendjes së zonës, z. Shehu ka mundur, që nëpërmjet programit të tij elektoral, të cilin do ta zbatojë si kryebashkiak pas 11 shtatorit, të japë rrugën e zgjidhjes jo vetëm për nevojat emergjente të zonës, por edhe të zbatojë projektet afatmesme dhe afatgjata zhvilluese për Dibrën. Në këtë tur elektoral, z. Shehu thjesht vetëm sapo i “check-on” këto nevoja dhe po u jep garancinë e duhur zgjedhësve se, me të kryebashkiak, Dibra do të jetë një zonë që shumë shpejt do të njohë zhvillim.

Së katërti, Sherefedin Shehu vjen në këtë garë si një emër me reputacion në nivel kombëtar; si politikan, ashtu si edhe në fushën akademike, por edhe se ka njohje mjaft të mira dhe të besueshme me organizmat ndërkombëtarë. Në bashkëpunimet e tij më këta organizma Sherefedin Shehu ka lënë veprat e tij e tashmë sigurisht që mund të quhet një ekspert i certifikuar dhe i besueshëm prej tyre dhe kjo do ta ndihmojë atë e kuptohet, edhe dibranët, që të përfitojnë mjaft projekte për zhvillimin e zonës në fushën e turizmit, bujqësisë apo edhe projekteve të tjera infrastrukturore. Pak kryebashkiakë, për të mos thënë aspak, e kanë këtë “armë” të fuqishme në duar për ta përdor në zhvillimin e zonës.

Së pesti, Sherefedin Shehu u është gjendur dibranëve. Ai u është përgjigjur nevojave të tyre. Ka qenë profili i deputetit që asnjëherë nuk ka shkëputur komunikimin me zgjedhësit në të mirë dhe të keq, siç i thonë në Dibër. Sa herë ka marrë informacionin apo kërkesën e tyre në rrugë të drejtpërdrejtë ose jo, ai është vënë në lëvizje për të zgjidhur çdo hall dibrani, pa interes, pa marrë parasysh fare bindjet e tij politike, duke mos e neglizhuar aspak. Pranimin e kandidimit të z. Shehu dibranët duhet ta përjetojnë si ngjarje të veçantë. Sherefedin Shehu ka pasur gjithnjë besimin e dibranëve, duke qenë gjithnjë pranë tyre, pasi ende pa e çuar në Kuvend i thërrisnin deputet, më pas e mandatuan e kësaj here duhet që qytetarët të ngjeshin radhët dhe t’i japin fitoren spektakolare duke kthyer besimin se Dibra bëhet!

Së gjashti, Sherefedin Shehu do të jetë një zë i fuqishëm si kryebashkiak për të kërkuar marrjen e investimeve, që i takojnë Dibrës, nga qeveria. Ai do të kërkojë edhe nga kjo qeveri, por sidomos me Lulzim Bashën Kryeministër, bërjen fakt realizimin e investimit të Rrugës së Arbrit, investim i shumëpritur nga dibranët, nisur nga qeverisja e Partisë Demokratike dhe që nga kjo qeveri nuk është hedhur qoftë edhe një lopatë. Garancia për bërjen e Rrugës së Arbrit në fakt u dha nga lideri i opozitës dhe kryetari i Partisë Demokratike në takimin e prezantimit të z. Shehu në pallatin e sportit “Bashkim Lala” në Peshkopi. Zoti Shehu nuk do të jetë thjesht një zë më shumë, por do të ofrojë gjithë mbështetjen dhe përvojën e tij që kjo ëndërr dibrane të bëhet realitet. Zëri i tij do të jetë i besueshëm edhe për donatorët për çfarë ka ofruar në raportet bashkëpunuese me ta. Këto janë arsye të mjaftueshme që dibranët më 11 shtator të mandatojnë Sherefedin Shehun si kryetar të Bashkisë Dibër. /Gazeta55/

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat