Vrasja në Golem, të afërmit: Veliu ka shitur 3 shtëpi, një zot e di se ku i ka çuar paratë

Shqipëria

Vrasja në Golem, të afërmit: Veliu ka shitur 3 shtëpi, një zot e di se ku i ka çuar paratë

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 09:41
Ilustrim

Vrasja e gruas 69- vjeçare me sëpatë në kokë nga i shoqi 73 vjeç në Golem, sipas Policisë ndodhi pas grindjeve e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes çiftit.

Në 46 vite martesë, bashkëshortët kishin qenë tri herë në prag divorci, pasi viktima donte të ndahej nga autori për shkak të tradhtive të tij. Por ka qenë ndërhyrja e tre djemve që i ka bashkuar ata sërish, duke mos i lejuar të ndaheshin.

Familjarë dhe të afërm të Shazivare Dervishit, shpreheshin dje së janë habitur kur kanë dëgjuar se çfarë ka dëshmuar në Polici, Veli Dervishi. Sipas tij, edhe pse i penduar për krimin e kryer, vrasjen e ka kryer sepse ishte lodhur nga ajo dhe se e kishte tradhtuar gjithë jetën.

“Nuk është e vërtetë ajo që ka thënë Veliu në Polici. Shazivarja jo vetëm që nuk i njihte këto lloj gjërash që thotë ai, pasi gjithë jetën e saj ka punuar me ndershmëri dhe ka qenë një nënë e përkushtuar, por ishte ajo që kishte duruar tradhtitë e tij. Tri herë ka dashur të ndahet për këto që bënte ai lart e poshtë, por e kanë kthyer djemtë. Për hatrin e tyre ajo e ka falur disa herë dhe ja çfarë i ndodhi tani”, tregojnë disa të afërme të 69-vjeçare.

Ndërsa disa të tjerë flasin edhe për dëme ekonomike që Veli Dervishi i kishte shkaktuar familjes dhe sipas tyre kjo ishte arsyeja kryesore pse e shoqja i kërkonte shpjegime herë pas here dhe jo për tradhtitë.

“Ai ka shitur tri shtëpi dhe paratë një zot e di se nga i ka çuar e kujt ia ka dhënë. Për këtë arsye kishin dhe grindje mes njëri-tjetrit. Por edhe këtë ajo e kishte toleruar se kishin 40 e kusur vite martesë”, thotë një e afërme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat