Kampingu i LRI - Politikani gjerman: Reforma në drejtësi, arritje për Shqipërinë

Shqipëria

Kampingu i LRI - Politikani gjerman: Reforma në drejtësi, arritje për Shqipërinë

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 18:53
Friedbert Pflüger

Në ditën e katërt të Kampingut të LRI me të rinjtë e kësaj partie kanë baskëbiseduar Politikani gjerman, Friedbert Pflüger dhe deputeti i PS-së, Namik Dokle.

Politikani gjerman vlerësoi aktivitetin e zhvilluar në Jalë, si diçka unike në të gjithë Evropën, dhe për këtë vlerësoi kreun e LSI, Ilir Meta që së bashku me drejtuesit e LRI për punën me të rinjtë, të cilët i japin shpresë dhe optimizëm vendit.

Friedbert Pflüger: “E dini, në një botë ku çdo ditë në lajme kemi diçka rreth luftës, terrorizmit, tërmeteve, kjo mbledhje dhe këta të rinj që ne shikojmë këtu na japin goxha shpresë dhe optimizëm. Ilir Meta, unë mundem vetëm të falënderoj ju dhe lidershipin e partisë, lidershipin e Lëvizjes Rinore për Integrim për punën fantastike që keni bërë këtu dhe ju lutem më besoni unë kam qenë për shumë vite me lëvizjen rinore të partisë time, kam qenë zv.kryetar i studentëve demokrat europian. Në gjithë Europën unë nuk kam parë kurrë një aktivitet si ky dhe ju duhet të jeni shumë krenarë për këtë. Ju keni dy vajza në krye të partisë tuaj, dy vajza të fuqishme dhe kjo është një shenjë fantastike”.

Reformën në Drejtësi e cilësoi si arritje të madhe për Shqipërinë.

 Friedbert Pflüger: “Lexova gazetat në Tiranë se Kongresmeni, Michael McCaul, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kongresin Amerikan, i dërgoi përgëzimet e tij, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për kalimin me sukses të reformës në drejtësi dhe reforma në drejtësi tha ai. Dhe kjo vjen nga SHBA, që unë mendoj të gjithë ne duhet ta marrim shumë seriozisht, është një arritje për Shqipërinë dhe barrierat europiane. Më lejoni t’ju kujtoj fjalët e John F. Kennedy: Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi për ju, por çfarë ju mund të bëni për vendin tuaj”

Duke rrëfyer përvojën e tij në politikë që ka nisur prej moshës 16 vjecare Profesori Friedbert Pflüger bëri thirrje për pasion në politikë, por u kërkoi të rinjve të mos bien pre e asnjë lloj radikalizmi.

Friedbert Pflüger:  “Ju lutem mos tentoni të shkoni drejt radikalizmit, çdo gjë është e gabuar dhe çdokush që ju mëson dhe ju thotë se kemi përgjigje të thjeshta, përgjigje të shpejta, bota është bardhezi, ai ose ajo është gabim. Bota është e vështirë, politika është e vështirë dhe ju duhet të keni shumë pasion për t’i ndryshuar gjërat dhe ju duhet të filloni të besoni se mund ta bëni këtë gjë”

Në fund të fjalës së tij, politikani gjerman vlerësoi liderin e LSI-së dhe nënvizoi se e ardhmja do të jetë më e mirë nëse qëndrojmë të bashkuar në Evropë.

Friedbert Pflüger: ” Vendi është shtëpia jonë, ne të gjithë në Europë e bëjmë këtë, por të ardhmen do ta kemi vetëm në qoftë se rrimë të bashkuar në Europë, sepse kombet tona janë shumë të vogla për të ndryshuar botën. Një parti dhe një lider, i cili investon kaq shumë kohë dhe mund për rininë e vendit të tij, ai do t’ia dalë mbanë dhe ju do t’ia dilni!”

Ndërsa, deputeti i PS-së, Namik Dokle tha se reformat e mëdha kërkojnë konsensus

 Namik Dokle: “Një nga elementët bazë përsa i përket reformave, për të bërë reforma të mëdha dhe të qëndrueshme, është më e mira që të gjendet zgjidhja, konsensusi me opozitën. Nga kjo pikëpamje unë mendoj se konsensusi duhet synuar.

Profesori  Friedbert Pflüger, që u bë pjesë e këtij aktiviteti aktualisht është Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Sigurinë Energjetike. Ai është anëtar i partisë gjermane CDU dhe në të kaluarën ka mbajtur postin e Kryetarit të Komitetit të Çështjeve Europiane në Bundestag si dhe Sekretar i Shtetit.

Pjesë e këtij aktiviteti më herët janë bërë edhe Drejtori i Fondacionit “Friedrich-Ebert” në Shqipëri, Frank Hantke, deputeti i Partisë Social-Demokrate të Suedisë, Adnan Dibrani, si dhe Ambasadori i Sllovakisë, Milan Cigánik. ndërsa në ditën e hapjes e ka përshëndetur kreu i LSI, Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat