Meta: Të kthejmë pozitën gjeografike në avantazh për zhvillimin e vendit

Shqipëria

Meta: Të kthejmë pozitën gjeografike në avantazh për zhvillimin e vendit

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 16:43
Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh të shtunën se “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të kthejë pozitën gjeografike në një avantazh të fuqishëm për zhvillimin e vendit”.

Kryetari i LSI-së mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Kampingut të LRI-së në Jalë, ku theksoi se “vendi ka nevojë për një transformim të thellë shoqëror që vjen përmes një solidariteti të ri, i cili në radhë të parë duhet të spikasë te të rinjtë dhe për të rinjtë në emër të së ardhmes së tyre dhe të gjithë vendit”. “Nuk mund të ketë ndryshime cilësore dhe shoqërore në një vend nga fëmijët e elitave të vetëkënaqura, të zhytura në arrogancë, në egoizëm dhe individualizëm. Nuk mund të ketë shpresë një vend, në rast se nuk vihet në lëvizje ëndrra dhe aspirata e fëmijëve të familjeve më të thjeshta, për një ndryshim shoqëror, për një progres të ri shoqëror”, u shpreh Kryetari i LSI-së.

Sipas tij, “Shqipëria ka qenë viktimë e gjeografisë, por tani ka të gjitha mundësitë që këtë pozitë ta kthejë në një avantazh të fuqishëm për të ardhmen e vendit tonë”. “Besoj se jeni të ndërgjegjshëm për fuqinë që ju keni. Fuqi që vjen nga bashkimi juaj, i aftësive, i talenteve, që ju keni në emër të qëllimeve të përbashkëta”, shtoi Meta.

Meta përgëzoi lidershipin e ri të LRI-së për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerat që ka përcjellë te të gjithë pjesëmarrësit. “Gjeneratat në LRI sa vijnë dhe bëhen më të mira”, tha Lideri i LSI-së.

Ai ftoi të rinjtë të bëhen pjesë LRI-së, që përfaqëson forcën ku ata mund të mbështeten. “Nëse të rinjtë duan një forcë ku ata mund të mbështesin shpresat dhe ëndrrat e tyre për ndryshim, është fuqia dhe solidariteti i Lëvizjes Rinore për Integrim”, tha Meta.

Në ceremoni merrnin pjesë edhe ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, Zv.Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, drejtues të LRI-së, etj. Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, u shpreh se Kampingu i Jalës i organizuar nga LRI është një shkollë për të rinjtë për të mësuar që të punojnë bashkë dhe për të qenë luftëtarë për zhvillimin e Shqipërisë demokratike, për zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe çdo aspekt tjetër të jetës sonë.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij vlerësoi energjinë e të rinjve. “Është një nga hapësirat me më shumë energji në Shqipëri sot. Disa i ka lodhur vera kurse disa të tjerë vera i ka mbushur me energji fantastike dhe shpresoj do jetë ngjitëse kudo ku do ktheheni nesër. Unë besoj që ne Bashkinë e Tiranës, ndoshta jemi një nga vendet që ka aplikuar më shumë atë filozofi të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të LSI-së, mikut tonë Ilir Metës që ka shumë më shumë gjëra, jo vetëm ne si të majtë, por ne si shqiptarë, ne si të rinj, që na bashkojnë më shumë se sa gjërat që na ndajnë”, – theksoi z. Veliaj.

Në aktivitetin e përvitshëm morën pjesë rreth 1500 të rinj e të reja nga e Shqipëria, të cilët për pesë ditë me radhë u angazhuan në aktivitete të ndryshme sociale, bashkëbisedime me personalitet e shumta që ishin ftuar, por edhe aktivitete argëtuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat