Mungon rruga, fermerët në vështirësi për tregtimin e prodhimeve

Shqipëria

Mungon rruga, fermerët në vështirësi për tregtimin e prodhimeve

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 11:38
Baftjar Muça

Ferma e Baftjar Muçës, është një nga ekonomitë bujqësore që janë krijuar vitet e fundit në afërsi të fshatit Gërnec, në njësinë administrative Vllahinë të Selenicës, rreth 40 km në lindje të qytetit të Vlorës. Për të shkuar aty, duhet të udhëtosh fillimisht për në Vllahinë, një zonë e njohur naftëmbajtëse dhe, më pas, të lëvizësh në një rrugë të paasfaltuar malore. Është një terren mjaft i thyer, që të  bën të mendosh se ngritja e një ferme në këtë zonë të thellë malore të rrethit të Vlorës, duket një ndërmarrje e vështirë dhe pa perspektivë. Por, mendimi nis e thyhet disi kur përpara nesh nis e shfaqet një peizazh i këndshëm natyror, që ka ndryshuar nga puna e njerëzve. Në një luginë, pjesë e një pllaje djerrë, ku dikur mbretëronte “asgjëja”, disa fermerë vendosën të konkretizonin atë që ata sot, e quajnë një mundësi për të përballuar jetesën, ndonëse me mjaft vështirësi. Lëvizim në një rruginë mes parcelash me ullinj, pemë frutore e perime gjithë farëllojëshe .

Është një hapësirë dhjetëra hektarë, e mbuluar nga gjelbërimi i krijuar nga dora e njeriut. Në to, dhjetëra njerëz, burra dhe gra, punojnë për vjeljen e pemëve, apo për prashitjen e tokës rreth tyre e pastrimin e barërave. Është fundgusht dhe në këtë periudhë, ullinjtë, perimet dhe pemët frutore, kanë nevojë për shumë shërbime. Lagështia, e pak ditëve më parë, ka shtuar edhe më shumë nevojën për disa procese speciale. “Nuk është e mirë kjo lagështi sepse pengon pjekjen e kokrrës së ullirit”, thotë Fatmira, një prej grave që punojnë në këto ngastra toke, krahas bashkëshortëve të tyre, teksa e takojmë në hyrje të një parcele të mbjellë me perime. Ndërkohë, pranë nesh afrohet një traktor me goma, prej të cilit një çift bashkëshortësh na urojnë mirëseardhjen. “Në këtë zonë jemi të  gjithë pjesëtarë të një fisi, që kemi përfituar tokat nga reforma”, thotë Baftjar Muça, një prej fermerëve në këtë zonë. Në fakt, ai është fermeri i parë që ngriti ekonominë e vet bujqësore, duke e nisur punën para rreth 13 vitesh. Shembulli i tij nxiti edhe të tjerët për “t’i hyrë punës”.

Janë mbi 50 persona, banorë të fshatit Gërnec, një zonë e thellë malore, që punojnë në këtë ditë në parcelat e mbjella me ullinj, pemë frutore e perime. Është një realitet që të krijon një ndjesi të mirë. Fjala “punë” këtu merr vlerë. Pavarësisht nga largësia prej Vlorës, pavarësisht nga rruga krejt e papërshtatshme dhe tërësisht e dëmtuar nga mungesa e investimeve, këta fermerë kanë arritur të thyejnë disa barriera, duke krijuar ekonomitë e tyre bujqësore, me të cilat përballojnë jetesën e përditshme. Ndonjë prej tyre ka mekanizuar një pjesë prej punëve, duke blerë me kursimet traktorë me goma, apo mjete të tjera më të vogla si freza, për proceset e imta në bujqësi. Vetë Baftjari, apo Batoja, siç i flasin shkurt, ka blerë një traktor të vogël goma përmes një kredie. I duhet që të udhëtojë deri këtu nga shtëpia e tij dhe të kryejë një pjesë të proceseve. Në një hapësirë 3.3 hektarë, ai ka aktualisht 250 rrënjë ullinj, prej të cilave 200 rrënjë të llojit “Frantoja” dhe pjesën tjetër të llojit tradicional autokton “Kalinjot”.

Diku ka eksperimentuar edhe me lloje të tjera, që nuk i gjen askund në këtë zone dhe ka arritur sukses. Ja, diku na tregon një pemë ulliri me lartësi modeste, me trungun që shkëlqen nga solucioni i gurëkalit. “Është ulli i llojit spanjoll dhe vjet mora 70 kg nga kjo pemë”, thotë ai, ndërkohë që më tej tregon edhe dy ullinj të tjerë ende të vegjël, por që në vitin e dytë të mbjelljes, dhanë një prodhim prej 20 apo 25 kg secili. Gjatë vitit të kaluar, ai siguroi nga ullinjtë rreth 17 kv prodhim, 90 për qind të të cilit e përpunoi për vaj në një nga punishtet e zonës. “Mbajtëm vetëm 1 kv kokërr për nevojat e familjes, por edhe për tregtim”, thotë Batoja. Agimi, një tjetër fermer në këtë zonë, tregon se, vitin e kaluar nga 200 rrënjët e ullinjve të vet, mori rreth 12 kv. Ai nuk mund të parashikojë si do të jetë prodhimi këtë vit, por shpreson që të arrijë diçka, ndërkohë që javët dhe muajt kalojnë pa u ndjerë dhe, nëntori nuk është larg.  Disa prej fermerëve kanë kultivuar hurmat “me farë”, siç shprehen ata dhe piqen shpejt, më shpejt se varietetet e tjera. Kjo lloj hurme e ëmbël që piqet diku nga fundi i shtatorit, preferohet shumë nga konsumatorët, prandaj dhe është me leverdi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat