Bushati fton kinezët: Ndërtimi i Korridorit Blu do transformojë rajonin

Shqipëria

Bushati fton kinezët: Ndërtimi i Korridorit Blu do transformojë rajonin

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 20:08
Ditmir Bushati

Është çelur në Kinë forumi i bashkëpunimit ekonomik “Shqipëri-Kinë, miqësi e vjetër, partneritete të reja”, ku merrnin pjesë edhe sipërmarrje të mëdha kineze që aktualisht operojnë në tregun shqiptar, apo që kanë shprehur interesin për t’u futur në të.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, shoqeruar edhe nga kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jakaj, është takuar me përfaqësuesit e bizneseve kineze për të promovuar Shqipërinë si një vend që ofron mundësi të shumta investimi, nisur nga sektorët prioritarë si turizmi, bujqësia, manifaktura dhe energjia.

“Sot ne kemi rënë dakord për një hartë lidhëse të të gjithë rajonit dhe e kemi të qartë se si duket dhe si do të jetë rajoni ynë deri në vitin 2020-2030 nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë. Këtu i referohem korridoreve qendrore të infrastrukturës që do të lidhin portet, aeroportet dhe pikat kryesore të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për ne prioritet ka përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane, e quajtur ndryshe “Korridori Blu”, i cili do t’i jepte një dimension të rëndësishëm unazës së turizmit mesdhetar”, deklaroi Bushati.

Ministri Bushati foli edhe për zhvillimin e rrjetit hekurudhor në Shqipëri, duke i ftuar kompanitë kineze të investojnë, duke i cilësuar ato si projekte që do afrojnë distancat mes vendeve dhe do lehtësojnë të bërit biznes, duke i grupuar ekonomitë e rajonit në një të vetme. Për ministrin e Jashtëm, sot Shqipëria ka një legjislacion favorizues për investimet e huaja në sektorët strategjikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat