Kruja e pazbuluar

Shqipëria

Kruja e pazbuluar

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 15:36
Ilustrim

I vendosur në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit, qyteti i Krujës, vetëm 32 km larg nga Tirana, është një qendër e rëndësishme turistike në Shqipëri. Pozita e favorshme gjeografike bën që edhe në muajt e verës të vizitohet nga shumë turistë, kryesisht njëditorë.

Prezenca e krojeve të shumta mendohet t’i ketë dhënë emrin edhe qytetit të Krujës, i cili daton në shekullin e IX, e që për vlerat historike dhe kulturore tërheq shumë vizitorë.

Turistët kanë pushtuar pazarin e Krujës këtë fundgusht, i cili ka ndryshuar pamje falë “Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim” dhe “TID”, të cilët administrojnë këtë pasuri kombëtare. Grupe të shumta, ku më së shumti spikasin ato nga Italia, shuajnë kuriozitetin në punimet artizanale krutane.

“Ka shumë turistë, kryesisht janë italianë. Pëlqejnë veshjet tradicionale, punimet në filigram, u ka bërë shumë përshtypje xhubleta dhe pasha e saj. Pozita gjeorgrafike e Krujës është e favorshme dhe fakti që Ballkani është më i qetë dhe nuk ka luftra e favorizon turizmin. Pastaj Shqipëria është shumë e bukur, ka shumë për të parë”, thotë drejtuesi i guidës.

“Është hera e parë që vij këtu. Është shumë bukur, nuk e prisja të ishte qytet kaq i bukur. Më kanë pëlqyer veçanërisht kështjellat dhe muzetë, edhe hsitoria është shumë e bukur. Nuk kisha dëgjuar më parë për Krujën. Më vjen mirë që ishte pjesë e programit, pasi ta shohësh nga afër është shumë gjë e bukur”, tha një turiste italiane.

Kruja pret çdo ditë vizitorë të shumtë, të cilët krahas vizitës në qytetin muze, nuk i shpëtojnë dot edhe tundimit për të blerë objekte të vjetra, që mund t’i gjejnë vetëm në këtë qytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat