PS: Sherefedin Shehu ka 5 apartamente në Tiranë

Shqipëria

PS: Sherefedin Shehu ka 5 apartamente në Tiranë

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 14:40
Selia e PS-së

Partia Socialiste ka reaguar pas prezantimit të kandidatit demokrat në Dibër. Në një deklaratë për mediat thuhet se komuniteti dibran pati mundësinë të bënte dallimin mes takimit dinjitoz të koalicionit qeverisës për prezantimin e Muharrem Ramës dhe mitingut me ulërima të Partisë Demokratike për prezantimin e Sherefedin Shehut.

“Në të njëjtën sallë, shumica qeverisëse foli për çka është bërë dhe do të bëhet për Dibrën duke nxjerrë në pah vlerat e një qytetari të nderuar si Muharrem Rama, ndërsa Partia Demokratike shau, shpifi, iku pasi ngriti në qiell një kandidat të ardhur me telekomandë nga Shqupi në Dibër, pasi ka vënë në zotërim gjatë jetës së tij në Tiranë plot 5 apartamente”, thuhet në deklaratë.

Sipas socialistëve, “Lulëzim Basha ulëriti gjatë për të gjitha të zezat, duke shprehur bindjen se dibranët nuk janë budallenj që të gënjehen me llafe, dhe natyrshëm lind pyetja: Ku mendon Lulëzim Basha se do t'i gjejë aq shumë dibranë jobudallenj që gënjehen nga llafet e tij?! Ku do t'i gjejë Lulëzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se Partia Demokratike e la gati Rrugën e Arbërit?! Ku do t'i gjejë Lulëzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se varfërinë, papunësinë, rrënimin shumëvjeçar në Dibër e solli Edi Rama për tre vjet?! Po aq shumë dibranë që të besojnë se plagët e vjetra të Dibrës do t'i shërojë Partia Demokratike me Sherefedinin, ku do t'i gjejë Lulëzim Basha?!”

Socialistët falënderojnë sot Partinë Demokratike për takimin e zhvilluar në të njëjtën sallë, sepse kështu dibranët mund ta bëjnë më lehtë dallimin, dhe falënderojnë edhe kreun e PD-së Bashën, që duke përsëritur fjalimin që ka tre vjet që mban, u dha mundësi dibranëve të kuptojnë se ai nuk ka asgjë të re për Dibrën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat